Policia ka shpallur në kërkim dy persona. Droga vinte nga Vlora dhe ishte fshehur në një furgon


Policia e Tiranës ka sekuestruar 250 kg kanabis sativa në Kombinat, ndërkohë që ka arrestuar pesë persona nën akuzën e shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë.


Burimet zyrtare të policisë kryeqytetase deklaruan sot se gjatë operacionit të koduar “Poker”, uniformat blu prangosën: Maltin Lazaj, 24 vjeç, banues në fshatin Hekal, Fier, Haxhi Cani, 42 vjeç, banues në Tiranë, Valter Liço, 46 vjeç, banues në Tiranë, Ali Nelaj, 32 vjeç, banues në Vlorë dhe Xhoni Karaj, 32 vjeç, banues në Tiranë.


Sipas të njëjtave burime, këta shtetas janë hetuar për 3 muaj. “Gjatë hetimit ka rezultuar se bashkëpunëtorë në këtë aktivitet kriminal, janë edhe dy shtetas të tjerë. Këta shtetas akuzohen se së bashku kanë organizuar, drejtuar dhe financuar këtë veprimtari kriminale në fushën e prodhimit, shitjes dhe trafikimit të narkotikëve me sasi te konsiderueshme ne Tiranë e qytete të tjera të Shqipërisë”, thuhet një njoftim zyrtar të Policisë së Tiranës.


Lënda narkotike vinte nga Malësia e Vlorës dhe u sekuestrua në një banesë në Kombinat Tiranë, e fshehur në një automjet tip furgon tip “Benz” me targa TR 8239 M.


“Vazhdojnë hetimet ndaj personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale, si dhe hetimi pasuror i Aseteve Kriminale të përfituara, bazuar në Ligjin “Antimafia”. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë”, përfundon njoftim zyrtar i policisë kryeqytetase.


1 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)