Të ndaluarit akuzohen për korrupsion pasiv. Merrnin ryshfet për kontrollin e detyruar të makinave
Një operacion policor i organizuar nga Task Forca e prokurorisë së Durrësit, është finalizuar me ndalimin e 13 punonjësve të kontrollit teknik të automjeteve në Durrës. Të ndaluarit akuzohen për korrupsion pasiv dhe janë prangosur nga forcat e RENEA-s dhe ato të policisë së Durrësit. Mësohet se inspektorët e kompanisë koncensionare “SGS Automotive Albania”, janë ndaluar mbi bazën e provave fillestare të siguruara nga një hetim disa mujor i organit të akuzës, pas marrjes së denoncimeve të disa drejtuesish automjetesh. Gjatë hetimeve të bëra ka rezultuar se të ndaluarit u kanë marrë para qytetarëve në mënyrë të paligjshme, për kontrollin teknik të automjeteve, gjatë punës në Sektorin e Kolaudimeve në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor Durrës. Ky është rasti i dytë i prangosjes së punonjësve të Qendrës së Kontrollit Teknik në Durrës, pasi në janar të vitit 2010 u ndaluan katër persona me akuzën e korrupsionit pasiv.
28 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)