Prokuroria lexon kërkesën për gjykim. Prova e vetme, vetëm videoregjistrimi
Gjykata e Lartë ka hapur shqyrtimin e çështjes “Prifti-Beqiraj”, duke kërkuar leximin e provave që disponon prokuroria. Përfaqësuesi i akuzës, Bujar Sheshi, ka lexuar kërkesën për gjykim, në të cilën nuk kishte asnjë person që thirrej dëshmitar, por vetëm një video ku shfaqeshin dy të pandehurit, duke ndarë një shumë parash. Ndërkohë, avokatët e të pandehurve kërkuan që të rrëzohej prova e vetme e akuzës, videoregjistrimi në bazë të precedentit “Meta”, pasi është marrë në rrugë të jashtëligjshme. Megjithatë, trupi gjykues i kërkoi përfaqësuesit të akuzës që të paraqesë provat një e nga një, dhe si fillim u lexua kërkesa për gjykim. Prokurori Sheshi tha se ky procedim është regjistruar në bazë të një videoje të rikuperuar nga eksperti Glen Bard i caktuar për kryerjen e ekspertimit teknik të çështjes “Meta-Prifti”. Rezultoi se në kamerën/orë ekzistonte dhe ky regjistrim (video) i fshirë. “Kjo video është realizuar në datën 11.03.2010 dhe në të janë regjistruar dy persona, njëri ndër të cilët është i pandehuri Dritan Prifti, në atë kohë ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe njëkohësisht deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe tjetri i pandehuri Leonard Beqiraj, në atë kohë zv.ministër i Ekonomisë. Nga përmbajtja e këtij regjistrimi del se të pandehurit e mësipërm kanë zhvilluar biseda për përfitime financiare të parregullta që vijnë nga ushtrimi i funksioneve të tyre publike. Sipas këtij regjistrimi, ata kanë ndarë ndërmjet tyre një shumë prej 69 mijë eurosh”, tha prokurori, duke vijuar se nga hetimet e zhvilluara për këtë çështje penale ka rezultuar e provuar se të pandehurit Dritan Prifti dhe Leonard Beqiraj, për shkak të funksioneve të tyre shtetërore, kanë marrë shpërblime të pamerituara në shumën 69 mijë euro, të cilat i kanë ndarë midis tyre. “Kjo vërtetohet qartë nga pamjet dhe përmbajtja e bisedës së zhvilluar mes dy të pandehurve. Fakti që të pandehurit nuk kanë dhënë asnjë shpjegim bindës, për identifikimin e burimit të këtyre parave, rrugën që është ndjekur deri në mbërritjen tek ata të kësaj shume, si dhe identitetin e plotë të personave të tjerë që përmenden në video si transportues apo marrës të një pjese të parave, provon se këto para kanë ardhur nga një burim i paligjshëm. Theksojmë se për shkak të funksioneve shtetërore që ushtronin, të pandehurit nuk kishin për detyrë të administronin dhe të ndanin para”, pohoi në gjykatë prokurori. S.Çobo
Provat e akuzës
Eurot – Kartëmonedhat euro që shfaqen në regjistrim nuk janë para që përdoren në administratën dhe institucionet shtetërore në Republikën e Shqipërisë
Regjistrimi – Kjo video është regjistruar disa kohë pas videos kur është regjistruar biseda e tij me shtetasin Ilir Meta, në zyrën e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës
Ora/kamerë – Pajisja regjistruese që ka regjistruar këtë video është e njëjta me atë që ka kryer regjistrimin e videos me shtetasin Ilir Meta, pikërisht ora-kamerë dixhitale