Teknologjia ofron mundësi të mëdha, por kush nuk i kupton… është i humbur
Rezistenca ndaj ndryshimit është e “shëndetshme”: na mban nën kontroll përmes zgjedhjeve të rëndësishme
Mjafton të shohësh një film të viteve ’90, ose të hedhësh një vështrim mbi tavolinën e shkrimit të vitit 1995 për të kuptuar sesa thellësisht ka ndryshuar jeta jonë në një kohë kaq të shkurtër. Interneti, celularët, tv satelitorë apo rrjetet sociale e kanë shtrembëruar gradualisht botën. Por ja ku jemi, të ndryshuar rrënjësisht duke bërë një jetë të pasur dhe të mbushur me shumë histori e ngjarje. “Sot bëjmë më shumë gjëra në një kohë të shkurtër, kemi mundësi të reja për të lëvizur dhe për t’u lidhur. Dekadat e fundit kanë treguar se njeriu ka aftësi të jashtëzakonshme dhe ky është zbulimi më i madh i epokës sonë. Nuk jemi përshtatur, por rinovuar”, shpjegon një docent psikologjie në Universitetin La Sapienza në Romë. Megjithatë frika për të ardhmen vazhdon të ekzistojë. Teknologjia do të dominojë mbi ekzistencën tonë dhe do të shënojë çastet vendimtare mes atyre që do të kenë një rol aktiv në shoqërinë e të nesërmes dhe kush do të përjashtohet. Por a do t’ia dalim?
“Qeniet njerëzore e kanë të vështirë t’i përballojnë ndryshimet, sepse të gjithë kanë nevojë që të jetojnë në një botë të parashikueshme. Kjo na ndihmon të paramendojmë sjelljen e të tjerëve dhe se cilat do të jenë pasojat e veprimeve tona”, thotë një psikolog. “Le të mendojmë për rutinën e përditshme. Mund të na duket e mërzitshme, por çdo mëngjes ne planifikojmë pothuajse të gjithë ditën, për shembull që zilja do të bjerë në një orë të caktuar, apo që mësimi do të fillojë në 08:00 dhe se në punë do të gjejmë të njëjtët kolegë të një dite më parë”. E njëjta dinamikë vlen për botën e vlerave dhe të opinioneve. Jo më kot të gjithë e kemi të vështirë të ndërrojmë mendim. E pse ta bëjmë? Nëse do të ndryshonim mendim për diçka të caktuar, jo vetëm që do të prishnim imazhin e krijuar në kokë, por do të vinim në diskutim të gjitha vlerat që lidhen me këtë gjë dhe në fund, do të ndryshonim vetë identitetin tonë. Një fushë tjetër mbi të cilën kemi shumë pak kontroll është ajo e veseve, për shembull kur e kemi të vështirë të lëmë duhanin, apo të ndryshojmë mënyrën e të ngrënës.
E ardhmja të frikëson
Neofobia është një çështje personaliteti. Ndryshon sipas grupit shoqëror, moshës (të moshuarit për shembull janë alergjikë ndaj të resë). Por lajmi i mirë është se mund të ushtrohemi që të bëhemi më të bindur. Si? Duke përdorur disa strategji të thjeshta dhe duke pasur parasysh se neofobia është në përpjesëtim të zhdrejtë me dijen. Sa më shumë të arsimohemi e të jemi në kontakt me lajmin aq më pak u frikësohemi sfidave të reja. Por a mjaftojnë këto armë për të përballuar pasiguritë e mëdha ekonomike dhe sociale që na rrethojnë aktualisht? “Perceptimi i pasigurisë është subjektiv: për shembull jemi më mirë ne apo gjyshërit tanë gjatë luftës? Me ç‘parametra duhet të lidhemi?”, pyet psikologu. “Është e vërtetë që na gënjyen duke na thënë se gjithçka shkon mirë, por në fakt nuk është kështu. Problemi është se ne mësohemi shumë shpejt me mirëqenien dhe ndihemi të frustruar kur kjo gjë na mungon, por sërish kemi mundësi të rinovohemi dhe të gjejmë zgjidhje të reja. Fundja në asnjë epokë nuk është jetuar më mirë sesa sot”. Është e vërtetë, por çfarë pasojash sjell në nivelin psikologjik dhe social pasiguria? Kjo temë u pëlqen shumë shkencëtarëve që merren me çështjet sociale. Sipas tyre, kur njerëzit nuk dinë se çfarë të bëjnë, apo çfarë të zgjedhin përdorin rregullat e situatave të vështira, kur informacionet që vijnë dhe alternativat janë të shumta. Nëse duan të arrijnë në një përfundim pa i përdorur të gjitha alternativat (sepse humbasin kohë dhe energji) zgjedhin atë që u leverdis më shumë në atë moment. Është i çuditshëm fakti që njerëzit janë gjithnjë të prirur të mendojnë se kur një produkt është i shtrenjtë, është shumë i mirë. Ky është një lloj “mesazhi” i shkurtuar, që nga njëra anë na kursen kohën, por nga ana tjetër na ekspozon ndaj rrezikut nënvlerësimit. Kjo do të thotë se çmimi nuk është i vetmi tregues i cilësisë.
Edhe një herë arrijmë në përfundimin se të ndryshosh, të vendosësh dhe të përshtatesh është e vështirë. Por duke pasur parasysh të ardhmen që na pret, të mbushur me ndryshime ekonomike dhe risi teknologjike, vlen të thuhet: nuk ka shumë për të zgjedhur.