Melina KABO


Gjurmë


Çdo veprim apo mendim i yni lë një shenjë si për të thënë përgjithmonë se ke ekzistuar dhe nuk mund të humbasë nga vjetërsia, por as ta fshijë dashakeqësia, heshtja apo harresa. Në çdo hap tonin informacione që ngelen si gjurmë të së shkuarës vërtetojnë atë çka kemi bërë ose atë që donim të bënim duke mos mundur ta realizojmë. Krijohet kështu një memorie gjithëpërfshirëse, ku gjithkush s’mund të ndërhyjë, e askush s’mund ta harrojë. Çdo gjë regjistrohet për të mos humbur kurrë, si për t’i vërtetuar botës se ti ke ekzistuar fizikisht dhe shpirt, e do të vazhdosh të ekzistosh përgjithnjë në formën e përjetimeve që ke krijuar e shkaktuar më parë. Kjo është kostoja e të ekzistuarit në këtë jetë. Është gjurma jote që dëshmon të vërtetën kudo dhe kurdo herë. Askush s’mund ta ndalojë të vërtetën të njihet, sepse ajo lë gjurmë të bardha që nuk humbasin kurrë. Është e pashpresë tentativa për ta fshehur të vërtetën. Ajo ekziston përjetësisht ndërsa ti, unë, ne, përkohësisht. Ajo ngelet, ndërsa ti, unë, ai humbet dhe veç ajo mund dëshmojë se ti ke qenë diku, dikur…


Balanca – Peshorja e jetës


Kur hyjmë në këtë jetë, zëmë një vend që dikur i ka përkitur dikujt tjetër, apo secili nga ne sjell në këtë botë një njësh të ri?! Shoqërojmë një mesazh për të mos humbur kurrë?! Apo krijojmë secili mesazhin tonë?! Ingranohemi në këtë udhëtim për të përmbushur çdo funksion të saj?! Po ne jemi “ushtarët e jetës”! Idetë tona praktikohen si rregulla që gjithkush i vendos për të udhëtuar sa më i sigurt, apo gjithkush e çdo gjë ka një kosto, ka një hartë rruge?! Ndaj ne mundohemi të gabojmë sa më pak, por armiku i pashmangshëm, “egoizmi” nuk na lejon të jemi përherë të vendosur në rrugë të drejtë e të pastër. E pikërisht në këtë pikë gjithkush gabon. Ne mundohemi të mashtrojmë me neglizhencë apo pakujdesi atë, “peshoren e madhe” dhe decizive JETËN. Veprojmë me ligësi dhe duam ta fshehim e ta zbukurojmë atë më së miri. Arrijmë të bëhemi të besueshëm për sytë e sinqertë e naiv, për shpirtrat që pranojnë mirësinë, por nuk ndodh të mos regjistrohen të gjitha e të mos peshohen thellësisht në balancën e së vërtetës. E ndaj çuditen këta “shpirtligj e ndjenjëpaktë”, si ka mundësi që jeta është kaq e padrejtë?! Jeta është e drejtë dhe e ndriçuar mirë në çdo skutë të saj, ndaj dhe dhurohet vetëm një herë. Çdo çast i saj për të provuar deri ku arrin errësira e mendjes së kësaj qenie të quajtur njeri. Bota është e rrumbullakët për të gjithë, në mënyrë që kush e rrotullon fort për të rrëzuar tjetrin harron se është edhe ai pjesë e saj. Ajo rrotullohet për të gjithashtu. Pranoje veten siç je, dhe ti do të mund të jesh pjesë e mëshirës së kësaj balance, por mos e mashtro veten se mund të dalësh kundër saj…!


Një rreth


Një jetë e plotë ose jo e tillë përshkon një rrugëtim, të gjatë ose të shkurtër. Ka një fillim dhe një mbarim, herë ndjek një udhë pa krye, e herë ndjek me motivin që ndien dhe me inercinë e mësuar ndër breza. Ndodh që rrugëtimet nuk janë pjesë e njëra-tjetrës, por ky është perceptimi ynë. Çdo hallkë e këtij misioni është pjesë e një rrethi që na shoqëron kudo dhe në çdo kohë. Ka një rreth njerëzish që na krijojnë ambientin formues. Ka një të tillë në çastin e simbolizimit të dashurisë e ndaj ka gjithmonë një të tillë rreth, për të mos iu shmangur dot jetës, pasojave, përgjegjësive…

Ti i vjen qark për t’i kërkuar fundin dhe pa kuptuar e prek atë pafundësisht. Rruga drejt tij të bën të kuptosh se jeta ka ulje dhe ngritje. Ti prek fundin tënd dhe me shumë vrull takon majën tënde kulmore dhe ti ende vazhdon e kërkon deri sa një çast ti ndahesh prej saj dhe kupton se jeta është një rreth pa fund… është vdekja ajo që të shkëput ty nga ajo, jeta, ky rreth i shndritshëm!


E mesmja e artë


Skajet janë dy dhe japin ndjesinë e dy poleve të magnetit, diversiteti që dhuron jeta u jep këtyre skajeve funksionin tërheqës të pashmangshëm. Ne “përpëlitemi” midis dy poleve dhe përplasemi fort sa poshtë-lart, majtas-djathta, brenda-jashtë, në shpirt dhe në trup, me veten dhe me të tjerët; për arsyen e vetme. Çdo kush e dëshiron të jetë pjesë e të bukurës së shndritur të “Mesmes së Artë”. Aty ku gjithçka merr dritën e së vërtetës e dhuron buzëqeshjen e të sinqertës.

Realiteti tregon, apo na duket ne, se askush nuk bën pjesë në të. Por ç’kuptim do të kishte pastaj ekzistenca të ndryshmes, e skajeve të kundërta. Ne e prekim “të artën” e nuk jetojmë në të. Gjithkush jeton në një skaj, në tiparet e saj të thepisura, ku pasojat janë gjithkund, sa herë i dalim kundër polit negativ, pengesa brenda nesh. Duam ta prekim të mesmen e artë dhe i hedhim një sy të shpejtë polit të kundërt. Aq shpejt, sa pranojmë mirësinë e pakushtëzuar të polit pozitiv, takojmë të artën e nuk vazhdon më gjatë. Ky është udhëtimi. Ndihemi koshientë se ku arrin nëse të kundërtën e asaj që jemi e pranojmë si edhe veten tonë. E të gjitha këto përshkundje të fatit, i japin sens kësaj periudhe të gjatë apo të shkurtër që përjetimi ynë e quajti jetë.


Në një çast


Koha ecën shpejt dhe ne rendim pas saj për ta arritur, për ta kaluar, por se nuk e kuptojmë që jemi ne ata që i japim kuptim njësisë matëse të kohës. Sekondat klikojnë pa pushim jetën tonë, i japin shije të kaluarës. Përjetojmë të ardhmen e panjohur. Të tashmen kemi shansin ta prekim nën një shpejtësi marramendëse pothuajse të pandjeshme; aq sa duket se kalon pa e kuptuar, se në nnjë çast ne dhe sekonda jemi takuar!


Nën një çast në rruzullin tokësor e përtej tij gjithçka ndodh, edhe në mungesë të prezencës sonë. Përgjatë një përpëlitje qerpikësh, mendjen time e përshkon ideja se diku në këtë sekondë dikush dha frymën e fundit, dikush mori frymën e parë, dikush qau e dikush qeshi, dikush u aksidentua apo dikush u zhgënjye, u dashurua apo kuptoi sensin e jetës! Përgjatë kësaj sekonde çdo gjë ka ndodhur në këtë botë, ndoshta paralelisht me mua, dikush që ka po të njëjtin mendim si unë dhe po ndien këtë ndjesi nën një klik që mat kohën e (pa)reshtur.


Jeta pa rregulla


Në shumë shprehje apo këshilla për jetën gjen rregulla si të veprosh, por sa herë gjendesh para situatave të caktuara, lind pyetja: “Cila e zgjidh situatën time, cilën duhet të përdor?”

Ato janë shumë dhe shpeshherë kontradiktore, ndaj dilema thellohet. Mendoj dhe ndiej se ajo që ka vlerë është zgjidhja që të bën të ndihesh mirë me veten, edhe pse të tjerët do të të (para)gjykojnë edhe ndjenjat më të brishta e të sinqerta, pa vlerësuar asnjë grimcë atë që ti je…

Askush nuk të mësoi se si të ndiesh. Askush nuk të mësoi se të ndiesh, konsumon veten dhe se të konsumohesh pa kushte është pastërtish humanizëm!


Në kërkim të perfeksionit


Gjendemi në një hapësirë të çuditshme, të rrethuar nga marrëdhënie sociale. Jemi pjesë e raporteve të ndryshme dhe gjithnjë në kërkim të raportit me individin perfekt.

Autokritikat si thelb i marrëdhënies me veten na udhëheqin në rrugën e njohjes së njerëzve jashtë nesh. Përpiqemi të ndërtojmë raporte të shëndetshme, duke u përshtatur me individë nga më të ndryshmit, gjithmonë për të arritur përsosmërinë.

Por pse vallë duhet të ndryshojmë ne apo individë që shfaqen rreth nesh?

A nuk do të mjaftonte të përshtatnim apo të puthitnim dy “imperfeksionet” tona për të realizuar një lidhje perfekte midis nesh?

Nuk nevojitet që secili të jetë perfekt. Mjafton të bashkëveprojnë dy persona me defektet e tyre dhe të funksionojnë si një perfeksion i vetëm dhe unik në llojin e tij.

Në qoftë se çdo individ do të ishte perfekt në veten e tij, atëherë në hapësirën tonë secili nuk do të kishte më vend për marrëdhënie. Çdo njeri do të mjaftohej me veten e nuk do t’i nevojitej një marrëdhënie për t’u përmirësuar apo për të bashkëvepruar me dikë.

Diversiteti e bën të bukur natyrën me ngjyrat, me llojet e kafshëve, me format e relievit, me stinët. Diversiteti i karaktereve dhe i formave të individëve e bën të bukur dhe me vend për këdo, hapësirën tonë sociale, të quajtur shoqëri njerëzore.


Motivimi


Njeriu, si pjesë kryesore e shoqërisë, krijon, ndryshon dhe shuan marrëdhënie të ndryshme që rrjedha e fatit apo e jetës ia sjell përballë. Përplasjet e furishme të këtyre marrëdhënieve krijojnë një ambient të gjallë rreth nesh. Hyjmë dhe dalim në gjendje të forta shpirtërore ndoshta dhe pa e ditur pse. Por ja që instinktet tona të pashtershme ngacmohen pa dijeninë tonë. Ata reagojnë të vetëm dhe ne gjendemi para fakteve apo situatave konkrete të papërgatitur. Detyrohemi të reagojmë arsyeshëm, por sa e realizueshme është kjo, pasi instinkti nuk të lë vend për arsye. Ai të “pickon” fort e të transmeton impulse të shpejta. Ajo që e bën individin ta kthejë situatën në të arsyeshme për të, është një ndjesi tejet e gjallë, e cila vesh me pozitivitet çdo akt tonin. Ai është motivimi. Për vetë faktin se e kërkojmë gjithmonë jashtë vetes, është e vështirë për t’u gjetur. E janë të pakta rastet kur ne e përjetojmë ashtu siç duam.

Në këtë botë tashmë të ftohtë njerëzore, ndiej se duhet ta kërkojmë motivimin më shpesh te vetja. Te prirjet tona, te dëshirat që na japin shtysë për të realizuar gjëra të reja karshi vetes e dashur pa dashur edhe në të mirë të ambientit jashtë nesh. Pse të mos jemi ne, motivimi për dikë tjetër. Çdo gjë fillon nga vetja, e kështu po të mendonte çdo kush, motivimi do të vinte si një reaksion zinxhir. Pozitiviteti do të vishte marrëdhëniet tona. Koha e të pakënaqurve nga jeta nuk ekziston më. Duhet t’i japim frymë pozitive vetes që instinktet tona të pulsojnë edhe më fort, por ama të pulsojnë për më mirë dhe për më bukur. Jo për të ndikuar negativisht te të tjerët. Ajo, negativja, nuk lë jetën njerëzore të bëhet e pasur, me vlera, por e “ndryshk” nga mendjet dashakeqe, duke i lënë shumë pak hapësirë asaj pjese të bukur të njerëzimit, lumturisë!

Jeta jonë nuk mund të funksionojë pozitivisht në qoftë se nga të katërta anët rrethohet nga mendime të mykura, të cilat mbysin dita-ditës burimin e jetës, motivimin e saj për kohë më të bukura me ndjenja më të pasura e me vlera.


Jashtë kornizave të ideve pa motiv, për një jetë të ndriçuar nga shoqëri të motivuara për t’i dhënë jetë, jetës!


* * *


Gjurmët që lëmë pas peshohen në balancën e jetës dhe formojnë rrethin e mbijetesës sonë, në përpjekje për të arritur të mesmen e artë, në çdo çast të kësaj jete, edhe pse pa rregulla, jemi në kërkim të perfeksionit, të motivuar për të jetuar!


Ky shkrim është nominuar si një ndër pesë më të mirët e selektuar për fitues të çmimit “Dritan Hoxha” në konkursin e shpallur nga fondacioni me të njëjtin emër. Autorja është studente në Universitetin “Luarasi”,

Fakulteti i Drejtësisë