Menaxhimi i ndryshimit vs. ndryshimit të menaxherëve

EDUART GJOKUTAJ

Ne nuk mund ta injorojmë politikën çfarëdo që të themi dhe bëjmë. Ajo është prezente në çdo ndryshim të situatave ekonomike dhe politike, të mëdha dhe të vogla. Deri më sot, politika shikohet nga ne me një opinion dyshues për gjithë çfarë përfaqëson. Por, në fakt, ajo që dua të shpreh ka lidhje me cilësinë e politikës në menaxhimin e ndryshimeve që deklarohen nga politikanët. Menaxhimi i ndryshimit është një proces që synon mbajtjen nën kontroll të ndryshimeve sipas një orientimi të organizuar të proceseve të ndryshme sociale dhe ekonomike që kanë ndodhur apo janë në proces. Natyra dhe klima ndryshojnë. Shoqëria ndryshon. Ekonomia ndryshon. Çdo organizatë ndryshon. Secili individ ndryshon. Bota po ndryshon. Ndryshimet janë pjesë e përditshmërisë sonë dhe nëpërmjet tyre synohet të arrihet një standard më i lartë. Edhe në ditët e sotme, ndryshimi është vetë procesi ciklik jetësor dhe social. Në situatën ekonomike dhe sociale që është vendi nuk mund të dilet mes një ndryshimi të vogël të disa individëve, disa mekanizmave ekonomikë dhe skenarëve politikë. Ndryshimi duhet të ketë strategji me mision dhe vizion, si dhe vlera ku të marrë energjinë për ndryshimin. Pa pastaj do edhe objektiva të qartë dhe taktika për zbatim të tyre me përgjegjësinë përkatëse të individëve, që duhet ta zbatojnë. Supozojmë se pasi hartuan këto dokumente, menaxherët e lartë politikë dhe ekonomikë (me ndihmën e të huajve ose jo) unë pyes: A munden ta menaxhojnë ndryshimin? A munden ata të jenë menaxherë të ndryshimeve duke e bërë ndryshe nga deri më sot? Një ndryshim mund të diktohet duke huazuar modele të zbatuar nga vende të tjera pa konsideruar seriozisht rrethanat e brendshme të vendit, por ky proces do të ishte me efekte negative dhe nuk do të zgjaste për shumë kohë. Ndryshimi i vërtetë është ai që edhe pse mund të huazohet, bën diferencën në mënyrën sesi administron procesin dhe efektet e tij. Ndryshimi bazohet fillimisht mbi cilësitë e individëve të spikatur (publik ose jo), të cilët kanë dalë mbi të tjerët në situatat që janë përballur (ata me vlerë të shtuar). Nuk ka shumë vend në këtë logjikë për individët që janë pjesë e klanizmit të trashëguar apo të ri. Pasi ky ndryshim të përqafohet nga grupi i njerëzve të spikatur, atëherë modeli duhet përhapur dhe të sqarohet te njerëzit e tjerë. Ky proces rrathë-rrathë është modeli që përcjell vlerat në gjithë shoqërinë dhe lufton me rezistencën e vullnetshme ose instiktive aty ku shfaqet. Një individ duhet të motivohet nga procesi i menaxhimit të ndryshimit. Në këtë proces përfshihen si aspektet e situatave negative, po ashtu edhe ato pozitive. Në këtë drejtim menaxherët e ndryshimit duhet të reflektojnë karshi rezistencave ndaj ndryshimit përpara se ato bëhen pengesa. Rezistenca ndaj ndryshimit kuptohet si një pjesë natyrale e jetës në pjesën më të madhe të tyre. Menaxhimi i ndryshimit duhet ta orientojë atë drejt ndryshimit duke e bërë pjesë bashkëpunuese të procesit dhe t’i japë “hartën” drejt ndryshimit. Ky është momenti që menaxherët e ndryshimit futin motivimin në “skenë”, si pjesa që vendos në statukuo procesin. Diskutimi me njerëzit, leximi i fjalëve të tyre të shprehura me zë apo gjeste, si dhe drejtimi i kontributeve të tyre për të ardhmen, si rrjedhojë e ndryshimit është mënyra e duhur për të bërë ndryshimin jetik dhe një qasje të re për shoqërinë dhe politikën. Menaxhimi i ndryshimit nuk mund të ndodhë pa ndryshimin e menaxherëve, pasi është e ngjashme me hyrjen në një garë të re me “motorin” ekzistues. Ndryshimi i menaxherëve do të diktojë edhe rezultatin apo efektivitetin e menaxhimit të ndryshimit. Menaxhimi i ndryshimit që po prezantohet me të madhe nga menaxherët e lartë të politikës, nëse nuk shoqërohet me ndryshimin e menaxherëve, do të jetë një tjetër produkt i reklamuar mirë nën logon “shumë zhurmë për asgjë”. Nëse menaxhimi i ndryshimit shoqërohet me ndryshimin e menaxherëve nuk do të kemi thjesht ndryshime të vogla, apo mbajtje nën kontroll të ndryshimeve, por pjesëmarrje të individëve (anonimus) në ndryshim, duke u bërë ata ndryshimi i menaxhimit. Kjo do të thotë një ndryshim i bërë nga individët, me njerëzit, për njerëzit. Megjithatë, pavarësisht se kur do të ndodhë ndryshimi i menaxhimit, dita e fillimit të tij nuk është shumë larg dhe kjo do të jetë ndodhia e madhe për vendin.

Autor te 25 Maj 2012. Opinion. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry