Zbulohet rrjeti agjenturor serb në hapësirën shqiptare dhe në rajon
Idriz Tafa – Ish-diktatori serb, Sllobodan Millosheviç, kishte mbi 2100 agjentë në Ballkan, mes të cilëve edhe në Shqipëri. Kjo shifër u bë publike në forumin për rolin e ish-shërbimeve sekrete në Ballkan, që i zhvilloi punimet në Bruksel më 18 maj 2012, njofton portali telegrafik bullgar “actualno.com”. Takimi ishte informal. Aty folën ekspertë që kanë bërë investigime mbi ish-Sigurimin e Shtetit në Jugosllavi që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore deri në vitin 2010. Takimi u ndoq nga përfaqësuesit e të gjitha vendeve ish-komuniste, anëtare të NATO-s. Diskutimi u organizua mbi bazën e forumit të organizuar nga CEAS (Centar za evroatlantske studije – Qendra për Studime Euroatlantike), me presidente Jelena Miliç, më 21 prill 2014 në Beograd. Ky fakt ka ngjallur shqetësime jo vetëm në Bullgari, por edhe në qarqe politike dhe ka zënë vend në median e vendeve të Ballkanit, me përjashtim të atyre të Kosovës (ku numëroheshin 700 agjentë, ose një e treta e rrjetit ballkanik) dhe të Tiranës.
Rrjeti
Pjesëmarrësit që diskutuan në Bruksel, ishin të prerë në mendimin se autoritetet e Beogradit, menjëherë, brenda 100 ditëve, duhet të hapin dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, në qoftë se duan sinqerisht të përballen me të vërtetën e zymtë. Gjatë debateve, Zoran Petroviç i organizatës joqeveritare “Koop i Kapiniç”, paraqiti të dhëna me interes mbi agjenturën e Shërbimeve Sekrete Serbe në Ballkan dhe që përdorej nga regjimi i Millosheviçit. “Regjimi i Millosheviçit kishte në dispozicion një rrjet prej 2200 agjentësh jashtë territorit të vetë Serbisë. Në Kroaci – 450, në Slloveni – 150, në Maqedoni – 150, në Bosnjë-Hercegovinë – 350, në Kosovë – 700, në Mali të Zi – 200. Kurse dyqind të tjerët punonin në Bullgari, Greqi, Shqipëri, Rumani, Qipro, Hungari dhe Austri. Një pjesë e agjentëve kishin shtetësi të dyfishtë”, thuhej në raportin e ekspertit të njohur serb të OJQ-së “Koop i Kapiniç”, Zoran Petroviç. Agjentët e Millosheviçit ishin “politikanë, punonjës në media, biznesmenë, shkelës të embargos, si dhe zyrtarë të forcave të sigurimit të ushtrisë, policisë, inteligjencës dhe grupe të ndryshme lobuese në favor të Millosheviçit”, nënvizoi Zoran Petroviçi.
Dosjet sekrete
Në rezolutën e fundit për Serbinë, më 28 mars 2012, Parlamenti Europian u bëri thirrje autoriteteve të Beogradit “të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të eliminuar legjitimitetin e ish-shërbimeve sekrete komuniste, si një hap demokratizimi në Serbi”, shkruan BIRN. Parlamenti Europian kërkoi hapjen e arkivave kombëtare dhe veçanërisht dokumentet e ish-agjencisë së inteligjencës, UDBA. BE-ja kërkon gjithashtu që Serbia “të lehtësojë qasjen në këto arkiva, që kanë lidhje me ish-republikat e Jugosllavisë dhe t’ua kthejnë ato qeverive përkatëse, nëse i kërkojnë”. Sidoqoftë, dosjet mund të hapen tani pas zgjedhjeve të përgjithshme të majit, pasi Parlamenti serb ishte i pezulluar, që do të thotë se ligji i shumëpritur për hapjen e dosjeve sekrete do të duhet të presë më gjatë. Në të shkuarën, janë bërë përpjekje të ndryshme për të miratuar ligjin. Përpjekja e parë u bë pas ndryshimeve demokratike në 2009-n, dhe e fundit më 2004-n, kur SPO, një nga partitë politike serbe, paraqiti ligjin. Por ligji nuk pati kurrë mbështetje të gjerë në Parlamentin serb. Pjesa më e madhe e partive politike në Serbi, aktualisht janë në favor të deklasifikimit të dosjeve, duke thënë se mbështesin bërjen publike të emrave të autorëve të krimeve të luftës të përmendur në ato dosje.
Informacionet sensitive
Sekretari i shtetit në Ministrinë e Drejtësisë në Serbi, Slobodan Homen, beson se përveç implementimit të ligjit të ri, qeverisë së re do t’i duhet të formojë një komision të veçantë për t’u marrë me një çështje të tillë të ndjeshme.
“Këto dokumente janë të mbushura me informacione sensitive, jo vetëm për personat publikë, por edhe për qytetarët e zakonshëm. Për këtë arsye kemi nevojë për dikë që do të vendosë se çfarë duhet bërë publike, çfarë është e vërtetë dhe çfarë është keqpërdorim (i informacionit)”, shpjegon Homeni. Serbia pritet të përdorë modelin europian për lirinë e informacionit, sipas të cilit çdo person mund të shohë dosjen e tij, ndërsa ndalohet keqpërdorimi i informacionit nga një palë e tretë. Arkivat e Serbisë mendohet se përmbajnë mijëra dokumente sekrete për vrasjet politike, kërcënime të politikanëve dhe kriminelëve, marrëdhëniet me agjencitë vendore dhe të huaja të inteligjencës. Përmbajnë gjithashtu informacione për qytetarët në gjithë ish-Jugosllavinë, si dhe qytetarët serbë”. Serbia është vendi i fundit në Europë që do të hapë arkivat sekrete.
Vullneti politik
Vullneti politik është kusht i nevojshëm për të miratuar ligjin për hapjen e dosjeve sekrete në Serbi, thanë pjesëmarrësit në një takim në Beograd më 21 prill 2012. Në takim u lexua një letër nga raportuesi për Serbinë në Parlamentin Europian Jelko Kacin. Ai deklaroi se ishte një çështje vullneti për të çliruar shërbimet sekrete nga barra e mbetur prej periudhës së komunizmit dhe Sllobodan Millosheviçit, njoftonte TANJUG. Në tryezën e rrumbullakët mbi reformën e sektorit të sigurimit dhe mbi hapjen e dosjeve sekrete, të organizuar nga Qendra për Studime Euroatlantike (CEAS), u tha që “çmontimi i shërbimeve të sigurimit” do të thotë çmontim i institucioneve që janë çelësi drejt një regjimi totalitar dhe që duhet bërë. Kacin shkruante në letrën e tij se ka pasur shumë më tepër për të bërë, sidomos në rastet për hetimet mbi terrorizmin shtetëror, si vrasja e gazetarit dhe botuesit të njohur serb Sllavko Çuruvija (1949-1999) dhe sfondi politik pas vrasjes së Kryeministrit Zoran Gjingjiç (1952-2003). Kryetari i Lëvizjes për Ringjalljen Serbe, Vuk Drashkoviç, tha se ky krim ishte “ende sekret në Serbi”, dhe se kriminelët ishin të mbrojtur. Duket se udhëheqësve të vendit u janë bërë shpeshherë shantazhe nga shërbimet sekrete, prandaj nuk mund të bëhet reforma dhe nuk mund të hapen dosjet, vuri në dukje ai. “Do të kishte shumë rëndësi të zbulohej roli i Rusisë dhe organeve të saj në bllokimin dhe presionin mbi qeverinë në Beograd për të mos lejuar kurrsesi hapjen e dosjeve sekrete”, mendon Drashkoviçi.
Nënkryetari i Partisë Liberal-Demokratike, Ivan Andriç, tha se partia e tij donte hapjen e dosjeve, si dhe mbrojti lustracionin. Mohimi i së drejtës për të hyrë në dosjet sekrete është në fuqi, sepse shërbimet sekrete kanë dashur të ruajnë ndikimin e tyre, por edhe për shkak se individët duan të fshehin rolin e tyre në disa ngjarje.
Marrë nga “Investigimi”
