Siri, Merkel e Putin kërkojnë zgjidhje politike

Kreu i Kremlinit viziton Berlinin. Përgënjeshtron lajmin se Rusia furnizon me armë Sirinë

Kancelaria gjermane Angela Merkel dhe president rus, Vladimir Putin, kanë deklaruar se preferojnë një zgjidhje politike për krizën siriane. “Masakra e fundit e Houlës ka treguar edhe një herë sesa e tmerrshme është situata e njerëzve dhe e të drejtave të njeriut në Siri”, ka thënë Merkel në një konferencë për shtyp, pas takimit në Berlin me Putin, i pari pas rizgjedhjes së këtij të fundit në krye të Kremlinit.

“Të dy jemi shprehur në mënyrë të qartë se kërkojmë një zgjidhje politike dhe se plani i Annan mund të jetë ende një pikë nisjeje. Duhet të punojmë me të gjitha energjitë dhe forcat, sidomos në Këshillin e Sigurisë së OKB-së, për implementimin e këtij plani, e nëse është e nevojshme, mbi zhvillimin e aksioneve të tjera politike”, ka vijuar Merkel.

Ndërkohë presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se Rusia nuk mbështet asnjë fraksion në konfliktin sirian dhe ka hedhur poshtë lajmi se Moska po furnizon Damaskun me armë. “Kemi një marrëdhënie të mirë me Sirinë, që zgjat prej disa vitesh, por nuk mbështesim asnjë palë prej nga mund të vijë rreziku për një luftë civile”, ka deklaruar Putin, i cili më tej ka mbështetur deklaratën e kancelares gjermane.

“Jam dakort me zonjës kancelare që objektivi ynë i përbashkët është të shmangim që situata të derivojë një skenar jo të favorshëm. Sot shohim sinjalet e një lufte civile emergjente. Është jashtëzakonisht e rrezikshme. Për sa i përket furnizimit me armë, Rusia nuk furnizon armë që mund të përdoren në konflikte civile”, ka përfunduar kreu i Kremlinit.

1 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)

Autor te 1 Qershor 2012. Botë, Diplomacia. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry