Mushka është kafsha më e përdorur për transportin e drogës sot


Mbi 300 kilogramë hashash u kapen nga policia e Gjirokastrës në operacionin e koduar me emrin ‘Karvani’. Droga kishte dalë nga fshati Lazarat dhe po transportohej me mushka në drejtim të Delvinës e më pas të Sarandës.


Rreth orës 01.30, policia e Gjirokastrës mbërriti në malin e Sopotit mbi fshatin Lazarat, ku kanë bashkëpunuar edhe me Policinë e Delvinës dhe janë afruar në drejtim të shtetasve që transportonin lëndën narkotike.


Pesë shtetasit që po bënin transportin kanë braktisur kafshët dhe janë larguar me shpejtësi në drejtim të shpatit të malit Sopot duke përfituar nga errësira dhe shiu i rrëmbyeshëm, që po binte gjatë gjithë natës. Në vendin e ngjarjes policia gjeti 300 kilogramë hashash.


Këtë vit në qarkun e Gjirokastrës janë sekuestruar mbi 2 tonë lëndë narkotike që besohet se e ka origjinën nga fshati i shumënjohur për kultivim. Në shumicën e rasteve, policisë i ka mbetur në dorë droga, ndërsa trafikantët ia kanë dalë të arratisen.


29 Maj 2012 (gazeta-Shqip.com)