Katër grupe inspektimesh do të “qepin” raportin në përmbyllje të vitit akademik
Mbi 20 inspektorë, specialistë të arsimit të lartë, kanë nisur kontrollet e detajuara në universitetet private në të gjithë vendin. Janë katër grupe inspektimi, të cilët kanë nisur nga verifikimet dhe shqyrtimet e dokumentacionit në institucionet e arsimit të lartë privat. “Raporti përfundimtar me të dhënat për universitetet private, nisur edhe nga ngjarja e universitetit ‘Kristal’ do të bëhet publik në fund të vitit akademik”, ka sqaruar një prej drejtuesve të grupit të parë të punës. Raporti i detajuar, nëse institucionet i zbatojnë rregullat apo i shkelin ato, do të jepet menjëherë pas mbylljes së sezonit të provimeve për këtë vit akademik.
Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, grupet e inspektimit janë të përbërë me 4-5 specialistë. Ata po inspektojnë universitetet, kryesisht për zbatimin e procedurës, notat e hedhura në procesverbale, dokumentet e firmosura për provimet e dhëna, verifikimin e firmave të profesorëve dhe komisioneve që kanë aprovuar dhënien e diplomave, numrat e amzës, si dhe frekuentimin, procedurat e ndjekura për studentët që kalojnë nga një vit në tjetrin. Inspektorët e Ministrisë së Arsimit dhe Agjencisë së Akreditimit të Arsimit të Lartë, aktualisht po kontrollojnë universitetet edhe për mënyrën se si po zbatohet ligji i arsimit të lartë, i amenduar rreth dy vjet më parë.
Inspektimet
Katër grupet e punës u ngritën menjëherë me një udhëzim të ministrit të Arsimit dhe propozim të ekspertëve të arsimit të lartë, pas publikimit të skandalit me diplomën fiktive të lëshuar nga universiteti “Kristal”. Edhe Komisioni i Arsimit dhe Medias ka kërkuar nga ministri i Arsimit të nisin menjëherë kontrollet për vërtetësinë dhe autenticitetin e diplomave të lëshuara nga institucionet e arsimit të lartë privat në vend. Ndërkaq, javën e ardhshme, kreu i shkencës, Myqerem Tafaj, pritet t’u përgjigjet pyetjeve të anëtarëve të komisionit të arsimit. Këtë javë Këshilli i Ministrave, me propozim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës i ka hequr licencën për një periudhë të përkohshme universitetit “Kristal”. Gjatë një viti në këtë institucion do të kryhen verifikime dhe kontrolle, ndërkohë që nuk do të ketë pranime për vitin e ri akademik. Deri tani, ajo që është bërë e ditur nga vendimi lidhet me studentët që janë në proces studimi. Ata do të vijojnë të ndjekin programet e studimit dhe nëse shlyejnë të gjitha detyrimet, provimet, do të pajisen me diplomë. Për këtë vit akademik, universiteti nuk do të pranojë studentë as në ciklin e pasuniversitarëve.
Ngjarja
Mekanizmat verifikuese dhe debati për fiktivitetin e diplomave në arsimin e lartë janë ndezur menjëherë pas denoncimit të skandalit të mediave italiane të diplomës së djalit të Umberto Bossi-t, firmosur në universitetin “Kristal”, pa qenë në Shqipëri dhe duke shlyer provimet e tre viteve në një vit.
Inspektimi i universiteteve private po bëhet nga grupe monitorimi me specialistë nga Ministria dhe Agjencia e Akreditimit të Arsimit të Lartë
Vendimi
Këshilli i Ministrave miratoi vendimin: “Pezullimi i pjesshëm dhe i përkohshëm i licencës së shkollës së lartë universitare jopublike universiteti ‘Kristal’”, për të gjitha programet në të dyja ciklet e studimit, që ofron ky institucion i arsimit të lartë. Sipas këtij vendimi, shkolla e lartë universitare jopublike universiteti “Kristal”, gjatë periudhës së pezullimit, nuk pranon studentë të rinj në asnjë nga programet e studimit që ajo ofron.