Mubarak shqetësime në zemër pas vendimit. Gjykata vendosi burg përjetë edhe për ish-ministrin Habib al-Adly
Gjykata e Kajros ka dënuar me burgim të përjetshëm ish-presidentin egjiptian, Hosni Mubarak, i cili urdhëroi të qëllohej mbi manifestuesit gjatë revolucionit të 25 janarit, ku humbën jetën 850 persona. I njëjti dënim u dha edhe për ish-ministrin e brendshëm, Habib al-Adly, për të cilin prokuroria kishte kërkuar dënimin me vdekje. Pas dhënies së dënimit, Mubarak ka pasur shqetësime në zemër, teksa transportohej për në burgun e Toras.
Sipas televizionit shtetëror egjiptian ish-presidenti Mubarak është ndjerë keq teksa transportohej me helikopter për në burgun e sigurisë së lartë.
Mjekët i kanë dhënë ndihmën e parë në helikopter dhe gjendja e tij shëndetësore vijon të jetë e rënduar. Procesi ndaj Mubarak ka përfunduar pas 10 muajsh seancash dhe nga shumë persona u konsiderua si gjyqi i shekullit.
Ky është gjyqi i parë që zhvillohet për një kryetar shtetit, i rrëzuar nga pushtetit prej “Pranverës arabe”. Në proces janë regjistruar mbi 1.600 dëshmi, pjesa më e madhe e të cilave nga policë dhe dëshmitarë të revoltës. Në seancën e sotme kanë qenë të pranishëm familjarë të viktimave, të cilët kërkuan dënimin me vdekje të Mubarak. Policia ka ndërhyrë për qetësimin e situatës brenda dhe jashtë sallës së gjyqit, pas leximit të vendimit të gjykatës.
2 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)