FMN rekomandon ndryshimin e strategjisë së kontrolleve


ARD KOLA


Drejtoria e Pergjithshme e Tatimeve

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve


Nuk do të ketë më kontrolle sipas dëshirës së inspektorit të zonës, por aty ku paraqitet nivel i lartë risku dhe ku shteti humbet nga mosmbledhja e taksave. Pas një pune 4-mujore me FMN, administrata tatimore do të operojë me një strategji të re kontrolli dhe aksionesh në mbarë vendin. Aktualisht janë identifikuar katër sektorët më me risk, transporti, ndërtimi, turizmi dhe karburantet. Burime zyrtare nga administrata tatimore pohojnë për “Shqip” se skema e kontrolleve është bërë gati, me dosje dhe fakte të plota.


“Janë mbajtur nën vëzhgim subjekte që kryejnë evazion dhe nuk respektojnë ligjin, janë fotografuar dhe dosja me shkeljet është e plotë”, sqaron Drejtoria e Tatimeve. Para nisjes së aksioneve, administrata mendon të dialogojë më parë me grupet e interesit, pasi tashmë e ka kuptuar që lufta ndaj evazionit nuk mund të realizohet e vetme.


Të parët që u kontrolluan ishin ndërtuesit, më pas sektori i transportit, dhe më vonë tatimet verifikuan edhe bilancet e noterëve, nga ku u zbuluan me qindra shkelje dhe ku shteti humbiste miliarda lekë. Por duket se sektori i turizmit do të jetë në fokus të këtij sezoni turistik, aty ku tatimet mendojnë se vendin do ta vizitojnë mbi 4 milionë turistë dhe ku pritet një qarkullim i konsiderueshëm paraje. Konkretisht, administrata po merret me inventarizimin e gjithë zonave dhe hartës ku ushtrohet ky aktivitet ekonomik, përgjatë gjithë vijës bregdetare.


Sipas praktikave më të mira, kapacitetet e tatimeve nuk do të shpërndahen për të kontrolluar bizneset sipas një grafiku të caktuar, pasi është e pamundur nisur nga numri i subjekteve, prej 80 mijë (aktivë) dhe kur administrata ka 1600 punonjës, por do të punohet sipas një strategjie të re, të hartuar me ndihmën e FMN-së.


Kështu, në zbatim të planit strategjik të saj dhe në prezantim të strategjisë së re të përmbushjes vullnetare të detyrimeve tatimore, Administrata Tatimore nisi dje në Durrës, ciklin e informimit dhe të bashkëbisedimit me sektorët ekonomikë, të përcaktuar të rëndësishëm për realizimin e objektivave të saj. Takimi me operatorët turistikë, që zhvillojnë veprimtarinë e tyre ekonomike në Qarkun e Durrësit, kishte si qëllim transmetimin e mesazhit se administrata tatimore, është e thjeshtë, shërbyese dhe që mbledh tatimet në përputhje me programin e qeverisë shqiptare, por nga ana tjetër lufton me ashpërsi të gjithë ata që përpiqen të shmangen, të deformojnë apo të mos deklarojnë detyrimet tatimore. Problem për tatimet vijon të mbetet deficiti te mbledhja e taksës së TVSH, ku subjektet përpiqen ta shmangin duke krijuar shoqëri “fantazmë” për shkarkimin e faturave.


 


 


Dosjet


Administrata ka përgatitur dosjet me fakte të sektorëve më problematike, me evazion të lartë


 


Plani i ri i masave


 


Bashkëpunimi


Pas një pune 4-mujore me FMN, administrata tatimore do të operojë me një strategji të re kontrolli


 


“Problematikët”


Aktualisht janë identifikuar katër sektorët më me risk:


transporti, ndërtimi, turizmi dhe karburantet


 


Turizmi


Sektori do të jetë në fokus të këtij sezoni turistik, për shkak të vizitorëve dhe xhirove të larta