Gjykata e Lartë e Britanisë së Madhe ka vendosur që themeluesi i ‘WikiLeaks’, Julian Asanzh, të ekstradohet në Suedi për t’u përballur me akuzat që rëndojnë mbi të për “ngacmim seksual”.

Kjo Gjykatë ka kundërshtuar pretendimet e Asanzhit, se urdhër-arresti i tij ishte i pavlefshëm. Asanzh ka bërë përpjekje gati dy vjet duke luftuar për kërkesën e tij që të bllokohej ekstradimi në Suedi, duke i cilësuar akuzat e ngritura ndaj tij si tërësisht të sajuara pas publikimit të kabllogrameve të diplomacisë amerikane nga ana e ‘Wikileaks’.


Dyzetvjeçari australian ndodhet aktualisht në arrest shtëpiak në Londër, dhe pas vendimit për transferimin në Suedi, vend ku është akuzuar për ngacmim seksual, do të përballet me akuzat e ngritura ndaj tij.


Nxjerrja e  kabllogrameve me korrespondencën sekrete të diplomatëve amerikanë në mbarë botën nga “Wikileaks” shkaktoi një tërmet të vërtetë në mbarë diplomacinë botërore dhe u bë një nga çështjet më të diskutuara, pasi prekte shtetarët e pothuajse të gjitha vendeve dhe kishte të dhëna personale, me të cilat pas publikimit, mund të kishte akses kushdo.


30 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)