Seanca sotme e Kuvendit, e mbledhur rreth orës 10:30, duhet të përbënte në fakt edhe raundin e parë të votimit për zgjedhjen e presidentit të republikës, por mund të konsiderohet që tani e dështuar. Kjo, pasi takimi i dy negociatorëve të ngarkuar nga partitë kryesore, PD dhe PS ka rezultuar po ashtu një dështim. PS nuk e ka pranuar kandidatin ‘konsensual’ për president të paraqitur nga ana e mazhorancës duke e cilësuar atë të njëanshëm. Ndërkohë, grupi i deputetëve të PS kanë qenë të pranishëm në seancën e kuvendit ku është diskutuar pikërisht për çështjen aktuale të politikës shqiptare. Në fjalën e tij, kreu i grupit të PS, Gramoz Ruçi ka akuzuar mazhorancën për negociata të njëanshme vetëm me partnerët e qeverisë, ndërkohë që ka theksuar se ky është një skenar i përsëritur si ai i 5 vjetëve më parë për zgjedhjen e presidentit të republikës.
“Si në 2007 edhe sot në 2012, është i njëjti regjisor dhe i njëjti skenarist dhe prodhohet e njëjta politike. Opozita ka qenë serioze dhe i ka ofruar mazhorancës vullnetin e mirë politik për të zgjedhur kreun e shtetit. Ndaj ne kemi kërkuar një dialog dhe dakordësi dhe konsensus politik mes mazhorancës dhe opozitës. Sot opozita përjashtohet nga dialogu. Dialogu bëhet me kundërshtarin dhe jo me veten, dhe negociata nuk bëhet me partnerin, por me kundërshtarin politik”, ka deklaruar Ruçi.
Më tej kreu i grupit të PS ka ritheksuar edhe një herë gatishmërinë e opozitës shqiptare për të kontribuuar, në përputhje edhe me kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë, për t’i dhënë vendit një president të të gjithëve.
“Kemi përpara 100-vjetorin e pavarësisë, që nuk të përket vetë ty apo mua, por i përket të gjithë shqiptarëve, dhe ne duhet të mendojmë për dhuratën e shqiptarëve. Ju thoni që të zgjedhim presidentin që keni propozuar ju. Këtu nuk kemi të bëjmë me konsensus. Opozita do të jetë e gatshme në çdo moment, se asnjëherë nuk është vonë për të ngritur një proces, për të dialoguar dhe për t’i dhënë vendit kreun e shtetit”, – theksoi kreu i grupit parlamentar të PS.
Ndërkohë, kryeministri Berisha, në fjalën e tij në seancën e sotme plenare ka ripërsëritur akuzat ndaj opozitës për një bllokim të njëanshëm të procesit të zgjedhjes së presidentit, duke theksuar se mazhoranca po përpiqet vetëm të zbatojë kushtetutën e vendit, e cila thotë se në tre raundet e para presidenti duhet të votohet me më shumë se tre të pestat e votave.
“Mazhoranca ka një marrëveshje për të zgjedhur presidentin mes PD dhe LSI, por ështëׁ ngritur mbi këtë marrëveshje për të zbatuar kushtetutën, të cilën e kemi shkruar siç ka dashur PS dhe kreu i saj. Ka kërkuar që 3 raundet e para të votohet me tre të pestat, dhe e kam konsideruar si kërkesë të denjë. Pasi, duhet që shqiptarët të shohin te kreu i shtetit të tyre një njeri me një mbështetje më të gjerë të mundshme. Bazuar në këtë, ne filluam, konsultimet dhe dëshironim që këto konsultime të vazhdoni me ju dhe kjo është e domosdoshme”, – theksoi Berisha.
Në mungesë të një konsensusi mes opozitës dhe mazhorancës për emrin e propozur nga PD, raundi i parë digjet dhe kryetarja e kuvendit, Jozefina Topalli ka mbyllur seancën e sotme duke ftuar konferencën e kryetarëve që të mblidhen për të caktuar raundin e dytë për zgjedhjen e presidentit.
30 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)