Shumë kanë humbur besimin se blerja e aksioneve është një vendim i logjikshëm.


Një dekadë më parë, blerja e aksioneve nga investitorët e vegjël shihej si një ndryshim rrënjësor në shoqërinë dhe politikën amerikane. Disa deklaronin me mburrje se në SHBA ka më shumë aksionerë kompanish se sa ka anëtarë sindikatash. Për shkak të interesave tepër të ulëta ose të papërfillshme që ofroheshin nga depozitat bankare që nga viti 2000 e prapa, njerëzit zgjidhën produktet e ndryshme financiare që tregtohen në bursë me shpresë për të fituar diçka të pranueshme nga kursimet e tyre.


Por kriza financiare dhe, së fundmi, fluska që ndoqi nxjerrjen për herë të parë në treg të hapur të Facebook, duket se po i ndryshojnë gjërat.


Alex Tsesis, një profesor i jurispudencës u josh sërish nga ideja e investimit në bursë, pas reklamës së madhe që mori Facebook. Ai i shiti aksionet që bleu fillimisht me humbje prej 2200 dollarësh dhe u betua se do të heqë dorë përgjithmonë nga bixhozi i bursës.


“Tani jam shumë i bindur se nuk është e mundur për një kursimtar të vogël të luajë në nivelin që kërkon tregu i aksioneve,” tha Tsesis për NYT. “Tani po përpiqem të largohem nga bursa përgjithmonë.”


Tsesis është vetëm njëri nga miliona amerikanë që po tërhiqen nga investimet në aksione, një tendencë që ka filluar shumë kohë para se facebook të kryente daljen e parë në treg të hapur. Numri i amerikanëve që raportuan se kanë një farë lidhjeje me investimet në bursë është sot më i ulëti që nga viti 1998, kur Gallup filloi të pyesë popullatën një herë në dy vjet. Këtë vit, 53 për qind e amerikanëve raportuan se kishin në gjendje investime në aksione nga 67 për qind që qenë në vitin 2002. Dhe një vrojtim tjetër zbuloi se vetëm 17 për qind e amerikanëve kishin ndër mend të investonin në bursë ndërsa shumica do të kënaqej me interesat e papërfillshme që përfitohen nga depozitat bankare.


29 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)