Sport Bekim Balës i jepet çmimi “Talenti i sezonit 2011-2012”

Bekim Balës i jepet çmimi “Talenti i sezonit 2011-2012”

913
SHPËRNDAJE

Shkodrani fiton edicionin e katërt të “Sporti na bashkon”

Altin Manallari

Është Bekim Bala fituesi i çmimit “Talenti më i mirë i sezonit për 2011-2012”, një trofe individual, i cili jepet  nga shoqata sportive “Sporti na Bashkon”. Vlerësohen gjithashtu edhe të rinj të tjerë të talentuar të këtij edicioni futbollistik të kampionatit shqiptar si Erjon Vucaj, Albi Dosti, Ansi Nika, Elvis Premçi dhe Bledi Shkëmbi.

Gjithçka është bërë publike në ceremoninë e edicionit të katërt të këtij çmimi, të dhënë nga shoqata sportive “Sporti na bashkon”, e cila u zhvillua në sallën kryesore të Teatrit Popullor. Një komision i posaçëm i kësaj shoqate kishte përzgjedhur më parë një listë prej 20 futbollistësh të rinj të talentuar. Dhe ishte pikërisht sulmuesi i Tiranës, lojtari i cili mori më shumë vota nga gazetarët sportivë. Kjo është hera e dytë, që sulmuesi shkodran e fiton këtë çmim, pasi më parë e kishte marrë në përfundim të sezonit 2009-2010, por atëherë, ai aktivizohej në radhët e Vllaznisë. Presidenti i shoqatës, Leka Kosta, theksoi se me këtë trofe të veçantë, “Shoqata ‘Sporti na Bashkon’, dëshiron të kontribuojë dhe të nxisë sa më shumë talentet”, Ndërsa sekretari Gëzim Nushi, veçoi faktin se,  “ky çmim është një motiv më shumë për të rinjtë për të dhënë maksimumin e tyre”. Trofeun,  fituesit Bala ia dorëzoi ish-trajneri i Tiranës dhe i Kombëtares, Shyqyri Rreli, si dhe shefi i Sporteve në Bashkinë e Tiranës, Artan Pogoni. I përzgjedhuri Balaj, pas marrjes së çmimit, theksoi se ndihej shumë i vlerësuar nga gazetarët sportivë dhe se dëshironte që këtë sukses ta ndante me skuadrën e Tiranës dhe familjen e tij, të cilat e kanë ndihmuar të arrijë deri këtu. “Ndihem shumë i vlerësuar, nuk mund të rri pa përmendur edhe tekniku i Tiranës, i cili ka një meritë të veçantë për paraqitjen time në këtë sezon, por po ashtu të gjithë stafin dhe të gjithë shokët e skuadrës, të cilët më kanë ndihmuar jashtë mase. Çmimin dëshiroj ta ndaj edhe me familjen time”, tha fituesi Bala. Çmimin e dytë e fitoi mesfushori shkodran i Laçit, Erjon Vucaj. Në mungesë të lojtarit, pllakatin ia dorëzoi Armir Grimës, drejtorit sportiv të Vllaznisë, specialisti dhe trajneri i njohur, Andra Marko.

Me çmim të tretë u nderuan dy futbollistë të Teutës, mesfushori Albi Dosti (iu dorëzua nga gazetari i mirënjohur sportiv, Besnik Dizdari) dhe Ansi Nika (iu dorëzua nga ish-portieri i Partizanit dhe i Kombëtares, gazetari Mikel Janku). Çmimin “Inkurajues” e mori mbrojtësi i talentuar i Kukësit të Kategorisë së Parë, por që sezonin e ardhshëm do të luajë në Superiore, Elvis Premçi. Pllakatin ia dorëzoi presidenti i ri i Kukësit, Safet Gici.

Çmimin “Fair-play” e mori kapiteni i Skënderbeut, Bledi Shkëmbi, për kontributin në fitimin e titullit kampion, por dhe në sjelljen sportive brenda dhe jashtë fushës. Çmimi iu dorëzua nga ish-sulmuesi i Tiranës dhe ish-trajneri i Skënderbeut, Indrit Fortuzi. Në tri edicionet e para këtë çmim e kanë fituar Emiljano Vila (2008-2009), Bekim Bala (2009-2010) dhe Armando Vajushi e Odise Roshi (2010-2011).

 

Fituesit e këtij viti

Talenti i sezonit 2012

Bekim Bala (Tirana)

Çmimin e dytë

Erjon Vucaj (Vllaznia)

Çmimi i tretë

Albi Dosti (Teuta)

Ansi Nika (Teuta)

Çmimi “Inkurajues”

Elvis Premçi (Kukës)

Çmimi “Fair-Play”

Blendi Shkëmbi (Skënderbeu)

 

Fituesit në vite

Sezoni 2008-2009

Emiljano Vila (Teuta)

Sezoni 2009-2010

Bekim Bala (Vllaznia)

Sezoni 2009-2010

Armando Vajushi (Vllaznia)

Odise Roshi (Flamurtari)

Sezoni 2011-2012

Bekim Bala (Tirana)