Zbardhet raporti i plotë i Departamentit të Shtetit

RAPORTI I DEPARTAMENTIT MBI TË DREJTAT E NJERIUT PER VITIN 2011

SHQIPËRIA  PËRMBLEDHJE E PËRGJITHSHME

Republika e Shqipërisë është demokraci parlamentare. Kushtetuta ia njeh autoritetin legjislativ Kuvendit Popullor të përbërë nga një dhomë, i cili zgjedh si kryeministrin ashtu edhe presidentin. Kryeministri kryeson qeverinë, ndërsa presidenti ka pushtet të kufizuar ekzekutiv. Më 8 maj vendi zhvilloi zgjedhje vendore, të cilat Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë (OSBE) i përshkroi si zgjedhje konkuruese e transparente por tejet të polarizuara si rezultat i mungesës së besimit mes partive politike në qeveri dhe në opozitë. Forcat e sigurisë u raportuan autoriteteve civile.

Korrupsioni në të gjithë degët e qeverisë e në veçanti brenda sistemit të gjykatës vazhdoi të ishte problem serioz. Mjedisi tejet i polarizuar zgjedhor, karakterizuar nga incidente mashtrimi dhe numërimi të diskutueshëm votash, minoi të drejtën e shtetasve për të ndryshuar qeverinë e tyre në mënyrë të lirë. Probleme të tjera të mëdha ishin rrahjet nga policia dhe keqtrajtime të tjera të të dyshuarve gjatë ndalimit dhe marrjes në pyetje, në disa rase për të marrë dëshmi.

Në lidhje me të drejtat e njeriut, përbënë problem disa raste keqtrajtimi fizik në qendrat e paraburgimit të policisë, dhuna në familje dhe diskriminimi ndaj grave, abuzimi me fëmijët dhe diskriminimi mbi baza statusi të pakicës etnike dhe orientimi seksual e identiteti gjinor. Vazhduan të raportohen raste të trafikimit të personave.

Qeveria nuk ndërmori në të gjitha rastet masa për të ndjekur penalisht zyrtarët që kryen abuzimet. Shumë zyrtarë qeveritarë kishin imunitet ndaj ndjekjes penale dhe ata me interesa të fuqishme biznesi shpesh mundën t’i shmangen ndjekjes penale. U dënuan për abuzime korruptive disa zyrtarë të niveleve të ulëta, por vazhdoi pandëshkueshmëria e abuzimeve fizike të policisë.

Seksioni 1. Respektimi i integritetit të personit, përfshirë lirinë nga:

a. Privimi i jetës në mënyrë arbitrare apo të paligjshme

Gjatë këtij viti pati një incident në të cilin forcat qeveritare të sigurisë u morën jetën katër personave. Më 21 janar, gjatë një demonstrimi të dhunshëm nga opozita përpara Kryeministrisë, Garda e Republikës qëlloi ndaj protestuesve. Katër protestues u vranë gjatë demonstratës. Prokurorja e Përgjithshme nisi hetimet për këto vrasje. Hetimet përparuan ngadalë. Deri në fund të vitit nuk kishte as anëtarë të Gardës së Republikës e as zyrtarë qeveritarë të akuzuar në lidhje me rolet e tyre në vrasjet me armë zjarri.

Më 25 janar, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës (KiE) aprovoi një rezolutë ku u bënte thirrje komunitetit ndërkombëtar edhe qeverisë bashkë me autoritetet në Serbi dhe Kosovë për të “ndërmarrë masa” në përgjigje të akuzave të raportuesit të KiE-së Dick Marty se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) dhe bashkëpunëtorë të saj morën pjesë në ndalimin në Shqipëri të shtetasve civilë  nga Kosova si “të burgosur lufte”, persona të cilët mbaheshin në kushte çnjerëzore dhe që më pas besohej të ishin vrarë në periudhën korrik 1999 deri në mesin e vitit 2000. Një pjesë e personave të vrarë supozohet se janë mbajtur në vendndodhje të përkohshme në Bicaq, Burrel, Rripe dhe Fushë-Krujë dhe se u janë hequr organet në kohën e vrasjes dhe se organet e tyre u trafikuan jashtë Shqipërisë për përdorime mjekësore.

Njësia e Krimeve të Luftës së Misionit të BE-së për Ligjin në Kosovë (EULEX-i) mbajti një hetim të hapur në lidhje me akuzat e Martit. Në datën 11 nëntor kryehetuesi Clint Williamson u takua me zyrtarë shqiptarë për të përgatitjet paraprake për hetimin e planifikuar tre vjeçar. Qeveria shprehu publikisht vullnetin për të bashkëpunuar me hetimet në lidhje me akuzat për krime. Hetimi ishte në vazhdim në fund të vitit.

Gjatë vitit pati raporte të vazhdueshme për vrasje në shoqëri, përfshirë si “gjakmarrjen” e tarshëguar në breza, ashtu edhe vrasjet për hakmarrje. Vrasje të tilla disa herë përfshinin banda kriminale. Sipas Ministrisë së Brendshme, pati pesë vrasje për gjakmarrje gjatë vitit. Rastet e gjakmarrjes gjykohen nga gjykatat e rrethit. Ligji e ndëshkon vrasjen me paramendim kur kryhet për hakmarrje apo si gjakmarrje me 20 vite heqje lirie ose burgim të përjetshëm.

b. Zhdukja  

Nuk pati raportime për zhdukje me motivacion politik.

c. Tortura dhe trajtime apo ndëshkime të tjera mizore, çnjerëzore dhe denigruesi

Kushtetuta dhe ligji i ndalojnë vepra të tilla; megjithatë, policia dhe rojet e burgut ndonjëherë rrahin dhe abuzojnë me të dyshuarit e të ndaluarit si edhe me personat në paraburgim.

Gjatë protestës së dhunshme politike nga opozita më 21 janar, gjatë së cilës Garda e Republikës qëlloi e vrau katër persona, protestuesit provokuan dhe sulmuan disa punonjës policie. Disa prej policëve u kundërpërgjigjën dhe rrahën rëndë protestuesit; dhjetëra policë dhe protestues u lënduan.

Nuk pati raportime për incidente përdhunimi apo abuzimesh të tjera seksuale gjatë arrestimit dhe ndalimit apo gjatë izolimit.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) dhe Grupi Shqiptar për të Drejtat e Njeriut (GSHDNJ) raportuan se policia disa herë ka përdorur forcë të tepërt apo trajtime çnjerëzore. Pjesa më e madhe e ankesave përfshijnë ndalime të pajustifikuara nga policia dhe kushte të papërshtatshme në qendrat e ndalimit. Sipas GSHDNJ policia më shpesh keqtrajtonte të dyshuarit gjatë arrestimit apo ndalimit fillestar. GSHDNJ raportoi se gjasat më të mëdha ishin që abuzimi të ndodhte në ndalimin përpara gjykimit, paraburgim, se sa në ambjentet e burgut. Romët, egjiptiano-ballkanasit dhe anëtarë të tjerë të komuniteteve të margjinalizuara, në veçanti transgjinorë, gej dhe lezbikë, ishin më të rrezikuar nga abuzimi i policisë.

Policia disa herë përdori kërcënime dhe dhunë për të marrë dëshmi.

Kushtet në Qendrat e Paraburgimit dhe në Burgje

Kushtet e burgjeve paraqitnin shumë ndryshime mes burgjeve të kohës së komunizmit dhe ato të hapura pas vitit 1991. Burgjet e kohës së komunizmit kishin pamjaftueshmëri në pastrim, ventilim, ndriçim, kujdes shëndetësor dhe mundësi përdorimi të ujit të pijshëm. Nuk kishte gjithmonë mundësi për kujdes mjeksor modern. Disa ndërtesa nuk kishin infrastrukturën e duhur dhe ishin të mbipopulluara. Kushtet e infrastrukturës në disa prej godinave të paraburgimit të policisë ishin shumë shqetësuese. Zyra e Avokatit të Popullit zbuloi se korrupsioni ishte problem serioz në qendrat e paraburgimit në vend. Burgjet e hapura pas vitit 1991 shpesh përmbushnin standardet ndërkombëtare.

Në fund të nëntorit kishte 4 779 të ndaluar në paraburgim në burgje dhe në qendrat e paraburgimit, përfshirë 94 të burgosura femra dhe 123 të mitur.

Nuk pati raportime që autoritetet të kenë mbajtur minorenët së bashku me të rriturit. Gratë dhe burrat u mbajtën në ambjente të ndara dhe të ndaluarit para gjykimit u mbajtën të ndarë nga personat e dënuar.

Të dënuarit me burgim dhe ata në paraburgim kanë të drejtë të takojnë të afërmit dhe këto takime mund të ndodhin deri në katër herë në muaj për të rriturit dhe deri në tetë herë për të miturit. Të dënuarit me burgim dhe ata në paraburgim janë të lirë të praktikojnë besimin e tyre fetar dhe disa ambjente kanë vende të veçanta për shërbime fetare. Të dënuarit me burgim dhe ata në paraburgim lejohen të paraqesin ankesa te Avokati i Popullit. Çdo institut penal ka kuti postare ku të dënuarit me burgim dhe ata në paraburgim kanë të drejtë të hedhin ankesa pa u censuruar. Avokati i Popullit raportoi se ky shërbim ishte funksional. Pozicioni i Avokatit të Popullit mbeti bosh nga marsi i vitit 2010 deri në dhjetor të vitit 2011, duke penguar tej mase mundësinë e institucionit të Avokatit të Popullit për të kryer shumë prej detyrave të tij.

Të dënuarit me burgim dhe ata në paraburgim kanë gjithashtu të drejtë me ligj të paraqesin ankesa te autoritetet gjyqësore dhe administrative. Autoritetet hetuan akuza të besueshme për kushte çnjerëzore dhe dokumentuan rezultatet e këtyre hetimeve, megjithëse rezultatet nuk ishin gjithmonë të lehta për t’u parë nga publiku i gjerë.

 

Qeveria lejoi grupet vendase dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, median, Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq si edhe trupat ndërkombëtare si Komiteti i Këshillit të Europës për Parandalimin e Torturës që të monitoronin kushtet e burgjeve.

d. Arrestimi dhe ndalimi në mënyrë arbitrare

Ligji dhe kushtetuta ndalojnë arrestimin dhe ndalimin arbitrar; megjithatë, pati disa raportime se policia në disa raste ka arrestuar e ndaluar në mënyrë arbitrare.

Roli i Policisë dhe aparatit të sigurisë

Njësitë vendase të policisë i raportojnë Ministrisë së Brendshme dhe janë forca kryesore që mban përgjegjësi për sigurinë e brendshme. Garda e Republikës mbron zyrtarë të lartë të shtetit dhe banesat e tyre. Forcat e armatosura kanë kryesisht përgjegjësinë e mbrojtjes së pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit, me disa detyra të tjera për të ndihmuar popullin në kohë paqeje, krize apo lufte. Shërbimi Informativ Shtetëror mbledh informacione dhe kryen aktivitete zbulimi dhe kundërzbulimi me qëllim mbrojtjen e integritetit të shtetit, pavarësisë dhe rendit kushtetues.

Autoritetet civile kishin kontroll efikas mbi policinë, Gardën e Republikës, forcat e armatosura dhe shërbimet informative. Qeveria ka mekanizma për të hetuar dhe dënuar abuzimin dhe korrupsionin, por ka pasur raportime abuzimi dhe korrupsioni të pandëshkuar brenda agjensive shtetërore të sigurisë. Në disa raste pandëshkueshmëria e policisë përbënte problem serioz. Pavarësisht përmirësimeve në trajnimin dhe menaxhimin e zbatimit të ligjit, policia nuk ka respektuar në vazhdimësi të drejtat e shtetasve dhe nuk ka qenë tërësisht e përgjegjshme për rendin. Forcat e policisë morrën pjesë në trajnime ndërkombëtare mbi të drejtat e të ndaluarve. U vendosën mjete vizive, si postera, që përshkruanin të drejtat e të ndaluarve dhe përgjegjësitë e policisë në disa rajone policie dhe ambjente paraburgimi. Policia vuri në përdorim një bazë të re të dhënash si mjet gjurmimi që përmirësoi përgjegjësinë për të ndaluarit.

Punonjësit e policisë nuk e kanë zbatuar ligjin në mënyrë të barabartë, dhe shpesh lidhjet politike dhe kriminale të personit ndikonin në zbatimin e ligjit. Pagat e ulëta nxisnin korrupsionin e vazhdueshëm dhe sjelljen joprofesionale, të cilat ishin pengesa për zhvillimin e një force policie efikase.

Gjatë vitit zyra e Avokatit të Popullit përpunoi ankesa kundër punonjësve të policisë, kryesisht mbi probleme me arrestimin dhe ndalimin. Kjo zyrë mori dhe hetoi 2 029 ankesa gjatë vitit.

Procedurat e arrestimit dhe trajtimi gjatë paraburgimit

Kushtetuta kërkon nga një gjyqtar apo prokuror të lëshojë urdhër arresti për të dyshuarin bazuar në prova të mjaftueshme. Nuk ka pasur raportime në lidhje me arrestime të fshehta. Prokurori mund ta lirojë të dyshuarin apo t’i bëjë kërkesë gjykatës brenda 48 orëve për ta mbajtur më gjatë të dyshuarin. Gjykata duhet të marrë vendimin brenda 48 orësh nëse do ta vendosë të dyshuarin në paraburgim, ta lirojë kundrejt garancisë monetare, t’i ndalojë udhëtimet apo t’i kërkojë të akuzuarit të paraqitet rregullisht në polici. Në praktikë prokurorët kërkuan dhe gjykatat rregullisht urdhëruan paraburgim në shumë raste kriminale. Megjithatë, shpesh gjykatat hidhnin poshtë kërkesat e prokurorëve për paraburgim për të akuzuar me lidhje të forta apo të profilit të lartë. Kushtetuta u kërkon autoriteteve që të informojnë menjëherë personat e ndaluar në lidhje me akuzat kundër tyre dhe t’u bëjnë të ditur të drejtat e tyre. Disa herë policia nuk e ka bërë këtë. Sipas ligjit policia duhet të informojë menjëherë prokurorin për arrestimin. Nuk ka sistem efikas për trajtimin e aspektit financiar të garancisë monetare. Në vend të kësaj, gjykatat shpesh urdhërojnë të dyshuarit të paraqiten në polici apo në prokurori çdo javë. Gjykatat duhet të sigurojnë shërbim avokatie falas për të akuzuarit me të ardhura të pamjaftueshme. Kjo e drejtë u respektua në praktikë dhe të akuzuarit në përgjithësi u informuan në lidhje me të drejtat e tyre.

Shumë të dyshuar lejohen në arrest shtëpie, shpesh me kërkesë të tyre sepse u llogaritet si vuajtje dënimi nëse dënohen. Arresti i shtëpisë nuk monitorohet siç duhet dhe të dyshuarit mund të lëvizin lirshëm jashtë shtëpisë pa u kapur nga autoritetet.

Arrestimi arbitrar: Ndalimet arbitrare apo arrestimet e gabuara kanë ndodhur rrallë.

Paraburgimi: Në fund të nëntorit pati 1 901 persona në qendrat e paraburgimit dhe 2 878 persona të dënuar në burgje. Kështu, të ndaluarit në paraburgim përbënin 39.7 përqind të popullatës së përgjithshme të burgjeve. Ligji kërkon përfundimin e shumicës së hetimeve përpara gjykimit brenda 3 muajsh; megjithatë, prokurori mund ta shtyjë këtë kohë në dy vjet apo më gjatë. Ligji parashikon që ndalimi më i gjatë në paraburgim të mos i kalojë tre vite. Nuk ka pasur raportime që autoritetet ta kenë kaluar këtë kufi gjatë vitit. Megjithatë, pati ndalime të zgjatura përpara gjykimit shpesh për shkak të hetimeve të vonuara, gabimeve në mbrojtje apo mosparaqitjes së qëllimshme të avokatit mbrojtës. Sipas ligjit, gjykatësi nuk mund ta akuzojë avokatin për mospërfillje të gjykatës që të mund të parandalojë veprime të tilla që shkaktojnë vonesa nga avokatët mbrojtës.

Burimet e kufizuara materiale, mungesa e hapësirës, keqmenaxhimi i kalendarit të gjykatës, stafi i pamjaftueshëm dhe mosparaqitja e avokatit mbrojtës dhe dëshmitarëve e penguan sistemin e gjykatës të gjykonte në kohë çështjet.

e. Mohimi i gjykimit të drejtë publik 

Kushtetuta parashikon sistem gjyqësor të pavarur; megjithatë, trysnia politike, kërcënimet, korrupsioni i përhapur dhe burimet e kufizuara disa herë penguan gjyqësorin që të vepronte në mënyrë të pavarur e efikase. Gjithashtu, seancat dëgjimore të gjykatës janë të mbyllura për publikun.  Punonjësit e sigurisë në gjykatë shpesh nuk lejojnë hyrjet në seancë dëgjimore dhe telefonojnë gjykatësin e çështjes për të pyetur nëse personi që kërkon të hyjë mund të lejohet të ndjekë seancën dëgjimore. Disa agjenci rregullisht shpërfillin urdhërat e gjykatës. Politizimi i emërimeve në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese kërcënonte të minonte pavarësinë dhe integritetin e këtyre gjykatave. Më 9 shtator një bombë me komandim në distancë i mori jetën në Vlorë gjykatësit të këtij rrethi Skerdilajd Konomi. Në fund të vitit hetimi mbi vdekjen e tij vijonte ende.

Procedurat e gjykimit

Ligji parashikon se pala e akuzuar prezumohet e pafajshme deri sa të jepet vendimi. Sistemi i gjykatave nuk siguron gjykime me juri. Të akuzuarit kanë të drejtën të këshillohet me avokat dhe të përfitojnë avokat të paguar nga shteti nëse nuk e përballojnë dot këtë shpenzim. Të akuzuarit kanë të drejtë të përballen me dëshmitarët kundër tyre si dhe të paraqesin dëshmitarë dhe fakte në mbrojtje të tyre. Të akuzuarit kanë të drejtën të apelojnë.

Të burgosurit dhe të ndaluarit politikë

Nuk pati raportime për të burgosur apo të ndaluar politikë.

Vendime të Gjykatës Rajonale të të Drejtave të Njeriut

Shtetasit mundën të apelonin në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut në lidhje me vendimet që përfshinin pretendime për dhunime të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut nga shteti, pasi të kishin shfrytëzuar gjithë mundësitë për apelim në sistemin gjyqësor në vend.

Procedurat gjyqësore dhe kompensimet civile

Personat dhe organizatat mund të kërkojnë kompensime civile për dhunime të të drejtave të njeriut; megjithatë, gjykatat ishin të rrezikuara nga korrupsioni, mungesa e efikasitetit, kërcënimet dhe ndërhyrjet politike. Shumë seanca dëgjimore u mbajtën në zyrat e gjykatësve, gjë që çonte në mungesë profesionalizmi dhe mundësi për korrupsion. Këta faktorë ulnin autoritetin e gjyqësorit, çonin në vendime gjyqësore të diskutueshme dhe zbatim të jo të njëtrajtshëm të kodit të procedurës civile.

Kthimi i pronës

Mbetën të pazgjidhura një sërë pretendimesh kontradiktore për prona private e fetare të konfiskuara gjatë kohës së komunizmit. Nga një studim i Parlamentit Europian i vitit 2010 rezultoi se mungesa në burime njerëzore, ndryshime të shpeshta të stafit të Agjensisë së Kthimit të Pronës, moszbatimi i legjislacionit ekzistues dhe akuzat për korrupsion pengonin përpjekjet për t’iu kthyer pronën pronarëve të ligjshëm.

f. Ndërhyrja arbitrare në privaci, familje, shtëpi ose korrespondencë

Kushtetua dhe ligji i ndalojnë veprime të tilla dhe qeveria në përgjithësi i respektoi këto ndalime në praktikë.

Seksioni 2. Respektimi i të drejtave të njeriut, përfshirë:

a. Liria e fjalës dhe e shtypit

Situata e lirisë së fjalës dhe të shtypit

Kushtetuta siguron lirinë e fjalës dhe të shtypit dhe në përgjithësi qeveria i respektoi këto të drejta në praktikë; megjithatë, pati raportime se qeveria dhe bizneset kanë ndikuar dhe ushtruar trysni në media.

Liria e fjalës: Në përgjithësi personat mund të kritikonin qeverinë publikisht ose privatisht pa u ndëshkuar, megjithëse pati disa përjashtime. Pati raportime se disa punonjës të administratës publike janë detyruar të ndjekin tubimet e qeverisë gjatë fushatës elektorale. Media e pavarur ishte aktive dhe në masë të gjerë e pakufizuar, megjithëse pati raste presioni politik të drejtpërdrejte e jo të drejtpërdrejtë mbi median, përfshirë kërcënime kundër gazetarëve. Disa herë presioni politik dhe mungesa e fondeve kufizoi median e shkruar të pavarur dhe gazetarët raportuan se praktikonin vetëcensurim. Partitë politike, sindikatat dhe grupe të tjera botonin gazeta ose revista të pavarura nga ndikimi i qeverisë.

Qeveria pati në kontroll linjën editoriale të Radio Televizonit Shqiptar, i cili drejtonte një kanal televiziv kombëtar dhe stacion kombëtar radioje, dhe i cili, sipas ligjit, merr 50% të buxhetit nga qeveria. Ndërsa stacionet private përgjithësisht funksionuan të lirë nga ndikimi i qeverisë, shumica e drejtuesve besonin se përmbajtja e emisioneve të tyre mund të ndikonte veprimet e qeverisë në drejtim të bizneseve të tyre të tjera. Pronarët e bizneseve gjithashtu përdornin lirshëm grupet e tyre mediatike për të përfituar favore dhe për të reklamuar interesat e tyre me të dyja partitë kryesore.

Dhuna dhe ngacmimi: Pati incidente dhune kundër anëtarëve të medias vizive gjatë vitit dhe gazetarët ishin objekt trysnie nga aktorë politikë dhe biznese. Më 21 janar efektiva të policisë rrahën gazetarin Ened Janina, redaktor i politikës në gazetën e përditshme Shekulli ndërsa ishte duke ndjekur një demonstratë politike në Tiranë. Sipas Janinës, një prokuror nisi hetimin dhe mori dëshminë e Janinës pak pas protestës por ky i fundit nuk u thirr më të dëshmonte. Po të njëjtën ditë reporteri Fatos Mahmutaj u plagos nga një plumb që vrau një burrë tek qëndronte në podiumin e e ngritur për kamerat e televizioneve. Mahmutaj pohoi në disa shfaqje televizive se plumbi që plagosi atë e vrau një burrë tjetër erdhi nga ushtarë të Gardës së Republikës. Sipas raportimeve, Mahmutaj mori disa kërcënime me vdekje pas deklaratave të tij dhe u largua nga vendi disa ditë pas protestave. Në pranverë Mahmutajt iu dha azil politik në Belgjikë.

Reporteri Artan Hoxha shfaqi filmime nga protesta e 21 janarit, të cilat pretendohet se tregojnë si u vranë protestuesit. Hoxha pohoi se katër ditë pas këtyre filmimeve njerëz të panjohur i dhanë djalit të tij dhjetëvjeçar në shtëpi një zarf me tre fishekë brenda.

Nuk pati raportime për masa të veçanta nga qeveria për të ruajtur sigurinë e medias apo për të siguruar se personat që sulmuan gazetarët do të ndiqeshin penalisht.

Censura apo kufizimet e përmbajtjes: Gazetarët vazhdonin ankesat e tyre se botuesit dhe redaktorët censuronin punën e tyre në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo të drejtpërdrejtë si pasojë e presionit politik ose për përfitime biznesi. Shumë gazetarë u ankuan se mungesa e kontratave të punësimit shpesh pengonte aftësitë e tyre për të raportuar në mënyrë objektive dhe i shtynte të praktikonin vetëcensurim. Televizionet dhe botuesit u ankuan se qeveria shpërndante reklamat bazuar në raportimet favorizuese e jo mbi numrin e shikuesve apo lexuesve.

Ligji për shpifjen/Siguria kombëtare: Ligji e ndëshkon shpifjen me heqje lirie deri në dy vite dhe me gjobë. Në nëntor dy parlamentarë paditën për shpifje dy reporterë. Të dyja rastet ishin në vazhdim në fund të vitit.

Në vitin 2009 Mero Baze, botues gazete, u padit nga gjykatësja e Gjykatës së Apelit Zegjine Sollaku për shpifje. Gjykata e Rrethit Tiranë vendosi në favor të Bazes. Megjithatë, Baze deklaroi se në shtator të vitit 2010 Gjykata e Apelit, pa e njoftuar Bazen apo avokatin e tij, vendosi se ai duhet t’i paguante Sollakut 10 milionë lekë (91.500 dollarë) për dëme morale dhe kompania e gazetës së Bazes duhet t’i paguante Sollakut 5 milionë lekë (45.750 dollarë). Baze e apeloi vendimin në Gjykatën e Lartë, e cila, sipas raportimeve, nuk e njoftoi Bazen për vendimin për të lënë në fuqi vendimin e gjykatës më të ulët përpara se të nisnin procedurat e vjeljes së gjobës.

Liria e internetit

Nuk pati kufizime nga qeveria në lidhje me përdorimin e internetit apo raportime që qeveria të ketë monitoruar llogaritë e postës elektronike apo dhomat e grupet e bisedave në internet. Personat dhe grupet mund të përfshiheshin në shprehje të lirë të pikëpamjeve në internet, duke përdorur edhe llogaritë e postës elektronike.

Liria akademike dhe ngjarjet kulturore

Nuk pati kufizime nga qeveria mbi lirinë akademike apo ngjarjet kulturore.

b. Liria e grumbullimit paqësor dhe formimi i shoqatave

Kushtetuta dhe ligji garantojnë lirinë për grumbullim paqësor dhe në shoqata dhe në përgjithësi qeveria i respektoi këto të drejta në praktikë.

c. Liria e fesë

Shikoni Raportin Ndërkombëtar për Lirinë e Fesë në faqen e internetit www.state.gov/j/drl/irf/rpt.

d. Liria e lëvizjes, personat e zhvendosur në vend, mbrojtja e refugjatëve dhe personat pa shtetësi

Kushtetuta dhe ligji garantojnë lirinë e lëvizjes në vend, udhëtimin jashtë shtetit, emigracionin dhe riatdhesimin dhe qeveria përgjithësisht i respektoi këto të drejta në praktikë. Qeveria bashkëpunoi me Zyrën e Komisionerit të Lartë për Refugjatët (UNHCR) dhe organizata të tjera humanitare për të ofruar mbrojtje dhe ndihmë për refugjatët, refugjatët e kthyer, azilkërkuesit, personat pa shtetësi dhe persona të tjerë që përbënin shqetësim.

Lëvizja brenda vendit: Migrantët brenda vendit duhet të transferojnë të dhënat civile në vendbanimin e ri që të mund të përfitojnë shërbime publike dhe duhet të provojnë se janë vendbanues të ligjshëm me anë të pronësisë së banesës, marrëveshjes së qerasë apo faturave të shërbimeve përditshme. Shumë persona nuk mundën të siguronin prova të tilla e si rezultat nuk përfituan mundësi për shërbimet bazë. Disa shtetas të tjerë nuk patën regjistrim formal në vendbanimet ku qëndronin, kryesisht romët dhe egjyptiano-ballkanasit. Ligji nuk e ndalon regjistrimin e tyre, por shpesh ishte e vështirë të realizohej kjo gjë në praktikë.

Mbrojtja e refugjatëve

Mundësia për azil: Ligji parashikon dhënien e azilit apo statusit refugjat dhe qeveria ka krijuar një sistem për sigurimin e mbrojtjes së refugjatëve. Sipas ligjit, nuk ka kufi kohor për kërkim azili por qeveria duhet të marrë vendimin për dhënien e azilit brenda 101 ditësh nga kërkesa fillestare. Në përgjithësi qeveria iu përmbajt kësaj kornize kohore. Qeveria bashkëpunoi në mënyrë aktive me UNHCR-në, e cila jepte ndihmë për refugjatët.

E drejta për mosdeportim: Në praktikë qeveria siguroi mbrojtje kundër dëbimit dhe kthimit të refugjatëve në vendet ku jetët apo liria e tyre kërcënoheshin mbi baza racore, besimi fetar, kombësie, anëtarësie në një grup të caktuar social ose mendimi politik.

Mbrojtja e përkohshme: Qeveria raportoi se nuk kishte refugjatë që kërkonin mbrojtje gjatë vitit.

Seksioni 3. Respektimi i të drejtave politike: e drejta e shtetasve për të ndryshuar qeverinë e tyre

Kushtetuta u jep shtetasve të drejtën të ndryshojnë qeverinë e tyre në mënyrë paqësore dhe shtetasit e ushtruan këtë të drejtë me anë të zgjedhjeve periodike bazuar mbi të drejtën universale të votës.

Zgjedhjet dhe pjesëmarrja në politikë

Zgjedhjet e fundit: Më 8 maj vendi pati zgjedhje kombëtare për kryetarë bashkie dhe këshilla bashkiakë, të cilat misioni i vëzhgimit të zgjedhjeve i OSCE/ODHIR-it i cilësoi si “konkuruese dhe transparente” por “tejet të polarizuara, me mungesë besimi mes partive politike në qeveri dhe në opozitë.” Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të përmbysur rezultatet e para në garën për kryetar bashkie në Tiranë u konsiderua i anshëm dhe minoi besimin në pavarësinë dhe paanshmërinë e tij.

Pjesëmarrja e grave dhe pakicave: Parashikohet me ligj që gratë të përbëjnë 30 përqind të të zgjedhurve në poste me emërim dhe me zgjedhje, dhe kodi zgjedhor garanton që 30 përqind e kandidatëve të jenë gra. Megjithatë, ky kod nuk u ndoq nga të gjitha partitë. U zgjodhën 23 gra në parlamentin me 140 vende në vitin 2009, rritje nga nëntë që ishin në parlamentin e mëparshëm. Ky numër përfshinte Kryetaren e Parlamentit dhe një grua në Këshillin e Ministrave.

Kërkesat për regjistrim dhe mungesa e identifikimit në popullsinë rome vështirësoi pjesëmarrjen e shumë prej tyre në zgjedhjet e 8 majit. Disa kandidatë romë u zgjodhën në këshillat lokale. Vëzhguesit ndërkombëtarë raportuan përpjekje për të ndikuar votuesit analfabetë romë. Nuk pati romë të zgjedhur në parlament, as në poste ministrash e zëvendës ministrash. Disa anëtarë të pakicave greke shërbyen në parlament dhe në pushtetin ekzekutiv në poste ministrash e zëvendës ministrash, përfshirë një ministër të punës.

Seksioni 4. Korrupsioni zyrtar dhe transparenca qeveritare

Ligji parashikon ndëshkime penale për korrupsionin zyrtar; megjithatë, qeveria nuk e zbatoi ligjin si duhet dhe shpesh zyrtarët përfshiheshin në praktika të korruptuara pa u ndëshkuar.

Korrupsioni në pushtetin ekzekutiv ishte shumë i përhapur. Sistemi arsimor mbeti i korruptuar dhe zyrtarët disa herë kërkonin rryshfete nga studentët për të marrë pjesë ose për të kaluar në provim. Mjekët dhe pjesëtarë të tjerë të personelit mjekësor shpesh kërkonin pagesa për të dhënë atë që duhet të ishte shërbim publik falas. Ashtu si në sektorët e tjerë, të akuzuarit që mbanin poste shpesh u shpallën të pafajshëm edhe përballë provave të dërrmuese. Ndërsa u ndoqën penalisht disa zyrtarë të niveleve ulëta apo të mesme dhe shpesh u dënuan për korrupsion, mbeti problematike ndjekja penale e zyrtarëve të lartë.

Qeveria ndoqi penalisht zyrtarë të korruptuar dhe trajtoi ankesa në lidhje me korrupsionin mes forcave të policisë nëpërmjet avokatit të popullit dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Policisë së Shtetit Shqiptar. Megjithatë, dispozita imuniteti të gjerë për gjykatësit, anëtarët e parlamentit dhe zyrtarë të tjerë të lartë ndalojnë jo vetëm ndjekjen penale por edhe çdo masë tjetër hetuese, duke penguar kështu aftësinë e qeverisë për të ndjekur penalisht korrupsionin në nivelet e larta.

Task forca e qeverisë kundër krimit të organizuar bashkërendoi aktivitetet kundër korrupsionit. Kryeministri drejtoi task forcën, e cila përfshinte disa ministra dhe drejtuesit e agjencive të pavarura shtetërore, si për shembull kompania shtetërore e energjisë, dhe përfaqësues të organizatave të policisë dhe të shërbimit informativ.

Njësitë e përbashkëta hetimore për të luftuar krimin ekonomik dhe korrupsionin, njësi të përbëra nga shumë agjenci, hetuan dhe ndoqën penalisht korrupsionin shtetëror e krime të tjera ekonomike. Këto njësi vazhduan të ngrinin çështje në shumë sektorë ku lulëzonte korrupsioni.

Ligji i ndalon ministrat dhe rrethin e tyre të ngushtë familjar të zotërojnë kompani që lidhen drejtpërdrejt me përgjegjësitë e tyre zyrtare. Që prej krijimit të tij në vitin 2003, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) ka marrë deklarimin e pasurive nga zyrtarët. Gjatë vitit ILDKP-ja dërgoi 16 raste në prokurori për hetime të mëtejshme dhe ndihmoi në zgjidhjen e 210 konflikteve mbi çështje interesi. Gjatë vitit 427 zyrtarë deklaruan pasurinë e tyre për herë të parë e ILDKP-ja gjobiti 117 persona për vonesën e dorëzimit dhe i gjobiti ata për konflikt interesi.

Ministria e Brendshme raportoi se gjatë vitit policia e shtetit hetoi 2 065 raste në lidhje me korrupsionin dhe krimin financiar dhe autoritetet arrestuan 266 persona. Gjykatat morën vendime për konfiskim pronash në pesë raste, që përbënin shumën 259.830.519 lekë ( 2.377.700 dollarë) dhe 11 raste për sekuestrim pronash që arrinin shumën 757.600.138 lekë (6.932.780 dollarë).

Korrupsioni në gjyqësor është i përhapur. Shumë gjykatës japin vendime që nuk duken të kenë baza ligjore apo të mbtështeten në fakte, gjë që i shtyn disa njerëz të bë besojnë se shpjegimi i vetëm bindës është korrupsioni ose trysnia politike. Imuniteti i gjerë që gëzojnë gjykatësit ndalon prokurorët të hetojnë akuza për korrupsion derisa ata të mund të bëjnë kërkesë publike pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë për të hequr imunitetin e gjykatësit të akuzuar, dhe të marrin miratimin e tij. Pak gjykatës janë ndjekur penalisht për korrupsion sepse shumica e hetimeve kriminale duhet të mbeten të fshehta, së paku në fillim, në mënyrë që të jenë të suksesshme.

Pavarësisht këtyre pengesave, së paku dy çështje korrupsioni ishin në pritje kundër gjykatësve, në të cilat qytetarë të thjeshtë kishin regjistruar veten duke i ofruar rryshfet gjykatësit, e më pas ia dorëzuan videon prokurorëve. Megjithatë, së fundmi, në një rast të ngjashëm që përfshinte videon e një prokurori që diskutonte rryshfetin, Gjykata e Apelit e hodhi poshtë dënimin, duke konkluduar se regjistrimi nuk mund të përdorej nëse nuk ishte i “autorizuar” nga zbatuesit e ligjit.

Ligji siguron akses publik në informacionin qeveritar, por procesi i bërjes publike të këtij informacioni shpesh ishte i paqartë dhe zyrtarët hezitonin të lëshonin informacion.

Ligji kërkon që zyrtarët publikë të japin çdo lloj informacioni dhe dokumenti zyrtar me përjashtim të dokumenteve të klasifikuar dhe sekreteve shtetërore. Qytetarët shpesh u përballën me probleme serioze në marrjen e informacioneve. Shumica e ministrive dhe agjencive qeveritare e publikonin informacionin publik direkt në faqen e tyre të internetit. Megjithatë, bizneset dhe shtetasit ankoheshin për mungesë transparence dhe mospublikim të rregulloreve dhe legjislacionit që duhet të ishin informacione minimal për publikun.

Seksioni 5. Qëndrimi i qeverisë në lidhje me hetimin ndërkombëtar e joqeveritar të akuzave për dhunim të të drejtave të njeriut

Përgjithësisht, një sërë grupesh vendase dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut kanë vepruar pa kufizime nga qeveria duke hetuar e publikuar zbulimet e tyre në lidhje me çështje të të drejtave të njeriut. Në përgjithësi zyrtarët qeveritarë bashkëvepronin dhe u përgjigjeshin pikëpamjeve të tyre.

Organizma qeveritare të të drejtave të njeriut: Avokati i Popullit është institucioni kryesor i të drejtave të njeriut për promovimin dhe zbatimin e të drejtave të njeriut. Avokati i Popullit ka fuqinë të monitorojë procedimet gjyqësore, të hetojë ambjentet e paraburgimit dhe burgjet dhe të ndërmarrë nisma për raste në të cilat viktima nuk ka vullnetin apo mundësinë për të dalë publikisht. Edhe pse Avokati i Popullit nuk e kishte fuqinë të zbatonte vendimet, ai veproi si monitorues për dhunimet e të drejtave të njeriut. Rastet më të zakonta përfshinin ankesa të shtetasve për abuzime me detyrën nga ana e policisë, mos zbatim të gjykimeve në raste civile, shkarkime të padrejta nga detyra dhe mosmarrëveshje tokash. Avokati i Popullit raporton në parlament çdo vit. Vendi bosh i postit të Avokatit të Popullit për thuajse gjatë gjithë vitit pengoi shumë prej aktiviteteve të këtij institucioni. Stafi mbështetës i institucionit të Avokatit të Popullit mundi të kryente disa prej funksioneve të Avokatit të Popullit gjatë vitit.

Parlamenti ka një komision për çështjet ligjore, administratën publike dhe të drejtat e njeriut. Megjithatë, ky komision ishte gjerësisht joefikas me problemet për të drejtat e njeriut dhe mbeti i kufizuar në punën e tij nga bojkoti i Partisë Socialiste që zgjati deri në shtator.

Seksioni 6. Diskriminimi, abuzimi nga shoqëria dhe trafikimi i personave

Ligji e ndalon diskriminimin mbi bazën e gjinisë, racës, ngjyrës, etnisë, gjuhës, identitetit gjinor, orientimit seksual, besimit politik, fetar apo filozofik, situatës ekonomike, arsimore apo sociale, shtatëzanësisë, prejardhjes familjare, përgjegjësisë prindërore, moshës, gjendjes familjare apo martesore, gjendjes civile, banimit, gjendjes shëndetësore, prirjeve gjenetike, paaftësisë apo lidhjes me ndonjë grup të caktuar. Nuk janë raportuar raste në gjykatë që të dëshmojnë zbatimin e këtij ligji që prej miratimit të tij në vitin 2010.

Gratë

Përdhunimi dhe dhuna në familje: Kodi i procedurës penale ndëshkon përdhunimin, përfshirë përdhunimin nga bashkëshorti/ja; megjithatë, viktimat rrallë raportonin përdhunim nga bashkëshorti dhe zyrtarët nuk kanë ndjekur penalisht përdhunim martesor në praktikë. Koncepti i përdhunimit nga bashkëshorti nuk është krijuar plotësisht e autoritetet dhe publiku nuk e konsideronin krim. Ligji vendos gjoba për përdhunim dhe sulm ndaj personit të cilat variojnë sipas moshës së viktimës. Për përdhunim të rrituri, dënimi me burg varion nga tre deri në 10 vite, për përdhunim adoleshenti nga mosha 14 deri 18 vjeç dënimi me burg është pesë deri në 15 vite dhe për përdhunim të mituri nën 14 vjeç dënimi është nga shtatë deri në 15 vite.

Dhuna në familje kundër grave, përfshirë abuzimin nga bashkëshorti, vazhdoi të ishte problem serioz. Gjatë vitit policia raportoi raste të dhunës në familje dhe qeveria vendosi akuza në disa raste. Departamenti i Shanseve të Barabarta në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta mbulon çështjet e grave, përfshirë dhunën në familje.

Qeveria hapi një strehë të re për viktimat e dhunës në familje në Tiranë në 24 prill, qendër e cila ndihmoi 10 gra dhe 25 fëmijë gjatë vitit; megjithatë, organizatat joqeveritare (OJQ) u ankuan se streha shtetërore nuk pranonte viktima pa vendim gjykate. OJQ-të kujdesen për 15 streha në Shqipëri, gjashtë në Tiranë dhe nëntë jashtë kryeqytetit. Policia raportoi se kishte marrë 2 349 ankesa me lidhje dhune në familje nëpërmjet numrit të tyre pa pagesë të urgjencës. Sipas shifrave të qeverisë, pati 2 181 raste dhune në familje të raportuara gjatë vitit, në krahasim me shifrën      1 744 në vitin 2010. Pati 1 779 raste që përfshinë viktima femra dhe 402 raste që përfshinë viktima meshkuj. Shpesh policia nuk kishte trajnimin apo kapacitetet për të zgjidhur rastet e dhunës në familje.

Ngacmimi seksual: Ligji e ndalon ngacmimin seksual; megjithatë, zyrtarët përgjegjës rrallë kanë zbatuar një ligj të tillë. Në shumë komunitete gratë kanë qenë objekt i diskriminimit social si pasojë e normave tradicionale të shoqërisë që i konsiderojnë gratë të varuara nga burrat.

Të drejtat riprodhuese: Çiftet dhe individët kanë të drejtën të marrin vendime të lira dhe të  përgjegjshme në lidhje me numrin e fëmijëve, diferencën e lindjeve dhe kohën e të pasurit fëmijë dhe kanë informacion dhe mjetet t’i  zbatojnë këto të drejta pa u diskriminuar, shtrënguar apo dhunuar. Shtetasit kanë mundësi për të siguruar kontraceptivë. Sipas ligjit, u sigurohet shëndet mjekësor të gjithë shtetasve; megjithatë, cilësia dhe mundësia e këtij kujdesi, përfshirë kujdesin obstetrik dhe atë pas lindjes, nuk kanë qëne të kënaqshme, në veçanti në zonat rurale. Kjo vinte kryesisht si rezultat i mungesës së burimeve si edhe qeverisjes së keqe lokale dhe problemeve me manaxhimin e burimeve në zonat rurale. Gratë u diagnostikuan e u trajtuan në mënyrë të barabartë për infeksione seksualisht të transmetueshme, përfshirë HIV-in.

Diskriminimi: Ligji siguron të drejta të barabarta për gratë dhe burrat nën ligjin e familjes dhe atë të pronësisë dhe në sistemin gjyqësor. Gratë nuk kanë qenë të përjashtuara nga ndonjë profesion as ligjërisht as në praktikë, por kanë qenë me pakicë në nivelet më të larta të fushave të tyre. Megjithëse ligji detyron pagesë të barabartë për punë të barabartë, qeveria dhe punëdhënësit nuk e kanë zbatuar plotësisht këtë dispozitë.

Fëmijët

Regjistrimi i lindjes: Nënshtetësia garantohet me lindje brenda territorit të vendit dhe/ose nga një prind. Në përgjithësi prindërit duhet të regjistrojnë lindjen e fëmijës së tyre në komunitetin ku janë të regjistruar brenda 60 ditësh nëse jetojnë brenda vendit ose 90 ditësh nëse jetojnë jashtë tij.

Sipas Qendrës për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri fëmijët e migrantëve brenda vendit apo të atyre që janë kthyer nga jashtë tij shpesh nuk kishin çertifikata lindjeje apo dokument tjetër ligjor dhe si pasojë nuk mund të shkonin në shkollë. Ky problem ekzistonte veçanërisht për familjet rome, ku martesat kryheshin në moshë të re dhe nuk i regjistronin lindjet e fëmijëve të tyre.

Arsimimi: Ligji garanton nëntë vite arsim falas dhe autorizon shkollat private. Frekuentimi i shkollës është i detyruar deri në klasën e nëntë ose deri në moshën 16 vjeç, cilado të arrihet më parë. Në realitet shumë fëmijë e braktisnin shkollën më herët se sa e lejonte ligji për të punuar për familjet e tyre, veçanërisht në zonat rurale. Prindërit duhet të blejnë pajisjet shkollore, librat, uniformat dhe ngrohësit për disa klasa, kosto tejet e lartë për shumë familje, veçanërisht rome apo të pakicave të tjera. Shumë familje gjithashtu u shprehën se këto kosto ishin një prej arsyeve për të mos i çuar vajzat në shkollë.

Abuzimi me fëmijët: Abuzimi me fëmijët, përfshirë abuzimin seksual, ka ndodhur megjithëse viktimat rrallë raportonin.

Martesa e fëmijëve: Mosha më e vogël kufi për martesë është 18 vjeç. Martesat nën moshë ndodhin rrallë, në zonat rurale. Sipas statistikave të UNICEF-it, 10 përqind e grave u martuan ose krijuan lidhje përpara moshës 18 vjeç. Disa OJQ kanë raportuar se ndodhin martesa fëmijësh në komunitete rurale si pjesë e skemave të trafikimit të qenieve njerëzore. Prindërit u japin leje vajzave të tyre të martohen me burra të huaj të cilët më pas i trafikojnë në vende te tjera.

Shfrytëzimi seksual i fëmijëve: Në disa raste fëmijët nën moshën 18 vjeç u përfshinë në prostitucion. Ndëshkimet për shfrytëzim seksual për arsye përfitimi të fëmijëve variojnë nga gjobat e deri në burgim për 15 vite. Vendi ka ligj për përdhunimin dhe mosha minimale e marrëdhënieve seksuale me pëlqim është 14 vjeç. Ndëshkimi për përdhunimin e fëmijës nën moshën 14 vjeç është dënim me heqje lirie nga pesë deri në 15 vite. Ligji ndalon krijimin dhe shpërndarjen e pornografisë me objekt fëmijët; ndëshkimet janë gjobë prej 1 milionë lekësh dhe dënim me heqje lirie nga një deri në pesë vite.

Fëmijët e zhvendosur: Fëmijët e zhvendosur dhe ata të rrugës vazhduan të ishin problem, veçanërisht fëmijët romë. Fëmijët e rrugës lypnin ose bënin punë të vogla; disa emigronin në vendet fqinje kryesisht gjatë verës. Këta fëmijë ishin më të rrezikuarit për trafikim dhe disa prej tyre bëheshin viktima trafikimi. Janë ndjekur penalisht shumë pak raste trafikimi fëmijësh.

Fëmijët në institucione përkudjesjeje: Pati raporte se jetimët që largoheshin nga kujdesi i shtetit në moshë të rritur përballeshin me sfida të mëdha për sigurimin e strehimit dhe shërbimeve të mjaftueshme.

Rrëmbimet ndërkombëtare të fëmijëve: Vendi është palë e Konventës së Hagës për Aspektet Civile të Rrëmbimit Ndërkombëtar të Fëmijëve. Për më shumë informacion shikoni Raportin e Departamentit të Shtetit mbi Pajtimin në adresën

http://travel.state.gov/abduction/resources/congressreport/congressreport_4308.html

Antisemitizmi

Sipas raportimeve vetëm disa qindra çifutë jetonin në vend. Nuk pati raporte për akte antisemitizmi.

Në shtator qeveria njohu judaizmin si besim fetar zyrtar.

Trafikimi i personave

Shikoni Raportin e Trafikimit të Personave të Departamentit të Shtetit në adresën

www.state.gov/j/tip.

Personat me aftësi të kufizuara

Kushtetuta dhe ligji ndalojnë diskriminimin ndaj personave me aftësi të kufizuara fizike, ndjesore, intelektuale dhe mendore në punësim, arsim, mundësi për kujdes mjeksor dhe dispozita të tjera shërbimesh publike. Megjithatë, punëdhënësit, shkollat, ofruesit e kujdesit mjeksor dhe shërbimeve të tjera publike disa herë diskriminonin persona të tillë. Ligji detyron ndërtimet e reja publike të ofrojnë lehtësi për personat me aftësi të kufizuara por qeveria ka zbatuar një ligj të tillë në mënyrë sporadike. Varfëria e gjerë, kushte pune jofavorizuese dhe kujdesi i papërshtatshëm mjeksor përbëjnë probleme të mëdha për shumë persona me aftësi të kufizuara.

Personat më aftësi të kufizuara nuk janë të kufizuar për pjesëmarrjen në çështjet qytetare. Megjithatë në praktikë kufizimet në burime dhe mungesa e infrastrukturës e vështirësojnë pjesëmarrjen e tyre të plotë në shumë aktivitete. Qeveria ka krijuar agjensi për shërbime sociale për mbrojtjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, por agjensitë shpesh nuk janë në gjendje të zbatojnë programet e tyre për shkak mungese fondesh.

Avokati i Popullit kryen inspektime të institucioneve të shëndetit mendor rregullisht. Pranimi dhe lirimi i pacientëve në institucionet e shëndetit mendor përbënte problem për shkak të mungesës së burimeve të mjaftueshme financiare për të siguruar vlerësime psikiatrike të kënaqshme.

Pakicat kombëtare/racore/etnike

Pati raportime diksriminimi të madh shoqëror ndaj anëtarëve të komuniteteve rome dhe egjyptiano-ballkanase. Disa shkolla nuk pranuan nxënës nga këto komunitete, në veçanti kur ata paraqiteshin të varfër. OJQ-të lokale raportuan se shumë shkolla që pranonin nxënës romë i marxhinalizonin ata në klasa, me raste edhe duke i lënë fizikisht të veçuar nga nxënësit e tjerë. Në shkurt dy persona i vunë zjarrin një banese rome në Tiranë, duke shkatërruar dhjetëra shtëpi e detyruar kështu të gjithë komunitetin të zhvendosej. Dy personat e pranuan krimin si pjesë e marrëveshjes për uljen e dënimit dhe përjashtuan viktimat rome nga kërkesa për zhdëmtim të pronës së shkatërruar. Në nëntor Gjykata e Rrethit Tiranë vendosi se zjarri nuk përbënte krim me bazë urrejtjeje sepse nuk përfshiu përdorimin e “fjalëve të shkruara”. Qeveria nuk u kishte dhënë viktimave zgjidhje të përhershme për banim deri në fund të vitit.

Ligji lejon status zyrtar pakice për grupet kombëtare dhe veçmas për grupet etnogjuhësore. Qeveria i përkufizoi grekët, maqedonasit dhe malazezët si grupe kombëtare, ku grekët përbënin grupin më të madh. Ligji i përkufizoi arumunët dhe romët si grupe pakicash etnogjuhësore.

Pakica etnike greke i paraqiti ankesa qeverisë në lidhje me zonat zgjedhore, arsimin në gjuhën greke, të drejtat e pronësisë dhe dokumente të qeverisë. Drejtuesit e pakicave cituan mungesën e vullnetit nga ana e qeverisë për të njohur qytetet etnike greke jashtë zonave komuniste të “zonave të pakicave”, për të përdorur greqishten në dokumente zyrtare dhe në sinjalistikën publike në zonat etnike greke, apo për të përfshirë një numër më të madh grekësh etnikë në administratën publike. Qeveria i përktheu materialet e zgjedhjeve në greqisht dhe maqedonisht për zgjedhjet e 8 majit.

Abuzimet e shoqërisë, diskriminimi dhe aktet e dhunës mbi baza orientimi seksual dhe identiteti gjinor

Ligji ndalon diksriminimin ndaj personave lezbikë, gej, biseksualë dhe trangjinorë (LGBT); megjithatë, nuk janë bërë pretendime diskriminimi dhe qeverisë nuk i është dhënë mundësia të zbatojë ligjin.

Pavarësisht ligjit dhe mbështetjes formale të Shqipërisë për të drejtat LGBT, ka qëndrime homofobie. Në dhjetor të vitit 2010 nënkryetari i Komisionit Parlamentar për Çështjet e Shoqërisë dhe Shëndetit pohoi gjatë një seance dëgjimorë se “homoseksualiteti duhet kuruar me trajtime hormonale dhe këshillime psikologjike”. Pas një thirrjeje nga grupet LGBT, komisioneri kundër diskriminimit i dërgoi një letër nënkryetarit më 30 shtator ku rekomandonte shmangjen e vërejtjeve diskriminuese dhe ku sqaronte se homoseksualiteti nuk ishte sëmundje. Organizatat LGBT raportuan diskriminim dhe heqje nga puna për shkak të orientimit seksual. U verifikuan raportime ngacmimi nga ana e policisë ndaj personave LGBT dhe sjellje të vrazhdtë nga polica ndaj punonjësve transgjinorë.

Disa OJQ ishin aktive në nxitjen e të drejtave LGBT në Shqipëri.

Të tjera lloje dhune dhe diskriminimi në shoqëri

Ligji e ndalon diksriminim ndaj personave më HIV/AIDS; megjithatë, ka pasur mungesë zbatimi në disa raste. Ka një ndjesi përbuzjeje me bazë turpi ndaj personave me HIV/AIDS megjithëse pati raportime dhune kundër personave të tillë gjatë vitit.

Seksioni 7. Të drejtat e punëtorëve

a. Liria për grumbullim dhe e drejta për të negociuar kolektivisht

Punonjësit kanë të drejtën të formojnë sindikata të pavarura, të bëjnë greva të ligjshme dhe të negociojnë kolektivisht e këto të drejta i kanë zbatuar në realitet. Ligji ndalon anëtarët ë ushtrisë dhe zyrtarët e lartë të qeverisë të jenë pjesëtarë sindikatash dhe kërkon që sindikata të ketë të paktën 20 anëtarë që të mund të regjistrohet. Ligji siguron të drejtën për të bërë grevë për të gjithë punonjësit me përjashtim të ushtarakëve me uniformë, policëve dhe personelit të domosdoshëm mjekësor dhe spitalor, personave që ofrojnë shërbime të trafikut ajror dhe në burgje si edhe punonjësve kryesorë e jo të tillë në njësitë e shpërndarjes së energjisë dhe ujit. Punonjësit të cilëve ua lejonte detyra e kanë ushtruar të drejtën për të bërë greva në realitet.

Ligji ndalon diskriminim ndaj sindikatave dhe siguron rikthim në punë për punonjësit e pushuar prej aktivitetit në sindikata. Në realitet punonjësit vendas dhe migrantë mbrohen rrallë me ligj. Punonjësit civilë në të gjitha fushat kanë të drejtën kushtetuese të organizohen dhe negociojnë kolektivisht, dhe ligji përcakton procedura për mbrojtjen e të drejtave të punonjësve nëpërmjet marrëveshjesh të negocimit kolektiv. Sindikatat që përfaqësojnë punonjësit e sektorit publik kanë negociuar drejtpërdrejt me qeverinë. Ka qenë e vështirë të arrihen negocime kolektive efikase e të zbatohen marrëveshjet. Sindikatat shpesh lidhen me partitë politike dhe grevat me raste politizoheshin. Ligji i ndalon grevat të cilat gjykata i cilëson si politike.

Minatorët e minierës së kromit në Bulqizë organizuan një grevë në korrik për të kërkuar rritje pagash, kushte më të mira pune dhe moshë më të ulët pensioni, ndërmjet të tjerash. Negociatat mes pronarit të minierës, ACR Decometal, dhe sindikatave të minatorëve shpesh dështuan. ACR-ja nuk pranoi të negocionte me përfaqësuesit e sindikatave sepse pretendonte që organizuesit e sindikatës po e nxisnin grevën për përfitime personale e politike. Në përpjekje për përfundimin e grevës, ACR-ja u kërkoi minatorëve të firmosnin kontrata individuale, të cilat do t’i jepnin mundësinë ACR-së të riorganizonte sindikatën e minatorëve. Kompania u zbut në shtator dhe minatorët e përfunduan grevën me marrëvëshje reciproke mbi kërkesat pas thuajse tre muajsh.

b. Ndalimi i punës me forcë ose të detyruar

Ligji ndalon të gjitha format e punës së detyruar ose me forcë, përfshirë edhe për fëmijët. Megjithatë gratë dhe fëmijët trafikoheshin për arsye pune.

Gjithashtu, shikoni Raportin e Trafikimit të Personave të Departamentit të Shtetit ne adresën www.state.gov/j/tip .

c. Ndalimi i punës së fëmijëve dhe mosha minimale për punësim

Ligji përcakton moshën minimale për punësim atë 16 vjeçare dhe rregullon sasinë dhe llojin e punës që mund të kryejnë fëmijët nën moshën 18 vjeç. Fëmijët nga mosha 16 deri në 18 vjeç mund të punojnë në disa punë të caktuara. Ndërsa ligji parashikon Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta si përgjegjëse për zbatimin e kërkesave të moshës minimale nëpërmjet gjykatave, kjo ministri nuk pati burimet për të zbatuar me sukses ligjin. Inspektorët e punës hetuan sektorin formal të punës ndërkohë që shumica e fëmijëve punonin në sektorin jo formal. Shumica e inspektimeve u bënë në fabrikat e këpucëve dhe tekstileve; u gjetën disa raste pune të miturish në këto inspektime.

Ligji e konsideron vepër penale shfrytëzimin e fëmijëve për punë apo shërbime me forcë, por qeveria nuk e zbatoi ligjin me sukses. Sipas një përllogaritjeje të CRCA-së nxjerrë në vitin 2010 më shumë se 50000 fëmijë nën moshën 18 vjeçare punonin së paku me orar të pjesshëm. CRCA-ja raportoi se shumica e të miturve punonin si shitës rruge ose në dyqane, lypës, fermerë ose barinj, shpërndarës droge, larës makinash, punonjës fabrikash, minatorë ose llustrues këpucësh. Kërkimet shkencore treguan se lypja niste në moshë të hershme – që në moshën katër ose pesë vjeç. Ndërsa kodi i procedurës penale e ndalon shfrytëzimin e fëmijëve për lypje, policia shpesh nuk e zbatonte këtë ligj.

Shikoni gjithashtu Të dhënat mbi format më të këqija të punës së të miturve të Departamentit të punës në adresën www.dol.gov/ilab/programs/ocft/tda.htm

d. Kushtet e pranueshme të punës

Paga minimale kombëtare është 20 000 lekë në muaj. Sipas INSTAT-it, rroga mesatare për punonjësit e qeverisë në çerekun e dytë të vitit ishte 47 mijë lekë në muaj. Krahasimisht pragu kombëtar i varfërisë në vitin 2010 ishte 61 dollarë në muaj. Instituti Shqiptar i Statistikave raportoi se pagat mesatare mujore në sektorin publik ishin rritur 6.6 përqind nga viti 2010. Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta ka të drejtën të vendosë pagën minimale. Ligji përcakton javë pune 40 orëshe; megjithatë, java e punës zakonisht vendoset me marrëveshje individuale ose kolektive. Ligji përcakton pushimet e paguara vjetore, por në realitet vetëm punëdhënësit në tregun formal të punës garantojnë të drejtën për pushime të paguara. Shumë persona punonin gjashtë ditë në javë. Ligji kërkon pagesë të punës jashtë orarit dhe kohës së pushimit, por punëdhënësit nuk i zbatonin gjithmonë këto dispozita në realitet. Ligji kufizon maksimumin e orëve të punës në javë deri në 50 orë dhe parashikon pagesë të posaçme përtej orarit. Praktikisht këto ligje nuk zbatoheshin për punonjësit në sektorin jo formal si për shembull punëtorët në ndihmë shtëpiake dhe punonjësit migrantë.

Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta ka fuqinë e zbatimit të standardeve shëndetësore dhe atyre të sigurisë si edhe rregullores në vendet e punës. Zbatimi mungonte tërësisht. Kushtet në vendet e punës shpesh ishin shumë të papërshtatshme dhe në disa raste të rrezikshme. Ndëshkimet shpesh nuk frenojnë dhunimet sepse agjensitë e zbatimit të ligjit nuk kanë mjetet për zbatimin apo mbledhjen e gjobave e si pasojë rrallë i gjobisin dhunuesit.

Gjatë vitit ndodhën disa aksidente serioze industriale me pasojë vdekjen, veçanërisht në sektorin e minierave. Pas një greve të zgjatur dhe mungesës së aktivitetit në minierë, në datën 18 tetor një shpërthim në minierën e kromit në Bulqizë i mori jetën një minatori dhe lëndoi tetë të tjerë. Pak kohë më pas, një rrëshkitje dheu në minierë vrau një minator tjetër. Paga dhe dhunimi i standardeve të sigurisë në vendin e punës ndodhin më shpesh në industritë e këpucëve dhe tekstile, në ndërtim dhe miniera.

 

Autor te 25 Maj 2012. Kryesoret, Politikë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry