Zbulohet një organ sensorial në mantibulat (nofullat) e balenave të familjes Balaenopteridae: një lloj ”arme sekrete”, që ndikon në mënyrën e veçantë të ushqyerjes së këtyre krijesave, më të mëdhatë e planetit. Zbulimi është publikuar në revistën “Nature” dhe mund të ndihmojë të shpjegojë evolucionin e këtyre gjitarëve gjigandë të botës nënujore.
Organi, me përmasat e një kokrre rrushi, mendohet të ketë rol kyç në mënyrën e ushqyerjes dhe koordinimin e lëvizjeve të këtyre kafshëve gjigande.
Studimi është koordinuar nga paleo-biologu Nicholas Pyenson, i Smithsonian Institution në Washington dhe është bazuar në një kampion të marrë nga skeletet e balenave. Shkencëtarët kanë përdorur tomografinë e kompjuterizuar me rreze X dhe kanë arritur të përftojnë një hartë tridimensionale të strukturës së brendshme të indeve të balenave, nga ku është zbuluar një organ sensorial që ndodhet në pikën ku bashkohen nofullat.
“Mendojmë se ky organ ndjesor i dërgon trurit informacione për të koordinuar mekanizmin kompleks të mënyrës së ushqyerjes së balenave. Kjo përfshin rrotullimin në grykë, ndryshimin e gjuhës, zgjerimin e fytit dhe të shtresave të yndyrës, që zgjaten nga turiri deri tek kërthiza, për ti lejuar këto balena të gëlltisin sasi të mëdha uji, rreth 80 metra kubë ujë me gjah të llojeve të ndryshme”, ka shpjeguar Pyenson.
Sipas ekspertëve, organi sensorial, mund të ketë qenë kyç në evolucionin e trupit të këtyre gjitarëve dhe japin një shembull se si këto kafshë kanë gjetur zgjidhje përpara sfidave të të ushqyerit në ujë. Studimi është i rëndësishëm sepse sqaron një mekanizëm, deri më tani misterioz për mënyrën e ushqyerjes së këtyre gjigandë nënujorë, por edhe për metodën e përdorur që integron metodat tradicionale me ato moderne, me modelet matematikore.
28 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)