Policia e Durrësit vijon hetimet për zbulimin e rrjetit të trafikut
Tentuan të transportonin hashash drejt Italisë, prangosen në port dy persona, mes të cilëve një femër. Drejtoria e policisë së qarkut Durrës njoftoi se një tjetër sasi lënde narkotike që synohej të trafikohej drejt Italisë, nëpërmjet Portit të Durrësit, ka rënë në duart e policisë gjatë orëve të para të ditës së sotme. Droga, e ndarë në 45 pako të veçanta, do të transportohej me automjetin tip “Mercedes Benz” me targa AA 875 DS, i cili është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Ndërkohë pas peshimit të lëndës narkotike ka rezultuar se në total ishte 27 kg e 568 gramë. Të arrestuarit janë: Agron Budini, 52 vjeç, me banim në Fier dhe Kozeta Zaçe, 33 vjeç, banuese në Tiranë, e cila ishte pasagjere në automjetin e drejtuar dhe në pronësi të Budinit. Grupi hetimor vijon punën për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në trafikimin e lëndës narkotike, si porositësit, ashtu edhe personat që kanë bërë sigurimin e saj, ndërkohë që mësohet se dy të arrestuarit kishin lidhje shoqërore mes tyre.
30 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)