Vajzat në koma, mjekët: Jo më prova zgjimi

Mjekët austriakë: Të provojmë ndërhyrjet në pankreas dhe shpretkë 

Dy pacientet e aksidentuara një javë më parë në Himarë dhe që aktualisht ndodhen për trajtim në Austri vijojnë të mbeten në koma. Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Tri ditë më parë vijuan provat e zgjimit për të dyja pacientet që për një javë, sipas mjekëve, vijojnë të mbeten në gjendje stacionare. Sipas raportimeve të fundit të mjekëve austriakë me kolegët shqiptarë, mjekët e Spitalit Ushtarak, kanë hedhur në diskutim dy variante. I pari është që të riprovohet me provën e zgjimit, ndërkohë që varianti i dytë për përmirësimin e gjendjes së pacienteve dhe zgjimin e tyre do të ishte kryerja e dy ndërhyrjeve. Bëhet fjalë për pacienten që ka më shumë dëmtime. Sipas ekspertizës së mjekëve austriakë propozohet që për ditët e ardhshme stimulimi i zgjimit të njërës nga vajzat e aksidentuara të jetë ndërhyrja në pankreas dhe shpretkë. Ekipi i mjekëve që po kujdeset për trajtimin e pacientëve shqiptare ka rënë dakord që të hedhin në shqyrtim këtë mundësi të re e më pas të shohin reagimin e pacientes, duke shpresuar në zgjim sa më të shpejtë. Po ashtu, sipas mjekëve austriakë, komuniteti kosovar në Austri është bashkuar për t’i ardhur në ndihmë dy studenteve të Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”. Ndihma e komunitetit kosovar nuk është vetëm mbështetje emocionale, por edhe financiare, në rast se do të lindë nevoja.

Sakaq, në kujtim të viktimave të aksidentit tragjik të Himarës, në Kishën Ortodokse Autoqefale “Shën Maria” në qytetin e Elbasanit u mbajt dje një meshë. Besimtarë të shumtë, në mesin e të cilëve studentë të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, u lutën për 13 viktimat e tragjedisë automobilistike të 21 majit në Himarë.

At Nikoll Marku iu drejtua besimtarëve që të luteshin, që tragjedi të tilla të mos ndodhin kurrë më. Ai u lut së bashku me të pranishmit që shpirtrat e viktimave të kësaj tragjedie të prehen në paqe përgjithmonë.

 

Autor te 28 Maj 2012. Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry