Të rinjtë japin disa përgjigje pozitive, shkëlqen në debutim portieri i ri i kuqezinjve, Etrit Berisha


Fitorja e dytë radhazi në tri ndeshje, që italiani drejton Shqipërinë


Altin Manallari


Një gol i Emiljano Vilës në Stamboll i mjafton Shqipërisë për të mposhtur Iranin, që u konsiderua si prova vendimtare për ekipin e rinovuar të trajnerit Xhani De Biazi, ose e thënë në gjuhën popullore “e treta e vërteta” në stolin e Kombëtares. Fitorja e dytë radhazi për kuqezinjtë, që dëshmojnë rritje dhe ekuilibër në lojë, por edhe një anë psikologjike e mirë për të karikuar me mentalitet fituesi një ekip vërtet të rindërtuar, ku tekniku De Biazi po implementon pak nga pak idetë e tij. Ndaj Iranit u pa në fushë një skuadër krejt ndryshe ku titullarët e vetëm të së shkuarës ishin Cana, Bulku, Bakaj, Vila dhe Lila. Pjesa tjetër ishin prurje të reja, që bënë një paraqitje pozitive në Stamboll. Kundërshtari që kuqezinjtë kishin përballë ishte më i fortë se Katari, madje i renditur i 51-ti në klasifikimin e FIFA-s, ndaj mund të konsiderohej si testi i vërtetë i skuadrës sonë në këto miqësore para ndeshjeve zyrtare kualifikuese për Botërorin 2014, pasi edhe takimi i gushtit me Moldavinë nuk shihet në nivelet e kësaj ndeshjeje. Dhe përgjigjet që mori nga individë të veçantë ishin më se pozitive, përjashto ndonjë problem të hasur aty-këtu. Konkretisht, ndaj Iranit, në Stamboll, bënë debutimin zyrtar me fanellën e Kombëtares dy lojtarë kosovarë, Etrit Berisha i Kallmarit në Suedi, i cili ishte vendosur mes shtyllave kuqezi, ndërsa në mesfushë, pati vend edhe për Mërgim Brahimin e Grasshopersit në Zvicër. Në mbrojtje, Mërgim Mavraj luante ndeshjen e dytë, pasi e bëri “sefte” ndaj Katarit, pesë ditë më parë. Bogdani qëndroi në stol, sepse sulmi ynë në pjesën e parë i ishte besuar një “pyke” të vetme, Edgar Canit, i cili ndihmohej nga Bakaj. Ndërsa në të dytën, me futjen e Sadikut, reparti ynë ofensiv u bë me dy lojtarë. Lila ishte vendosur në pozicionin e tij të krahut të djathtë të mbrojtjes, në vend të Dallkut. Ka qenë një sfidë tejet luftarake, shumë ndërprerje të lojës, goditje dënimi të shumta për të dyja skuadrat. Lojë agresive nga krahët dhe pasimet në zonë, ku gjendej Edgar Cani. Kjo ishte strategjia që ndoqi De Biazi. Në fushë ishte edhe Vila, i cili kishte probleme muskulore, por me praninë e tij në formacion rezultoi vendimtar në këtë miqësore me golin e shënuar në minutën e 60. Veç tij, në këtë ndeshje spikati portieri Etrit Berisha, i cili debutoi me fanellën kuqezi, duke garantuar qetësi, por edhe duke u treguar vendimtar në disa raste për gol të iranianëve. Mund të konsiderohet një element i fituar, ashtu sikurse Mavraj në mbrojtje. Megjithatë në pjesën e parë, kuqezinjtë kanë vuajtur disi për të dalë në lojën e tyre, ndoshta edhe për shkak të pasimeve të shumta të gabuara, që nuk përfundonin në këmbët e Canit. Në minutën e 60 të pjesës së dytë, Vila përfiton nga pasiguria e mbrojtjes kundërshtare dhe me një gjuajtje të shkëlqyer me pjesën e jashtme e çon topin në rrjetë. Në minutat në vazhdim vendimtar është portieri Berisha, i cili i mohoi Iranit dy herë golin. Me këtë fitore, mund të themi pa frikë se kjo Kombëtare e re na bën të shpresojmë.