Ish-Çetnikët Serbë Ende Pa Pensione

Monumenti i Mihailovicit në Ravna Gora

Tetë vjet pasi parlamenti serb miratoi Ligjin për rehabilitimin e Lëvizjes Çetnike të Luftës së Dytë Botërore, ish-luftëtarët thonë se ende nuk mund të marrin pensione.

Marija Ristic BIRN Beograd

Ish-luftëtarët çetnike të ish-mbretërisë serbe gjatë Luftës së Dytë Botërore, ankohen se ende nuk po i marrin pensionet e luftës, pavarësisht miratimit të ligjit i cili duhet t’i kishte siguruar ato.

Ligji për barazimin e çetnikëve dhe partizanëve, u miratua në dhjetor të vitit 2004, dhe vendosi se të dyja forcat kontribuuan në mënyrë të barabartë në luftën kundër pushtimit gjerman, në vitet 1940-të.

Komisioni për Pensionet e Veteranëve, i cili vendos se kush merr pension, ka marrë rreth 3,000 kërkesa deri më tani nga ish-çetnikët.

Por asnjëra nuk është aprovuar, duke qenë se disa ish-partizanë, anëtarë të komisionit, e kundërshtojnë ligjin fuqishëm.

Partizanët jugosllavë, të udhëhequr nga Josip Tito, ishin në thelb një ushtri komuniste, ndërsa çetnikët, të drejtuar nga gjenerali Draza Mihailovic, ishin monarkistë.

Dy forcat ishin armiq gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur partizanët i akuzonin çetnikët se bashkëpunonin me gjermanët. Gjatë regjimit komunist në Jugosllavi, çetnikët u dënuan.

Nga shtatë anëtarët e Komisionit për Pensionet e Veteranëve, tre janë nga parlamenti dhe katër janë anëtarë të Aleancës së Shoqatave së Veteranëve të Luftës për Çlirim Kombëtar të Serbisë, SUBNOR, të cilët të gjithë e kundërshtojnë fuqishëm idenë që ish-armiqtë e tyre të marrin pensione.

Srdjan Sreckovic, kryetar i Lëvizjes Çetnike, thotë se anëtarët e SUBNOR-it ende nuk duan të pranojnë se të dyja forcat luajtën një rol të barabartë në lëvizjen antifashiste.

“Asnjë nga kërkesat nuk është pranuar duke qenë se bllokohen vazhdimisht nga SUBNOR-i. Është e qartë se vullneti politik për ta zgjidhur këtë çështje mungon, kështu që autoritetet duhet të mos e konsiderojnë SUBNOR-in, ose të gjejnë mënyra të tjera që ligji të respektohet”, tha Sreckovic.

“Është mirë që shteti të paktën miratoi ligjin i cili verbalisht ka barazuar të dyja lëvizjet, por është për të ardhur keq që këta veteranë nuk po marrin para, duke qenë se kanë luftuar ndershmërisht në luftë”, shtoi ai.

“Nuk do t’i kushtonte shumë shtetit, duke qenë se vetëm një numër i vogël i tyre po kërkojnë pension”, vazhdoi Sreckovic.

Përfaqësues të SUBNOR-it, sidoqoftë, mbesin të qëndrueshëm në opinione tyre se çetnikët nuk ishin pjesë e lëvizjes antifashtise në vitet 1940-të, dhe nuk mund të bëhen të tillë tani.

Ministria e Punës dhe Kujdesit Social, e cila ndërmori ndryshimin e ligjit në vitin 2004, mund të lejojë pagimin e pensioneve të luftës për çetnikët, pa lejen e Komisionit.

Por duke qenë se parlamenti nuk do të mbajë më seancë deri në zgjedhje, çdo ndryshim i mëtejshëm në ligj do të duhet të presë për krijimin e qeverisë së re, pas zgjedhjeve të përgjithshme më 6 maj.

Marrë nga Drejtësia Tranzicionale në Ballkan

26 Maj 2012 (gazeta-Shqip.com)

Autor te 26 Maj 2012. Rajon. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry