Ndryshe Mihal Luarasi: Pse nuk u vunë në skenë dramat që Fadil...

Mihal Luarasi: Pse nuk u vunë në skenë dramat që Fadil Paçrami shkroi në burg

1367
SHPËRNDAJE

Përveç atyre dramave që u vunë në skenë në kohën e komunizmit, Paçrami ka lënë mbi 50 drama në dorëshkrim. Pjesën më të madhe i shkroi në burg, teksa vuante dënimin për shfaqje liberaliste. Vetëm 4 a 5 i shkroi pas 90-s. I biri, Agimi, ka botuar disa prej tyre, por edhe këto të pavëna në skenë

Personazh i njohur para viteve ’90, Fadil Paçrami zgjodhi të jetojë në heshtje vitet që i kishin mbetur. Këtë vit do të kishte mbushur 90 vjeç. Ndonëse në fillim familjarët kishin menduar që këtë përvjetor ta kujtonin përmes krijimtarisë së tij, dramave të shumta që shkroi, në fund vendosën që gjithçka të mbetej modeste. E tillë qe edhe përcjellja e tij në vitin 2008. Përveç atyre dramave që u vunë në skenë në kohën e komunizmit, Paçrami ka lënë mbi 50 drama në dorëshkrim. Pjesën më të madhe i shkroi në burg, teksa vuante dënimin për shfaqje liberaliste. Vetëm 4 a 5 i shkroi pas 90-s. I biri, Agimi, ka botuar disa prej tyre, por edhe këto të pavëna në skenë. Regjisori Mihal Luarasi, i cili e ka njohur nga afër Paçramin kur punuan për vënien në skenë të dramës “Çështja e inxhinier Saimirit”, shprehet se fati i dramave të Paçramit është edhe ai i dramaturgëve të tjerë shqiptarë, të cilët u shpërfillën pas viteve ’90 nga etja për dramat e huaja të ndaluara. Sipas tij, është koha që të ketë një proces vlerësimi.

Si e kujtoni ju Fadil Paçramin?

Unë e kujtoj si të gjithë njerëzit e artit e veçanërisht të teatrit për shkak të atyre që pësoi dhe faktit që u kthye në simbol të liberalizmit në vitet ‘70-’80. E kujtoj si një dramaturg, si njeri përparimtar brenda ideologjisë së atëhershme, si njeri që e donte teatrin dhe artin dhe bëri mjaft në atë kohë për teatrin dhe për dramaturgjinë shqiptare.

Ju keni bashkëpunuar me të para viteve ’90. A reflektonin dramat e tij atë prirje liberaliste për të cilën u burgos?

Unë e ndaj në tre grupe dramaturgjinë e Fadil Paçramit. Të parat janë dramat mirëfilli të realizmit socialist, të cilat në pikëpamje dramaturgjike, edhe brenda asaj ideologjie që përfaqësonte atëherë, ishin vepra të mira. Kujtoj kryesisht “Ngjarje në fabrikë” dhe “Shtëpia në bulevard”. Ky ishte grupi i dramave i vënë në skenë nga Kujtim Spahivogli. Grupi i dytë ishin dramat e shkruara në atë kohë, por që dilnin jashtë kanoneve të partisë dhe realizmit socialist. Të tilla ishin pak, por kujtoj “Çështja e inxhinier Saimirit” që e vura unë në skenë në teatrin e Durrësit dhe “Nuk kam mall për vjetërsirat”, e botuar në revistën “Nëndori”, por e paluajtur në skenë. Në këto dy drama u kuptua se cila ishte mendësia e vërtetë e Fadil Paçramit, të cilën iu desh ta kamuflonte e ta fshihte. Ishte pikërisht periudha dymujore e punës për vënien e kësaj drame që më bëri ta njihja më mirë Paçramin. Unë isha në fazën time të fundit në teatrin e Korçës dhe me kërkesë të tij, pranova që ta vija në skenë “Çështja e inxhinier Saimirit”. Gjatë kësaj kohe e kuptova që Fadili kishte dalë jashtë kanoneve të realizmit socialist dhe parimeve të Partisë. Partia mendonte se edhe kur ka probleme “brenda nesh”, siç thuhej në atë kohë, këto nuk mund të jenë probleme që kthehen në konflikt antagonist. Mirëpo, inxhinier Saimirin e hedhin në gjyq për një gabim tekniko-artistik. Kjo nënkuptonte dënimin e krijimtarisë artistike. Ky ishte një guxim i madh nga ana e Fadilit. Shfaqja u prit me shumë sukses për aq sa u shfaq, sepse filloi të goditej dhe u ndalua. Arritëm ta shfaqnim njëherë edhe në Tiranë dhe kujtoj se pas shfaqjes, u bë një debat me studentët e Gjuhë-Letërsisë, të cilët dhanë mendimet e tyre si pro ashtu edhe kundër. Kjo ishte një tentativë hapjeje për të kuptuar dhe hulumtuar se deri ku shkonin të rinjtë, a dinin të gjykonin me kokën e tyre. Fadili e vlerësoi shumë këtë takim në bisedat që bëmë më pas. Grupi i tretë janë dramat që Fadili ka shkruar në burg, rreth 53 të tilla. Nuk kam arritur t’i lexoj të gjitha, por disa po. Në fund të 90-s unë ika në Hungari për arsye shëndetësore dhe qëndrova atje. Fadili më dërgoi disa drama që i kishte shkruar në burg, por edhe nga ato që nisi të shkruante pas ‘90-s. Ishte i pasionuar pas dramaturgjisë dhe punonte më orë të gjata. Këto drama nuk e kanë parë dritën e skenës. Pas ndërrimit të sistemit, ishte një fazë shumë e keqe për dramaturgjinë shqiptare. Drejtorët e teatrove dhe regjisorët, sapo u hap drita jeshile, u vërsulën pas asaj pjese të dramaturgjisë së huaj që nuk lejohej në kohën e diktaturës dhe u la pas dore krejtësisht dramaturgjia vendase. Prandaj veprat e Fadilit nuk patën fatin në atë kohë të vihen në skenë. Kur u ktheva përfundimisht në Tiranë në vitin 2001, takoheshim me Fadilin te kafe “Europa”, por gjendja e tij shëndetësore nuk ishte shumë mirë. E kishte merak se çfarë mund të vihej në skenë. Disa herë unë tentova për ndonjë dramë të tijën, por ishte e pamundur.

Duke qenë se Paçrami ka qenë edhe një personazh politik i kohës së diktaturës, ka ndikuar kjo e shkuar në fatin e veprave të tij pas ‘90-s?

Nuk besoj. Faza e fundit e Fadil Paçramit si politikan dhe sidomos përfundimi i tij në burg, ishin të mjaftueshme për t’i bërë hesapet me të shkuarën edhe nëse do të kishte pasur ndonjë gjë. Ne i kemi të gjallë politikanët e tjerë të asaj kohe, disa ende në pushtet e nuk kanë pësuar asgjë. Ai ishte kritik ndaj asaj kohe, pavarësisht se punoi për të, por punonte ndryshe. Unë nuk harroj një fazë të punës së tij në politikë, kur ishte sekretar i dytë në Komitetin e Partisë së Tiranës. Donte ta modernizonte Tiranës, të bënte diçka që të merrte një pamje më të qytetëruar dhe filloi të bënte reklama tregtare, vinte tabela, tituj me drita. Filloi të komunikojë me këtë formë të quajtur kapitaliste. Tentoi të bënte, por derisa ishte e mundur se pastaj i ranë kokës. Po të lexosh materialet e Plenumit IV, si Todi Lubonja dhe Fadil Paçrami u dënuan për liberalizëm. Sigurisht, në akuzat e Enver Hoxhës kishte ekzagjerime, por në të vërtetë ata ishin liberalë. Brenda parimeve të përgjithshme të komunizmit ata donin të kishin një frymëmarrje tjetër dhe për këtë arsye nuk mund të ndëshkohen. Ndaj nuk e besoj që të jetë e shkuara e tij shkak për mosvënien në skenë të dramave pas ‘90-s.

A është i nevojshëm një proces njohjeje i këtyre dramave?

Mendoj se në shumësinë e dramave të Fadil Paçramit ka pjesë të mira të krijimtarisë së tij. Ky proces duhet të ndodhë jo vetëm për Fadilin, por edhe për dramaturgë të tjerë që janë lënë pas dore në ato vite. Janë disa faza të dramaturgjisë shqiptare, që nga nisja e saj në pjesën e tretë të shek 19, që nuk janë shqyrtuar fare. Në librin tim “Teatri Kombëtar në udhëkryq” unë i përmend këto drama dhe fazat që kanë mbetur në heshtje. Siç duket, me këto mendje që kanë drejtuesit e teatrove tona, do të mbesin sërish në heshtje. Ne kemi një të shkuar të shkruar të dramaturgjisë sonë, por jo një historik skene. Unë di që djali i Fadil Paçramit, Agimi, ka botuar disa drama të tij vitet e fundit. I mbetet familjes të bëjë një përpjekje për botimin e tyre, ndoshta shoqëruar edhe me një redaktim të specialistëve. O. Lila