Pas dështimit të raundit të parë për votimin e kreut të shtetit, për faktin se nuk u arrit konsensusi për një emër konkret nga ana e opozitës dhe mazhorancës, ka rezultuar e dështuar edhe mbledhja e sotme e Konferencën e Kryetarëve për të diskutuar vendosjen e datës për raundin e dytë për votimin për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.
Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve, e kryesuar nga kryetarja Jozefina Topalli, është mbyllur pa një konsensus mes mazhorancës dhe opozitës. Përfaqësuesit e opozitës nuk kanë dhënë dakordësinë e tyre për datën 4 qershor, të propozuar nga ana e mazhorancës, pasi mbështetën idenë për një raund të dytë më datë 5 qershor.
Përmes një njoftimi, faqja zyrtare e Kuvendit të Shqipërisë sqaron se: “Në konferencë u morën në shqyrtim të gjitha opsionet e mundshme që lejon rregullorja dhe në përfundim shumica e anëtarëve të Konferencës mbështetën propozimin që raundi i dytë për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Shqipërisë të zhvillohet ditën e hënë, dt. 04.06.2012, ora 10:00”. Por sipas asaj që thuhet nga zyra e shtypit të kuvendit, në kushtet kur mungoi konsensusi i opozitës edhe për datën e raundit të dytë të votimi të presidentit, u vendos se zgjedhja e njërës prej alternativave të dhëna nga opozita dhe mazhoranca duhet të bëhet sipas rregullores, në seancën e nesërme parlamentare.
30 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)