Komedia angleze “Të çmendur pas parave” vjen premierë në kryeqytet me mbështetjen e “DigitAlb”. Nën regjinë e Elma Doresit dhe një kaste të re aktorësh, situata komike, karaktere sa qesharake dhe tragjike, sjellin realitetin e marrëdhënies së njeriut me paranë
Çfarë ndodh në një familje të thjeshtë kur në mes hyjnë 750 mijë paund? A mund të mos e duash një valixhe plot me para? Përpara një dileme të tillë i vë personazhet e tij dramaturgu anglez, Raj Kuni. I ka mjaftuar ky element i pashmangshëm i jetës së përditshme, madje i domosdoshëm, për të ngritur një komedi farsë, e suksesshme në të gjithë botën. Nuk mund të jetë ndryshe kur flitet për paratë as te ne. Përmes këtij paralelizmi të thjeshtë, regjisorja Elma Doresi dhe një kastë aktorësh të rinj e sjellin veprën në gjuhën shqipe (përkthyer nga Marelba Fushekati), me mbështetjen e “DigitAlb”. “Të çmendur pas parave”, shfaqet premierë në Teatrin e Metropolit. Në ditëlindjen e tij, Henri Perkins(Devis Muka) niset për në shtëpi ku e pret gruaja e tij Xhini. Në tren, pa e kuptuar, ka marrë valixhen e gabuar. Teksa kërkon të marrë shallin dhe dorezat, brenda gjen 750 mijë paund! Si njeri, d.m.th, mëkatar, nuk i shkon në mendje të kthehet pas. Vrapon në shtëpi t’i tregojë gjithçka Xhinit. Prej këtij çasti asgjë nuk është më si më parë. Në lojë futen dy miqtë e tij, Beti dhe Viki, të cilët janë të dashuruar me paratë, dy detektivë, një prej të cilëve lehtësisht i korruptueshëm, një taksist i gatshëm të bëjë gjithçka për valixhen, një “Mjeshtër” që i vë të gjithë përpara grykës së pistoletës. Një komedi situatash dhe karakteresh për të treguar një të vërtetë të madhe: marrëdhënien tonë me paranë. “Së pari duam të falënderojmë ‘DigitAlb’ që na mbështeti për të realizuar këtë shfaqje. ‘Të çmendur pas parave’ është një komedi angleze e luajtur në vitin 1994 dhe e sjellë tre herë në Shqipëri, në kohë të afërta. Shfaqja është sa komike dhe tragjike. Është një komedi farsë e cila të bën të kuptosh se sa e transformon jetën e një familjeje të thjeshtë një valixhe me para”, thekson regjisorja Elma Doresi, e cila vjen në këtë përvojë të re pas komedisë shqiptare “Karnavalet e Korçës”. Një pjesë e aktorëve po ashtu vijnë nga përvoja e këtij bashkëpunimi të mëparshëm me regjisoren, por kastës i janë shtuar edhe të tjerë. Devis Muka, i cili interpreton rolin e Henrit, vlerëson po ashtu komedinë për notat realiste dhe bashkëbisedimin e thjeshtë me çdo shikues, e jo vetëm atë britanik, të cilit i drejtohet më së pari. “Shfaqja është shumë interesante nisur edhe nga fakti që në këto momente kemi shumë probleme me paratë. Ndodh që një ditë, në një familje me një jetë normale, të vijë një çmenduri: 750 mijë paund. Imagjinoni si mund të transformohen këta njerëz, si mund të transformohet marrëdhënia e tyre martesore dhe me miqtë. Paraja ndonjëherë bën mirë, po ndonjëherë bën edhe shumë keq, siç ndodh në këtë rast. Shfaqjet e Raj Kuni kanë pasur sukses në Shqipëri ndoshta për shkak se temat që ai trajton janë shumë të prekshme nga shqiptarët”, theksoi gjatë konferencës së djeshme për shtyp, Devis Muka. Esela Pysqyli dhe Klodian Hoxha luajnë çiftin që është mik i familjes, përkatësisht Beti dhe Viki Xhonson. Teksa ata mësojnë lajmin për paratë, turren të bëjnë plane pa menduar për asgjë tjetër. Sigurisht që një udhëtim i largët do të ishte mundësia më e mirë. “Ndryshe nga Xhini, ne nuk mendojmë shumë nëse paratë bëjnë keq apo jo. Situata bëhet shumë komike mes një pale që mendon t’ia mbathë në Barcelonë e një tjetre që nuk do të shkojë, u shpreh Esela. Xhini, gruaja e Herrit interpretohet në këtë pjesë nga Jonida Vokshi.
“E vetmja që nuk i do paratë është Xhini. Ajo nuk do as paratë e as të shkojë në Barcelonë, por përfundon e dehur dhe paksa e çmendur”, tregon Jonida për personazhin e saj. Në role të tjera: Alban Musa, Lorenc Kaja, Genti Deçka dhe Erlin Visha. Skenografia e pjesës është realizuar nga Beqo Nanaj, një zgjidhje mes një ambienti shtëpie dhe një kryqëzimi rrugësh, ndërsa kostumet nga Edlira Qyshka. Për sa i përket zgjidhjes regjisoriale që i ka dhënë pjesës, Doresi ka theksuar se kjo është një nga ato pjesë ku regjisori nuk ka shumë dorë për të punuar, duke qenë një vepër që mbahet nga aktorët dhe nga karakteret që ata krijojnë. Komedia do të shfaqet në datat 2, 3,7,8,9, 10 qershor, për ta mbyllur në datat 15, 16 dhe 17 të po këtij muaji, ora 20:00.
