Deputeti i Partisë Socialiste ka renditur shkeljet e bëra sipas tij nga qeverisja Berisha në këto vite, që kanë penalizuar Shqipërinë në liritë dhe të drejtat e njeriut
Në një konferencë për shtyp, deputeti i PS-së, Ditmir Bushati ka reaguar në emër të Partisë Socialiste pas publikimit të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit mbi të drejtat e njeriut në Shqipëri. Bushati në fjalën e tij theksoi se, ky raport konfirmoi shqetësimet e ngritura më parë nga Partia Socialiste dhe opozita në tërësi në lidhje me gjendjen e demokracisë dhe të drejtat e njeriut në Shqipëri.
Sipas Bushatit, DASH në raportin për Shqipërinë theksoi se në vendin tonë nuk funksionin siç duhet demokracia dhe se në këta 7 vjet të qeverisjes së Berishës është “minuar e drejta më themelore për të pasur sistem demokratik, e drejta e votës”
“Është Sali Berisha që mban përgjegjësi për faktin që korrupsioni mbetet një problem shumë serioz, që politizimi i emërimeve në Gjykatën e Lartë dhe në atë Kushtetuese vijon të kërcënojë pavarësinë, besueshmërinë dhe integritetin e sistemit të drejtësisë, që zyrtarët e policisë vendosin lidhjet kriminale dhe politike mbi sundimin e ligjit. Dhe padyshim që është po Sali Berisha arsyeja përse Shqipëria merr një notë jo kaluese kur vjen puna tek liria e shprehjes dhe e medias, si pasojë e shantazheve, kërcënimeve, dhunës mafioze të ushtruar ndaj gazetarëve veçanërisht gjatë dhe pas protestës së 21 janarit dhe moshetimin e gjykimin e individëve që kanë ushtruar dhunë e presion ndaj tyre. Gjetjet e këtij raporti konfirmojnë shqetësimet e ngritura në vijimësi nga Partia Socialiste dhe opozita në tërësi në lidhje me gjendjen e demokracisë dhe të drejtat e njeriut në Shqipëri”, – shtoi më tej Bushati.
Sipas Bushatit, Partia Socialiste është e angazhuar për heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë dhe ky do të jetë vetëm hapi i parë i saj për të luftuar korrupsionin në vend.
“Partia Socialiste angazhohet për të rikthyer besimin e qytetarëve tek institucioni i votës së lirë e të ndershme dhe sundimi i së drejtës. Angazhimi ynë për të kufizuar apo hequr imunitetin e zyrtarëve të lartë në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare do të jetë veç hapi i parë në luftën kundër korrupsionit dhe çrrënjosjes së kulturës së pandëshkueshmërisë”, – shtoi Bushati.
25 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)