Reportazh


Selanik/ Universiteti “Aristotelis”, shoqata “Nënë Tereza” e emigrantëve shqiptarë dhe grupimi “Polidhromos”, konferencë për gjuhën e kulturën


Olimbi Velaj



Rruga për në Selanik ka kohë që është një rutinë për shumë shqiptarë. Nuk është më shumë se tetë orë nga Tirana, por ndonjëherë në Kapshticë vonesat e zmadhojnë kohën e mbërritjes, aq sa shkon edhe 12 orë. “Kur kujtoj se si kam udhëtuar në vitet e para të emigracionit, nuk arrij ta besoj edhe vetë”, thotë Leta, një 60-vjeçare, që la gjithçka në Tiranë kur ishte 40 vjeç dhe nisi një punë e jetë tjetër në Selanik. Ajo fillon të flasë për krizën, për rrudhjen e mundësive dhe për fundin e hidhur të ëndrrës së emigrantëve, shumica prej të cilëve nuk do munden të rrinë gjatë në vendin fqinj. “Unë gatuaj për një pastiçeri greke dhe pronarja më fton çdo dy muaj të shkoj. Gjithë prodhimet i fut në frigorifer pastaj”, tregon gruaja, e cila udhëton rregullisht me linjën Tiranë-Selanik, të një kompanie transporti me bashkëpronësi greko-shqiptare. Kurse njëri nga shoferët tregon se autobusët e kompanisë së tyre janë të vetmit që ndalojnë në stacionin qendror të autobusëve në Selanik.


Në traun e kufirit, ende makinat me targa perëndimore kalojnë si 20 vjet më parë, drejtuesit e automjeteve mbarojnë formalitetet vetëm me një të tundur koke dhe pa dalë fare nga kabina e shoferit. Udhëtarët shqiptarë duket se janë të vetmit mbi të cilët duhen aplikuar hollësisht procedurat. Në Kapshticë “kompjuterët prishen shpesh”. Sidomos në kohë festash,


“Një herë më është dashur të rri 48 orë aty”, thotë gruaja që shkon çdo dy muaj në Selanik.


Në mesnatë, autobusi ka mbërritur në stacionin thuajse të qetë të Selanikut, me njerëz gjysmë të përgjumur, që pinë shumë duhan dhe rrinë nëpër platforma me sytë nga hyrja.


Udhëkryqe gjuhësh e kulturash


Midis ikjeve e ardhjeve, pas dy dekadave, disa shqiptarë kanë vendosur të rikthehen në atdhe. “Është mbase më e lehtë për prindërit, por jo për fëmijët”, thotë Aurela Konduri, mësuese e shqipes në Selanik. E për të mos u ndodhur krejt të papërgatitur përpara kthimeve, mekanizmat e përshtatjes kanë filluar të funksionojnë. Një konferencë e iniciuar nga Fakulteti Pedagogjik i universitetit “Aristotelis”, Selanik, në bashkëpunim me pedagogë të Departamentit të Shkencave, të Edukimit dhe të Arsimit Parashkollor, ka si partner shoqatën e emigrantëve shqiptarë, “Nënë Tereza”. Kjo është konferenca e dytë ndërkombëtare, “Udhëkryq gjuhësh & kulturash: takim greko-shqiptar”, që u mbajt më 18-19 maj 2012 në godinën e Fakultetit Pedagogjik të po këtij universiteti. Një vend të rëndësishëm në këtë konferencë pati edhe grupi “Polidhromos” për dygjuhësinë dhe multikulturalizmin në procesin mësimor dhe shoqërinë vendase.


Artemis Duri, nënkryetar i Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi, tregon se ai dhe disa kolegë janë ftuar nga universiteti dhe shoqata e emigrantëve shqiptarë, “Nënë Tereza”. Në konferencë janë ftuar edhe përfaqësues të Ministrisë sonë të Arsimit. Gjatë bisedave mësojmë se abetaret shqiptare për mësimin e fëmijëve tanë në Greqi, janë kthyer mbrapsht, sepse manifestojnë pasaktësi dhe tendenca që nuk u takojnë fëmijëve 7-vjeçarë që t’i zgjidhin dhe as të përballen me interpretime të shtetit dhe kombit, teksa në hartë shohin kufij të tjerë shtetërorë.


Artur Shkira, mësues, gazetar dhe sekretar i shoqatës së mësuesve shqiptarë, thotë se çdo kolegu që ka një klasë të shqipes i është dashur të përballet me shumë vështirësi, por nuk flitet thjesht për profesion, bëhet fjalë për një mision, që shumë prej tyre po e përmbushin vijimësisht me sukses.


Konferenca ka mbledhur së bashku pedagogë e mësues të të dy vendeve dhe në fund të ditës së dytë, nuk është realizuar vetëm qëllimi, por është arritur edhe një frymë miqësie mes kolegësh.


“Vetëm këto lloj komunikimesh i afrojnë kulturat, gjuhët dhe njerëzit dhe vetëm puna e qasja pozitive e secilit, i lehtëson ose zgjidh problemet”, thotë përkthyesi Dhori Q. Qiriazi, pedagog në Departamentin e Gjuhësisë, Fakulteti i Filologjisë në universitetin “Aristoteli” në Selanik.


Përtej dy dekadave


Në kafenetë dhe restorantet e Selanikut, fundjava ka një pamje tipike të një qyteti turistik. Nuk ke mundësi të mësosh për krizën, nëse nisesh nga klientela e kafeneve dhe tavernave, sepse jo rrallë disa prej tyre janë edhe të tejmbushura. Por kriza greke noton mbi çdo frazë, mbi çdo bisedë, mbi çdo psherëtimë, të çdo greku dhe shqiptari, që ka ndërtuar një jetë në këtë qytet.


“Kthimi mund të jetë i pashmangshëm për disa, kuptohet. Por mua më duket se fëmijët janë ata që do e vuanin më shumë përshtatjen dhe ne prandaj përqendrohemi shumë tek ata në punën tonë”, thotë Valbona Hystuna, kryetare e shoqatës së emigrantëve, “Nënë Tereza”. Ajo rrëfen histori suksesi dhe të tjera histori emigrantësh, që pas dy dekadash ndihen pjesë e të dy vendeve. Iris Hajdinaj, mësuese e shqipes po në Selanik, tregon se ajo dhe familja kanë ndërtuar një jetë në këtë vend, por gjuha amtare, shqipe mbetet një shtysë e fortë për të si nënë dhe mësuese. Edhe Anila Kila, mësuese e shqipes në Athinë, tregon se si përcillet gjuha në brezin e dytë të emigrantëve. Disa prindër nuk e shikojnë me prioritet mësimin e gjuhës shqipe, por tani është e qartë se sa e rëndësishme është njohja e saj. Kriza mbase po shërben si një katalizator për ndërgjegjen e prindërve emigrantë. Konferenca vijon dhe diskutimet për dygjuhësinë e prognozat për arsimimin e fëmijëve bilingë vendosin kufij të rinj informacioni dhe përvoje.


Por gjithsesi, vendi i origjinës, kujtimet dhe zakonet ngrenë krye, sapo një grup shqiptarësh mblidhen bashkë. Kështu ndodhi edhe në Selanik. Kuzhina shqiptare, këngët, atmosfera miqësore, u bënë shoqëruese të orëve pas diskutimeve në konferencë.