Afganistan 


Një bombardim jashtë shënjestre vrau tetë anëtarë të një familje


Një sulm ajror i NATO-s ka vrarë tetë anëtarë të një familjeje në provincën lindore afgane të Paktia-s, thonë zyrtarët lokalë. Një zëdhënës i provincës deklaroi se një çift dhe gjashtë fëmijët e tyre humbën jetën pas një sulmi ajror që forcat ndërkombëtare bënë të shtunën në fshatin Suri Khail. Nga ana tjetër, NATO thotë se është duke hetuar për këtë ngjarje. Më parë, aleanca raportoi se katër ushtarë të saj humbën jetën në disa sulme me bomba në Afganistan të shtunën. Zëdhënësi i provincës Rohullah Samoon i tha agjencisë së lajmeve AFP se: “Ishte një sulm ajror i kryer nga NATO. Ky njeri, babai, nuk ka pasur lidhje me talebanët apo ndonjë grup tjetër terrorist”. Nga ana tjetër, zëdhënësi i NATO-s, kolonel Jimmie Cummings, pranoi se forcat e koalicionit kanë kryer një operacion në provincën Paktia “kundër një numri të madh të kryengritësve” natën e së shtunës. Ai tha se aleanca ishte në dijeni të raporteve të humbjes së jetës së civilëve dhe pranoi se ato janë duke u hetuar. NATO-ja nuk ka dhënë detaje për humbjen e jetës së katër ushtarëve të saj dhe as ka bërë të ditur identitetin dhe shtetësinë e tyre. “Ushtarët kanë vdekur nga shpërthimi i bombave të improvizuara”, thuhet në njoftimin zyrtar, por nuk jepen detaje të tjera. Mes tyre mendohet se është edhe një ushtar britanik, vdekja e të cilit është konfirmuar nga ushtria e Mbretërisë së Bashkuar. Uellsit Royal kishte qenë në patrullim në rajon Nahr-e Sarajit në provincën e Helmandit, kur automjeti u godit nga një bombë. Nuk është hera e parë që forcat NATO-s shkaktojnë kaq shumë viktima mes civilëve. Në fillim të muajit mars, një ushtar amerikan në dy lokalitete në provincën e Kandaharit, në Afganistan, la pesëmbëdhjetë të vdekur ndaj një masakre mbi civilët e pafajshëm. Ushtari, që mendohej se vuante nga depresioni, i vrau civilët në gjumë. Mes tyre ishin edhe 9 fëmijë. Kjo i acaroi shumë marrëdhëniet mes Kabulit dhe Uashingtonit. Presidenti afgan, Hamid Karzai, paralajmëroi se numri i madh i viktimave civile të shkaktuara nga NATO mund të dëmtojë marrëveshjen e partneritetit strategjik që ai kishte nënshkruar vetëm me SHBA. Marrëveshja 10-vjeçare përshkruan lidhjet ushtarake dhe civile midis dy vendeve pas përfundimit të misionit të NATO-s në Afganistan në vitin 2014.



Sulmi – Një zëdhënës konfirmoi se një çift me gjashtë fëmijët e tyre mbetën të gjithë të vrarë, kur predhat shkatërruan shtëpinë e tyre në Suri Khail


Tensioni – Bombardimi i gabuar shkakton një tjetër krisje në marrëdhëniet delikate midis Afganistanit dhe NATO-s. Qindra mijëra afganë kërkojnë largimin e “ndërkombëtarëve”