Mjeku Luan Nikollari ka dhënë informacione ditën e sotme rreth gjendjes aktuale të dy studenteve që gjenden të shtruara në një spital të Austrisë. Sipas Nikollarit, gjendja e dy vajzave vijon të mbetet e njëjtë, ato janë ende në gjendje kome dhe me frymëmarrje artificiale, por vihen re shenja të vogla përmirësimi për studenten Florie Peçi. Duke u nisur nga ky përmirësim, për Peçin është menduar të bëhet një provë zgjimi gjatë ditës së sotme për ta shkëputur nga frymëmarrja artificiale, me të cilën qëndron e lidhur që prej 21 majit, kur ndodhi edhe aksidenti tragjik,
Ndërkohë, mjeku Luan Nikollari bëri të ditur se mjekët në Austri tentuan zgjimin e studentes Eriselda Gubere, siç ishte lajmëruar ditën e djeshme, por pa rezultat. “Rezultoi pa sukses heqja e frymëmarrjes artificiale. Për Guberen vijon e njëjta gjendje”, -theksoi Nikollari.
Dy studentet, Florie Peçi dhe Eriselda Gubere mbetën të plagosura në aksidentin e tmerrshëm të ndodhur të hënën e kësaj javë në vendin e quajtur ‘Qafa e Vishës’, 1 km larg Himarës, ku nga rënia e një autobusi në një humnerë rreth 60 metër të thellë, gjetën vdekjen 13 persona, nga të cilët 11 ishin studente të universitet Aleksandër Xhuvani në Elbasan.
Si rezultat i përplasjes së fortë, Florie Peçi ka pësuar dëmtime në kokë, trup dhe shtyllën kurrizore, ndërsa Eriselda Gubere ka dëmtime të shpretkës, hemorragji të brendshme, si dhe thyerje të disa vertebrave të zonës së kurrizit.
26 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)