Fier, Adriatiku gllabëron 26 kilometër bregdet

Gjatë 18 viteve të fundit janë përmbytur rreth 520 hektarë tokë dhe kanë nisur të rilindin kënetat

Deti Adriatik ka gllabëruar rreth 520 hektarë nga toka në zonën e Semanit të rrethit të Fierit dhe fshatrave të tjerë aty pranë dhe vazhdon të përparojë drejt plazhit të krijuar së fundmi. Gjatë viteve të fundit, uji i detit ka përparuar rreth 200 metra drejt tokës në një gjatësi lineare prej 26 kilometrash. Aty ku dikur ndodhej një rrip i gjerë plazhi me rërë, tashmë valëzojnë dallgët e detit. Depozita të ujit të pijshëm, bunkerë të ndërtuar dekada më parë për të na mbrojtur nga sulmet e armatosura, tashmë duket sikur lundrojnë në ujin e detit. Ndërsa aty ku dikur gjelbëronin pyje me pisha, pemë të vetmuara dekompozohen në ujërat e kripura të Adriatikut. Mijëra pushues që shkojnë të kalojnë çdo vit ditët e nxehta të verës në bregdetin e fshatrave Seman, Darëzezë dhe zonave përreth, gjejnë aty plazhe të reja, që dikur kanë qenë edhe toka bujqësore. Për këtë që po ndodh në bregdetin e plazhit të Semanit janë dëshmitarë mijëra banorë, pasi gjithçka ka nisur pak vite më parë. Banorët e zonës ndihen të shqetësuar nga vazhdimësia e këtij procesi natyror, pasi deti po kthen në këneta tokat bujqësore dhe vazhdon të përparojë me shpejtësi. Ndërkaq, burime zyrtare pranë Prefekturës së Fierit janë shprehur për gazetën “Shqip” se ky fenomen është konstatuar gjatë 18 viteve të fundit dhe sa vjen e bëhet më evident. Burimet kanë shtuar se edhe pse në këtë vijë bregdetare ka ekzistuar një argjinaturë e ndërtuar dekada më parë, deti vazhdon të përpijë gjithçka, duke i rrëmbyer tokës rreth 200 metra, që prej grykëderdhjes së Vjosës deri në atë të lumit Seman. Por burimet shtojnë se, për sa i përket parandalimit apo zbutjes të këtij fenomeni natyror, deri tanimë nuk është arritur të sigurohet mundësia financiare për ta përballuar situatën. Burimet theksojnë faktin se gjatë viteve të fundit deti ka përparuar kundrejt tokës me 15 apo edhe me 20 metra në zona të veçanta për çdo 12 muaj. Ndërkaq, mësohet se një prej shkaqeve kryesore për përmbytjen e tokave nga deti i Adriatikut është ngrohja globale gjatë dy dekadave të fundit. Burimet pranë prefekturës shtojnë se një tjetër shkak që ka krijuar këtë fenomen dyshohet të jetë edhe pakësimi i inerteve që sjellin lumenjtë. Përparimi i detit drejt tokës në këtë zonë, ka sjellë një sërë vështirësish në jetën e banorëve të zonës. Ata ndihen të rrezikuar për shkak të përparimit të shpejtë të ujërave të kripur, duke e cilësuar këtë fenomen si pengesë në zhvillimin e turizmit. Gjithashtu, ata i druhen pushtimit të tokave bujqësore nga ujërat që tashmë ka nisur, duke i lënë ata pa asnjë mundësi për të siguruar të ardhurat që u nevojiten për të përballuar jetesën. Por, veç problemeve ekonomike, uji i detit që vërshon drejt tokës ka sjellë edhe shqetësime në shëndetin e banorëve. Në pjesë të ndryshme të këtij bregdeti, po rikrijohen kënetat, të cilat janë vendet ku strehohen dhe shumohen mjaft insekte që mund të përhapin sëmundje infektive të së shkuarës. Deti në bregdetin e Semanit tashmë ka arritur në rrënjët e pishave të pyllit disa hektarësh. Por, ndotja, ngrohja globale dhe pamundësia për mirëmbajtjen e këtij pylli ka bërë që shumë pisha të thahen. Pikërisht ky pyll me pisha është barriera e fundit që është vendosur përballë këtij fenomeni natyror, por që ndodhet vetëm dhe pa përkujdesje.

Përparimi

Uji i kripur ka përparuar kundrejt tokës me 15 apo edhe me 20 metra në zona të veçanta për çdo 12 muaj

Pushtimi

Deti në bregdetin e Semanit tashmë ka arritur në rrënjët e pishave të pyllit disa hektarësh

Autor te 27 Maj 2012. Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry