Aktorja më e famshme spanjolle tregon për pasiguritë, jetën dhe familjen e re. “Gjithmonë kam pasur frikë se gabohem. Ardhja në jetë e djalit, më bëri t’i shoh gjërat ndryshe. Më bëri të ndihem më e sigurt dhe më e qetë”.


“Im bir më mësoi të ndihem më e sigurt për jetën”


Penelope Cruz futet në sallon, ulet, dhe nuk e heq për asnjë çast telefonin nga dora. E bukur, elegante dhe shumë në ankth, ngre shikimin dhe shpjegon me një zë që thuaje i dridhet: “E kanë anuluar fluturimin për shkak të shiut, duhet të marrim tjetrin pas tij”. Është aktore, por nuk shtiret dot: “Jam maniake pas kontrollit të gjërave, shqetësohem  për gjithçka. Kjo më ka bërë të vuaj për shumë vjet dhe më ka penguar të jem e qetë, të shijoj momentin”. Tregon se ka nevojë të programojë punën dhe imazhin publik, familjen, orët e ditës, çdo lëvizje. “Që e vogël kam qenë kështu. Një fëmijë që pushtohej nga ankthi”, tregon. Ka lindur afër Madridit në vitin 1974 dhe ishte vajza e një parukiereje dhe e një tregtari. Është rritur me plot komplekse. “Gjithmonë kam pasur frikë të bëj apo të them diçka të gabuar, kështu që nisa të kontrolloja gjithçka, për të mos bërë gabime. Për fat të mirë kam pasur një nënë që gjithmonë më ka kuptuar dhe më ka dhënë guxim”. E kuptoi shpejt se kishte një temperament artisti. Kërcimi klasik e ndihmoi të fliste me gjuhën e trupit, ndërsa në kinema e ndihmoi shumë sensi praktik i bërjes së gjërave. Ka punuar edhe si modele. Tani ka ndërtuar një karrierë ndërkombëtare. “Në të vërtetë kam një personalitet të dyfishtë. Jam e ndarë mes superorganizimit të gjërave dhe improvizimit total. Mjafton të shohësh se çfarë fus në valixhe, për të menduar se jam nga ato që nuk ka udhëtuar kurrë në jetën e saj. Duhet të largohem për një fundjavë? Fus në valixhe veshje për një muaj të tërë. E kam nga ankthi. Ankthi dhe frika se mos kam nevojë për ndonjë gjë dhe pastaj nuk e kam”. Megjithatë, tani ndihet pak më mirë. “Jam përmirësuar shumë dhe ky ndryshim është meritë e lindjes së djalit tim, Leonardo, që më bëri ta shihja botën me sy tjetër. Falë tij nisa ta rijetoja fëmijërinë time me më shumë siguri”. Tani familja për të, është pika më e fortë. Ardhja në jetë e Leonardos, 15 muaj, ka ndryshuar shumë ekuilibra. “Tani vrapon, ecën dhe flet. Është një thesar i vërtetë. Mundohem të mos e lë asnjëherë vetëm dhe të shijoj çdo minutë të rritjes së tij”. Penelope është nga ato aktoret që nuk i pëlqen të ekspozohet shumë. “Kur imazhi yt bëhet publik dhe ti nuk arrin më ta administrosh, atëherë duhet të mbrohesh”.


Nga ana tjetër e ka përjetuar “në lëkurën e saj” se çka do të thotë të jesh e  ekspozuar. Gjatë historive të saja sentimentale me Tom Cruize dhe McConaghley, ishte në qendër të vëmendjes dhe dilte në kronikat e gazetave rozë thuajse çdo ditë. Kështu që pas martesës me Javier Bardem çdo fjali e thënë është e matur mirë dhe daljet nëpër media janë të rralla. “Unë gjithmonë kam qenë e rezervuar. Puna që bëj më ekspozon së tepërmi dhe ata që nuk janë pjesë e spektaklit duhen mbrojtur. Pastaj çfarëdo lloj gjëje që të them për Javier transformohet në një mënyrë të shëmtuar. Kjo është arsyeja që nuk dua të jem e hapur me median”. Përkundrazi, për sa i përket raportit me fansat, Penelope ka zgjedhur një strategji tjetër: “Mos përdor kurrë syze të errëta dhe mos u masko. Përndryshe njerëzit mendojnë se po fshihesh apo që ke vjedhur diçka. Më mirë të dalësh me fytyrë zbuluar dhe të xhirosh përreth në Romë, Londër, Madrid. Nuk dua të heq dorë së jetuari një jetë normale”. Normaliteti kalon edhe përmes një sërë ushtrimesh për t’u relaksuar. Por mbi të gjitha për të kaluar ankthin. “Nga një ushtrim i vogël çdo ditë. Nga ana tjetër, aktrimi më pëlqen shumë. Kur jam në sheshin e xhirimeve është njëlloj sikur bëj terapi. Jam e përqendruar aty dhe nuk mund të mendoj për asgjë tjetër në ato momente. Ndoshta për këtë arsye e pëlqeva shumë edhe personazhin e vajzës shoqëruese që interpretova në filmin e Woody Allen “To rome with love”. U zhyta krejtësisht në këtë personazh pas asnjë filtër social, e aftë të thoshte gjithçka që mendonte. Ishte shumë çlodhëse të hyje në mendjen e kësaj gruaje vërtet të lirë”. Penelope Cruz ka fituar një “Oscar” dhe është aktorja spanjolle më e famshme. Sigurisht që ajo s’e kishte menduar kurrë se do të arrinte deri këtu ku është sot.


Në Alcobendas, vendi ku ka lindur, nuk kishte as edhe një kinema. Të bëheshe aktore dukej një ide e çmendur. E hollë dhe me një fytyrë engjëllore, Penelope e gjatë 1.68 centimetra, është jo vetëm një vajzë e turpshme dhe e rezervuar, por edhe shumë e kulturuar. E ardhur nga një familje borgjeze, e para e tre fëmijëve, babai i saj, Eduardo, ka qenë tregtar, ndërsa e ëma, Encarna, parukiere. Penelope ka lindur në periferi të Madridit më 28 prill të vitit 1974 dhe është rritur në një vend të vogël ku nuk kishte as teatër, ndaj ideja për t’u bërë aktore dukej thuajse një çmenduri. Askush nuk e nxirrte bukën e gojës, me ndonjë punë që kishte lidhje me artin. Por nuk mendonin kështu prindërit kur e regjistruan në një shkollë baleti. “E bënë sepse ishte mënyra e vetme për të nxjerrë energjitë që kisha. Pas një-dy orësh lodhjeje dhe djersitjeje në stërvitje kthehesha më e qetë në shtëpi. Më pëlqente, teksa performoja përpara njerëzve nuk kisha më turp, çuditërisht”. Dashuria për kinemanë nisi kur isha 8 vjeçe, kur në shtëpi sollën një videoregjistrues ‘Betamax’ dhe mbrëmjet e familjes së bashkuar që shihnin filma u bënë zakon. “Në kohën e lirë shihja filma. Merrja me qira nga një të ri çdo ditë, fiksoja batutat, i përsëritja me shoqet, madje ribënim edhe skenat që më kishin pëlqyer më shumë. Falë ‘Betamax’ zbulova Billy Wilder, Audrey Hepburn, Anna Magnani, Sophia Loren. Dhe u dashurova me botën e grave të tij. Ishte e njëjta botë që shihja në sallonin e nënës, kur duke u hequr sikur bëja detyrat, dëgjoja fjalët e tyre, sekretet, problemet me fëmijët, martesën, divorcet, pasiguritë, ëndrrat dhe fantazitë: gjithçka që gjeta në kinemanë e Almodovar. Salloni i nënës ishte shkolla ime e parë për aktore”. Udhëtimi në rrugën e jetës dhe në film i ka dhënë shumë siguri. “Jam qetësuar shumë. Tani jam e përqendruar vetëm në faktin që ta bëj mirë punën time për të mos humbur asnjë mundësi. Por nuk jetoj më vetëm me rregulla. Të gjitha komplimentet që marr për punën e bërë më vlejnë për diçka”. Në fund ndihet e lirë të bëjë shaka edhe për frikën e saj: “Falë teknologjisë ndihem më e sigurt: jam në gjendje të kontrolloj e-mail-et, mesazhet apo të lexoj gazetat. Pastaj jam bërë edhe një organizatore e përkryer pushimesh. Miqtë e mi më përdorin sikur të isha agjenci udhëtimesh. Ulem në internet dhe gjej raste, ide  dhe itinerare të çmendura”. Për sa i përket lidhjes me Bardem sigurisht që nuk kërkon të thotë asgjë. Çifti u takua për herë të parë në vitin 1992, kur ai ishte një model i të brendshmeve intime, protagonist i Jamon Jamondi, Bigas Luna, ndërsa ajo, një 17-vjeçare që sapo kishte xhiruar filmin e parë. Që atëherë janë ndarë e lidhur shumë herë, deri në takimin e vitit 2008, gjatë xhirimeve të filmit “Vicky Cristina Barcelona”, me regji të Woody Allen. Por nëse argumenti për Bardem-in, shokun e jetës së saj është një tabu, Penelope Cruz flet me kënaqësi për rrugën e saj profesionale. Pas kandidaturës për “Oskar” me filmin “Volver” të Almodovar, statuja si aktorja më e mirë jo protagoniste erdhi një vit më vonë me filmin e Woody Allen. Po një vit më vonë, edhe Bardem do të merrte “Oskar” për rolin tij në filmin “Nuk është një vend për pleqtë”, duke u bërë i pari aktor spanjoll që mori një çmim të tillë. “Nuk është një rastësi fantastike? Javier dhe unë kemi nisur së bashku dhe brenda dy vjetëve arritëm të njëjtin objektiv.


Shumë e bukur për të qenë e vërtetë. Por, është e vërtetë”, thotë aktorja. Ajo tregon se vazhdon ta mbajë statujën e vogël në shtëpinë e saj në Madrid, duke e zhvendosur nga një dhomë në tjetrën, para se të vendosë që t’i gjejë një vend përfundimtar. “E kam ëndërruar shumë dhe ende më duket një ëndërr e pamundur”. Një takim me Penelope Cruz është gjithmonë befasues. E bukur, tërheqëse dhe shumë seksi. “Unë një vajzë seksi? Nuk ka mundësi. Peshoj më pak se 50 kilogramë”. E ku ka më mirë, tani që arrin të ketë nën kontroll edhe frikën dhe ankthin.


 


Jamon, Jamon


Në vitin 1992, me regji nga Bigas Luna, nis edhe rrugëtimi drejt kinemasë i Penelope Cruz. Interpreton Silvian, vajzën e një prostitute, e përfshirë në një histori dashurie që përfundon në mënyrë tragjike


 


All about my mother


Filmi i shkruar dhe i drejtuar nga Pedro Almodovar, me të cilin Cruz ka shumë bashkëpunime të suksesshme. Është filmi që e bëri të njohur në nivel ndërkombëtar


 


Vicky Cristina Barcelona


Me regji të Woody Allen, doli në vitin 2008 dhe i dha Cruz-it, çmimin “Oskar”. Interpretoi bashkë me burrin e saj Javier Bardem, që kishte njohur në sheshin e xhirimeve “Jamon, jamon”


 


Frika


Dëshira për të kontrolluar gjithçka mund të shndërrohet në një patologji, një formë ankthi. Sipas institutit kombëtar të sëmundjeve mendore, ankthi, paniku dhe shqetësimet e tjera të ngjashme prekin rreth 19 milionë njerëz në Europë. Gratë konsiderohen më të rrezikuarat.