Aktualitet Ksamil, ai që lejoi ndërtimet pa leje, sot i legalizon

Ksamil, ai që lejoi ndërtimet pa leje, sot i legalizon

154
3
SHPËRNDAJE

“Fiks Fare”

Ish-kreu i komunës, në krye të ALUIZNI-t

Ish-kryetari i Komunës së Ksamilit, z. Vesel Koçiu, gjatë mandatit të të cilit u ndërtuan të gjitha ndërtimet pa leje në zonën e Ksamilit, që prej një muaji është emëruar në postin e drejtorit të ALUIZNI-t në Sarandë. Vesel Koçiu mbahet mend si kryekomunari, i cili lejoi ndërtimin e objekteve pa leje në mes të ditës në Ksamil. Pas vitit 2006, atëherë kur kishte përfunduar dixhitalizimi dhe fotografimi ajror i objekteve, të cilat do të futeshin në proces legalizimi, në Komunën e Ksamilit nisën të lulëzonin ndërtime të reja pa leje. Sipas verifikimeve të bëra në këto zonë, por edhe nga konstatimet e bëra nga komuna ishin rreth 280 objekte të cilat duheshin prishur si të paligjshme.

“Pastrimi i Rivierës 2010” ishte emri i operacionit që Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar nisi në Ksamil. Ndërtimet pa leje në këtë komunë dhe në Butrint do të ishin në shënjestër të fadromave të ardhura nga Tirana.

Në krye të operacionit ishte vetë drejtori i Inspektoratit në atë kohë, z. Gjergj Bojaxhi. Prishjet e objekteve nisën në hyrje të qytezës së Ksamilit, me shembjen e një ndërtese trekatëshe, për të vijuar më tej në një zonë prej 40 hektarësh. Aksionet e prishjes së ndërtimeve pa leje kanë vazhduar edhe më pas. Këto objekte të ndërtuara prej vitesh nën hundën e ish-kryetarit të komunës, z. Koçiu, pas prishjes e kanë kthyer Ksamilin në një vend grumbullimesh të mbeturinave inerte, të cilat nuk u pastruan kurrë. Ndërsa kreu i komunës, gjatë kohës së drejtimit të të cilit u ndërtuan këto objekte pa leje që çdo muaj shtonin katet nuk mbajti asnjë përgjegjësi, madje sot qëndron në krye të ALUIZNI-t të Sarandës, institucion që legalizon ndërtimet e paligjshme. Në një intervistë dhënë për “Fiks Fare”, ai e mohon faktin që ndaj tij, Prokuroria e Sarandës hapi edhe një proces hetimor lidhur me ndërtimin e 260 ndërtimeve pa leje në 3 vjet që ai ka qenë në krye të komunës në zonën e Ksamilit. “Këto janë muhabete gazetarësh dhe nuk janë faktike. Kur kam qenë kryetar komune nuk kam pasur asnjë procedim penal”. Kjo është përgjigjja që ish-kryetari i Komunës së Ksamilit jep kur e pyesin për hetimet që prokuroria nisi pak vite më parë. Kur e pyet për numrin e ndërtimeve pa leje që janë ngritur në Ksamil, ai nuk do të përgjigjet. “Nuk kam mbajtur statistika për numrin e objekteve pa leje në kohën kur isha kryetar. Masakrën në Ksamil nuk e kanë bërë 210 ndërtime, por ata që duan të marrin Ksamilin me dokumente false. Unë nuk jam më kryetar i komunës dhe nuk mund të përgjigjem për këtë. Kam një tjetër detyrë tani”, tha Koçiu.

Ndërkohë “Fiks Fare” disponon një pjesë të procesverbaleve të mbajtura nga oficerët e policisë gjyqësore dy vjet më parë, para të cilëve, zoti Koçiu ka dëshmuar si person i ndodhur nën hetim për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Në atë kohë, sipas këtyre procesverbaleve, ai është marrë në pyetje nga punonjësit e prokurorisë, pasi sipas tyre, gjatë kohës kur ai ka qenë kryetar komune, nuk ka kryer detyrën e ngarkuar me ligj, për evidentimin, pezullimin dhe prishjen e ndërtimeve të paligjshme në këtë komunë. Por zoti Koçiu, i cili sot është në krye të institucionit të legalizimit të ndërtimeve pa leje, preferon t’i quajë thashetheme gazetarësh këto fakte. Ndërkohë, sipas statistikave që disponon Zyra e Agjencisë dhe Legalizimeve në degën e Sarandës në të gjithë rrethin, Sarandë dhe Delvinë, janë evidentuar 5489 objekte në proces legalizimi, nga të cilat 5179 objekte janë sipas formularit A, pra janë objekte të veçanta të ndërtuara nga qytetarë të ndryshëm, dhe 310 objekte janë sipas formularit A1, që janë shtesat e kateve në objektet ekzistuese.

Nga këto objekte ka gjithsej për kalime pronësie 2480 objekte, pra për gati 60% të objekteve që janë në proces legalizimi, është bërë kalimi i parcelave ndërtimore në favor të qytetarëve.

Kryetari i ri i Komunës së Ksamilit konfirmoi se që nga dita kur ai ka marrë këtë detyrë e deri më sot, nuk është ndërtuar më asnjë ndërtim pa leje në Ksamil.

Ndërsa për objektet pa leje të ndërtuara pas vitit 2007 janë mbajtur nga INUV i Komunës së Ksamilit të gjitha procesverbalet e konstatimet dhe vendimet e prishjes. Por edhe atëherë edhe sot, sipas tij, komuna nuk ka mjete për prishjen e këtyre objekteve.

Por, nga ana tjetër, ai ngre problemin e gërmadhave të krijuara pas aksioneve të prishjes nga INUK. Sipas tij, ndërtimet e lëna gërmadhë pas aksionit që ndërmori INUK janë bërë gangrenë për zonën bregdetare. “Këto shqetësime unë i kam ngritur në të gjitha instancat përgjegjëse, madje i kam shkruar edhe ambasadave të ndryshme për të parë ndonjë mënyrë financimi për të pastruar nga këto gërmadha Ksamilin”, shtoi Koçiu.

  • aster

    aketo jane cudira shqiptare  ky vende se afermi nuk ka shanse te behet

  • Astrit Banushaj

     pazaret qe bejne njerzit e poltikes do ti vuajme per shume kohet.Ketu kur vine ne pushtet njera pale mundohet me te gjitha menyrat te mohoj,palen tjeter.Punet qe jan bere keq nga njera pale marin vlere e perceptohen si pune te mira nga ata qe vijne  punet e mira mohohet qe te jene te tilla.

  • Astrit Banushaj

    shume e qarte vlersimet eMija