ARIAN LEKA
Sado e shumëllojshme dhe e pasur në larmi fatesh, jeta, në fund të fundit, kujdeset vetëm për një gjë: të na shndërrojë në dy forma: në lepuj ose në gomarë. Zgjidh e merr. Mundësitë janë plurale. Përpos kësaj, romaku Apuleius, ai që shkroi “Gomarin e artë” dhe Lewis Carroll-i, autori i “Lizës në botën e çudirave”, na tregojnë veç të tjerash se sa të pambrojtur jemi përballë këtyre formave shndërrimi.
Pavarësisht se ku kemi lindur, pavarësisht se cilit komb, cilës gjuhë, cilës kulturë apo cilit qytetërim i përkasim, pavarësisht se në cilën ditë kemi lindur apo cila shenjë zodiakale na sundon, dhe pavarësisht nga shpërblimet apo ndëshkimet që na vë në mësallë jeta, këtij shorti zor se mund t’i shpëtojmë. Të përfshirë nga kultura e narcizizmit dhe e mbivlerësimit të vetes nuk e vumë re kur gjithë sa ishte dhe duhej të mbetej “ne” dhe “jona” u shndërrua në “unë” dhe “imja”
Sidomos në vende si ky yni, ku gjithçka ose është e vogël ose ka prirjet të zvogëlohet. Por prirja për zvogëlim, veç të keqes që mbart me vete të qenët i vogël, pohon gjithashtu një nevojë më të madhe për të thirrur, për të rënë në sy dhe për t’u dukur. Në vende si ky i yni, të thërrasësh, të ngresh zërin, të kërkosh me ngulm, të shfaqesh dhe t’i bësh projektorët të bien përherë vetëm mbi ty, nuk është patologji, siç përfillet në vende të tjera: te ne kjo patologji quhet mbijetesë. Madje e detyruar.
Të metat dhe papërsosmëritë e mia janë ato që më bëjnë të tregohem i matur dhe i dhembshur, sa herë që mendoj se, në qoftë se jeta do të kishte prirjen të na shndërronte jo në lepuj dhe gomarë, por në derra për shembull – një zgjidhje nga halli do të ishte leximi i “Odisesë” së Homerit. Aty do të mësonim emrin e barit çderrues dhe do ia hidhnim jetës paq.
Nëse jeta do të na gatiste fat rinoqeronti, do të pyesnim Ionesco-n. Veçse, në këtë rast, letërsia mund të na ndihmojë po aq sa e ndihmoi libri Pinocchio-n për t’u shndërruar në një djalë të vërtetë… Domethënë pak. Jeta tashmë e ka përgatitur lëngun avullues. E ka zgjedhur edhe formulën. Përfundimisht. Gomar ose lepur.
Atyre të paktëve që takoj ndonjëherë ua them hapur. Duhet mbledhur mendja. Jo luftë. Paqe. Nja dy a tre të tjerëve, me të cilët më bëhet sikur komunikojmë, u kujtoj pa ndonjë këmbëngulje se radha e punëve është përgjithësisht kjo: në fillim jeta ndjell, grish, shpërblen, pastaj fillon të na lodhë nga pak, sjell monotoni, shëmtim, pastaj na zhgënjen, më pas na hedh ndonjë kockë si dhuratë, që ta lëpijmë, më shumë për ta kuptuar thellësisht mërzinë dhe lodhjen, gjer sa të kapitemi dhe të kapitur të dorëzohemi, të lëshohemi fare dhe sa pa dhënë frymën e fundit, të pranojmë një nga të dy fatet: gomarin apo lepurin.
Të luftosh kundër këtij fati? Përse? Mos jemi gjë pa alternativë? Për më tepër atëherë kur sprovat e dështuara të paraardhësve ruajnë vlera urtësie edhe për ne të sotmit. A nuk duhet të stepemi sa herë kujtojmë ngulmimin egoist të Dedalit dhe të djalit të tij, Ikarit, që vunë krahë dhe deshën të fluturonin nëpër qiell, vetëm e vetëm për t’iu shmangur fatit tokësor të paracaktuar?
Ovidi, Dante, Virginia Woolf, Franc Kafka, si dhe qindra e qindra përralla, mbërritur prej të gjitha kohërave dhe viseve të dheut, mbijetuan si për të na thënë se kemi qenë të paralajmëruar për gjithë sa po ndodh. Dhe nuk paska shpëtim?
Në formacione të tilla si shteti – koncept ky që rishtarët dhe të vonuarit (poza të cilat ne nuk mëtojmë t’i bëjmë, madje edhe nuk jemi) e shkërbejnë jo rrallë me qeverisjen dhe pushtetin – apo edhe tek institucionet – mes të cilave ato me karakter edukues dhe shpirtëror – mugullon shpresa se jeta do të na shndërrojë, por jo detyrimisht në dy format aq shpesh të përmendura më lart. Veç atyre mund të ketë edhe diçka tjetër.
Veçse aty ku shfaqet shpresa, rroposet dhe besimi se kjo gjasë mund të dalë e vërtetë. Dy metamorfozat që na sugjeron jeta, ndodhin më së shumti në trup të formacioneve ideale: komb, shtet, qeveri, institucion, pushtet – ku gjithçka është e jona, por s’ndihet, pasi veç emërtesave të zbrazura dhe zhgënjimeve të përsëritura, nuk na jepen arsye të forta ta përjetojmë si ideale.
Ndaj dhe mundësitë e zgjedhjes mbeten po aq: dy. Veçse asgjë e sigurt dhe e qëndrueshme nuk mund të premtohet për sa kohë që në mes të kësaj historie metamorfozash do të jetë njeriu. Sidomos nga ai lloj njeriu si unë, që edhe pas thuajse 500 vjetësh, vazhdoj të besoj Michele de Montaigne-in, kur thotë se askush nuk do ta lërë këtë botë pa i dhënë diçka kësaj jete: gjithkush prej nesh jep ndihmesë dhe kontribuon sa dhe si mundet në korruptimin e epokës së vet. Veç në mos i ardhtë rasti.
Ndaj dhe nuk duhet të jemi aq mosmirënjohës sa të ngrihemi dhe të ankohemi kundrejt fatit që nuk na bëri miza apo krimba, siç vëren Migjeni. Përse të ankohemi? Nga se duhet të shpëtojmë? Përse duhet t’i shmangemi ligjësisë së kësaj epoke? Zgjidhje ka: lepuri ose gomari – strukja ose dukja. Për të gjithë.
Sado që deri në këtë pikë të rrëfimit gjendja duket disi e pashpresë, nuk duhet humbur filli, se gjithsesi rrugëdalje ka. Se kjo ligjësi gjithëpërfshirëse, ka sigurisht edhe përjashtimet e veta. Prej duhisë së saj, disa arrijnë të mbrohen dhe të mbijetojnë, siç thamë. Nuk janë të përveçëm, janë të zgjedhur.
Për të mos e zgjatur po them se këtyre shndërrimeve arrijnë t’u bëjnë bisht vetëm ata që, si diletantë apo si profesionistë, merren me politikë apo ata që, si mëditës apo si shefa të mëdhenj, përfshihen në botën e medies.
Mund të mos jetë meritë e këtyre njerëzve, por nuk më bën goja të them se nuk kanë treguar kurrfarë aftësie për ta merituar këtë fat. Mbase nuk kanë punuar aq fort, por kanë ditur të shfaqen, ndaj dhe e meritojnë të shpëtohen. Dhe për më shumë, këta njerëz kanë ditur të zgjedhin. Sidomos kur ka ardhur puna për të zgjedhur zotat pajtues.
Mes gjithë shenjtëve që janë ende në qarkullim, ata zgjodhën zotin e duhur. Ndryshe nga ne, ata i falen një zoti tjetër: ata nderojnë Narcizin. Ky i mbron. Narcizi. Narcizi është zgjidhja për të mos pranuar asnjë nga dy ofertat e jetës: gomar ose lepur.
Por kam përshtypjen se te Narcizi ngatërrohen paksa punët. Kurrikulat e sistemit tonë arsimor po krijojnë pa e ditur as vetë një kundërkulturë. Ato po ngulisin në mendjet e filloristëve dhe të nxënësve të niveleve të ulët shkollor ide që shkojnë përkundër me shpirtin e epokës sonë.
Në lëndën e letërsisë, për shembull, një nga oazet e pakta ku mbijeton fryma e epokave të shkuara, atyre u rrëfejnë për “historinë” e një djaloshi naiv që na ra në dashuri me pasqyrimin e vetvetes dhe që më pas vdiq i shqyer nga langonjtë e vet, të cilët nuk e njohën kur u shndërrua në kaproll.
Nuk duhet t’ua bëjmë fëmijëve kaq të padashur figurën e Narcizit. Nuk duhet të mbjellim në mendjet e tyre këtë farë përbuzjeje dhe urrejtjeje. Do t’u duhet. Me të do të kenë të bëjnë më shumë se me gjithë ata që kanë mësuar dhe harruar nga shkollat. Sidomos kur vjen fjala për naivitetin e Narcizit duhet pasur kujdes. Narcizi është zoti i mirë, zoti që nuk ka nevojë për shërbim, është zot-shërbyes, është zoti që na gjendet dhe na ndihmon të përballojmë krizat. Narcizi është mundësia e tretë.
Por nëse narcizizmi është bërë shenja e identitetit të qytetërimit të sotëm, siç thuhet, për ne kjo shenjë identiteti është kthyer tanimë në kulturë. Është kultura e një shoqërie që, për ta mbytur zhurmën që mund të krijohet nga përplasja me njësi të tjera kulturore përreth saj, gjen si terapi shpëtimi të bërit zhurmë në vetvete dhe për veten, pa dashur as të shohë dhe as të dëgjojë se ç’ndodh jashtë kësaj fuçie të shenjtëruar dhe të idealizuar nga vetë ne.
Vetëpëlqimi, mburrja, megalomania dhe ç’është më e shëmtuara dhe më e frikshmja sidomos – rikthimi i unit patologjik, janë format e kulturës së narcizizmit brenda kulturës sonë. Me to përballemi çdo ditë, pa e perceptuar se kemi të bëjmë me forma të qarta dhune dhe okultizmi, nga ai lloj që përgjon gjithë kënaqësi pas derës së shoqërive rishtare në përjetimin e lirisë. Përveç kësaj, një tonalitet kaq i lartë dhe i mbivlerësuar i asaj që je dhe i asaj që ke, fshehën frikën e shoqërive të rrezikuara nga vetvetja, drojën e thellë se mos i humbasin, në mos po i kanë humbur, vlerat që trashëguan nga paraardhësit.
Shfaqja e këtij narcizizmi është udhëheqësi, lideri, njeriu i pushtetshëm i çdo niveli apo pozicioni në hierarkinë shtetërore dhe institucionale. Secili që ka diçka në dorë e shfaq. Nënkulturë e këtij produkti shoqëror të narcizizmit janë VIP-i, modeli, analisti, kolumnisti profetik, drejtuesit e emisioneve me gjithë të ftuarit e tyre dhe një shpurë njerëzish të përqendruar jo në atë çka thonë, por te prania në atë “wonderland” që i bën të dukshëm, pra të qenë. Mes tri opsioneve kanë zgjedhur të duhurin: Narcizin.
Gjithë të tjerëve, ata që punojnë dhe bëjnë mirë punët dhe detyrat e tyre, por që deri më tash nuk e kanë vrarë fort mendjen të bëhen pjesë e kësaj kulture sunduese, do u jepet edhe pak kohë deri sa të vetëkorrigjohen dhe t’i kthehen udhës së arsyeshme. Kanë lindur në kohën e gabuar, ndaj duhet të përshtaten.
Ky shekull nuk është shekulli i tyre, ndaj duhet të përshtaten. Ky është shekulli i egos narciziste, i shoqërisë që vetëpëlqehet. Është epoka ku shfarosjes do i mbijetojnë vetëm të dashuruarit pas vetvetes, ata që në vend të realitetit mbërthehen fort pas asaj që projektojnë si imazh, ata që për të thënë “jam”, u duhet një ekran dhe një mikrofon për t’ua projektuar narcizizmin në distancë.
Edhe pse nuk jam i interesuar sa ç’duhet në krijimin e skedave të tipave, llojeve dhe nënllojeve socialë, ndonjëherë grishem, përfshihem dhe sa mezi e përmbaj dëshirën për të bërë një skicë narcizisti. Jo për ta dokëndisur, sigurisht, për t’i ngjarë, por edhe për t’ua këshilluar: nënave dhe baballarëve të rinj, sidomos.
Narcizisti vërtet ai nuk ka shokë, por ka bashkëpunëtorë. Ai nuk kërkon miq, kërkon njerëz që t’i shërbejnë, mundësisht skllevër, nga ata të përbetuarit. Narcizisti nuk ka shtëpi, por kjo aq i nevojitet, përderisa mjediset e hapura publike i përmbushin nevojat e tij. Mbi të gjitha narcizisti ka veten – aty strehohet, aty gjen mbrojtje dhe zhvillon botën e tij.
Narcizisti nuk ka as familje, apo më mirë të themi se nuk ka familje biologjike. Familje dhe pjesë e familjes së narcizistit mund të jetë gjithkush që di të brohorasë, që njeh artin e miklimit. Por narcizisti nuk është njeri pa ndjenja. Ai beson atë që të tjerët as që e çojnë nëpër mend: ai beson se ka lindur për t’i dhënë dhe jo për t’i marrë botës.
Sidoqoftë, tani do e kemi ndoshta pak më të lehtë zgjedhjen për sa u përket ofertave që na bën jeta. Në vend të gomarit dhe lepurit, le të zgjedhim Narcizin. Fundja ç’na mungon? A nuk kemi kontribuuar sa dhe si kemi mundur, të gjithë nga pak, në korruptimin e epokës sonë? “Kush përmes tradhtisë, të tjerët (meqë janë më të pushtetshëm) përmes drejtësisë, të tjerë përmes mungesës së besimit te Zoti, përmes tiranisë, lakmisë dhe mizorisë…”.
Pikërisht ashtu siç parashikoi shpotitësi, gjithashtu narcizisti, Michele de Montaigne.