BE e shqetësuar për situatën në Veri të Kosovës

Tirana zyrtare:”Dënojmë ashpër dhunën e përsëritur të strukturave paralele dhe bandave serbe ndaj trupave të KFOR-it”

 “Jemi shumë të shqetësuar për situatën aktuale në Veri të Kosovës. Ftojmë palët të tregohen të përmbajtura dhe të bashkëpunojnë me strukturat ndërkombëtare në Kosovë”.

Kështu ka deklaruar Maja Kocijancic, zëdhënëse e Përfaqësues së lartë të BE-së për politikat e jashtme, Catherine Ashton, e pyetur nga gazetarët pas përplasjes së sotme të trupave të NATO-s gjatë operacionit për heqjen e barrikadave të vendosura nga serbët. Më tej ajo ka përsëritur se Bashkimi Europian e konsideron parimin e lirisë së lëvizjes “një parim kyç” dhe si të tillë “është vendosur edhe në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd”. Ndërkohë edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, nëpërmjet një deklarate për shtyp ka shprehur shqetësimin për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës. “Dënojmë ashpër dhunën e përsëritur të strukturave paralele dhe bandave kriminale serbe kundër trupave paqeruajtës të KFOR-it në fshatin Rudarë.

MPJ mbështet vendosmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ushtrimin e sovranitetit të saj, vendosjen e rendit e ligjit për të siguruar lirinë e lëvizjes në të gjithë territorin, në bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in dhe EULEX-in.

Duke i uruar shërim të shpejtë paqeruajtësve të plagosur në aksionin për të siguruar lirinë e lëvizjes në veri të Kosovës, theksojmë se nxjerrja para drejtësisë e autorëve të dhunës, si dhe çmontimi i strukturave paralele e kriminale serbe të sigurisë janë imperative për të vendosur rendin dhe ligjin edhe në këtë pjesë të vendit”, thuhet në deklaratën e MPJ-së.

1 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)

Autor te 1 Qershor 2012. Kryesoret, Rajon. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry