Raporti i UNICEF, 42 për qind e fëmijëve dhunohen fizikisht dhe verbalisht në shkollë


Shpresa Mezini


Leonardi me vare per 1 qershor


Festa e 1 Qershorit mblodhi bashkë fëmijët në të gjithë vendin. Të qeshur, të lumtur ata luanin, kërcenin, këndonin, por si asnjëherë tjetër shprehën edhe bindjet e tyre politike. E vështirë për t’u besuar, por e vërtetë. Fëmijë të shkollave 9- vjeçare, kryesisht të ciklit fillor, thërrisnin: “Berisha, Berisha”. Të tjerë: “Edi, Edi”. Si çdo festë tjetër edhe 1 Qershori u përfshi nga një ngjyrim i dukshëm politik, sepse edhe vetë fëmijët në bulevardin qendror të kryeqytetit ishin ndarë në dy kampe, ku një pjesë mbronte ngjyrën blu, ndërsa pjesa tjetër atë të kuqe. Vogëlushët treguan se kishin dalë në shesh për shkak se mësuesit ua kishin kërkuar këtë gjë. “Mësuesit na thanë të dalim në shesh sepse vjen Sali Berisha”, tha një 12-vjeçar.


Krahas aktiviteteve festive të organizuara nga Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe Drejtorinë Arsimore të Tiranës, dje u evidentuan edhe problemet me të cilat përballen fëmijët. Në ditët e sotme, mijëra fëmijë rriten në familje me të ardhura minimale, çka sjell vështirësi në ushqyerjen e shëndetshme, arsimimin dhe sigurinë e jetës së tyre.

“Më lejoni t’i bëj edhe një herë thirrje përfaqësuesve të pushtetit vendor të zbatojnë këtë detyrim ligjor, por edhe moral, për të ngritur njësitë atje ku mungojnë”, tha ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera. Nga ana tjetër, ambasadori i Bashkimit Europian, Ettore Sequi, tha se në Bashkimin Europian, të paktën 19 për qind e fëmijëve janë të rrezikuar, por në Shqipëri kjo përqindje është më e lartë.

“Rreth 19 për qind e fëmijëve në Europë janë të rrezikuar dhe kjo përqindje është shumë e lartë në Shqipëri. Shqipëria është një vend që do të jetë pjesë e Bashkimit Europian, që do të thotë se do të plotësojë 11 prioritetet dhe atë të 11-in që lidhet me të drejtat e njeriut, çka është e rëndësishme për të gjithë vendin”, theksoi Sequi. Në kuadër të problemeve shqetësuese me të cilat ndeshet çdo ditë një numër i konsiderueshëm fëmijësh në vend, reagon edhe përfaqësuesi i UNICEF-it në Shqipëri, Detlef Palm, sipas të cilit, vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet fëmijëve që braktisin shkollën. “Puna duhet të fokusohet te fëmijët që nuk shkojnë në shkollë dhe që nuk kanë ambientin e duhur social për t’u rritur. Duhen investime të mëdha, por edhe përpjekje të mëtejshme për t’i ndihmuar realisht këta fëmijë”, tha Palm.


Raporti

Në ditën kushtuar fëmijëve u diskutua edhe për dhunën që ushtrohet ndaj tyre në familje apo në shkollë. Në studimin e kryer së fundmi nga UNICEF-i, rezulton se 42 për qind e fëmijëve të anketuar pohojnë se janë dhunuar fizikisht dhe verbalisht në institucionet arsimore ku mësojnë. Ndërsa 45 për qind pranojnë se janë dhunuar nga prindërit. Duke iu referuar të dhënave, rreth 65 për qind e vogëlushëve të dhunuar kanë vuajtur pasoja të ndryshme për shkak të dhunimit. Sipas raportit, 61 për qind e familjeve rome kanë deklaruar se përballen me vështirësi për edukimin e fëmijëve, ndërsa 359 fëmijë të këtij komuniteti nuk janë të regjistruar. Sipas shifrave të publikuara nga UNICEF, vërehet se vdekshmëria e foshnjave mbetet e lartë në Qarkun e Dibrës, ku vetëm në Peshkopi vdekshmëria foshnjore arrin në 17.1 për qind, ndërkohë që në Rrethin e Korçës për vitin 2011 është 10 për qind.


Urimet e politikanëve


Edi Rama – “Dëshiroj që t’i uroj Gëzuar 1 Qershorin të gjithë fëmijëve të Shqipërisë, njëkohësisht t’u them të gjithë prindërve se ne jemi shumë të angazhuar që të bëjmë gjithçka është e mundur që çdo 1 Qershor që vjen të ketë gjithmonë e më pak fëmijë të varfër, të ketë gjithmonë e më pak fëmijë që nuk shkojnë dot në shkollë”


 


Igli Totozani – “Gëzuar 1 Qershorin fëmijë! Duke parë si të domosdoshëm përmirësimin e mekanizmave të referimit të dhunës ndaj fëmijëve, Avokati i Popullit thekson se zbatimi dhe plotësimi i kuadrit ligjor për të drejtat e fëmijëve, është përgjegjësi dhe detyrim për të gjitha institucionet shtetërore”


 


Bamir Topi – Kreu i shtetit ka uruar fëmijët për 1 Qershorin, në një pritje të veçantë të organizuar në Pallatin e Brigadave. Presidenti Bamir Topi kërkoi më tepër vëmendje për fëmijët jetimë. Sipas tij duhet më tepër mbështetje për këta fëmijë në nevojë, e cila duhet të vijë kryesisht nga institucionet shtetërore dhe biznesi


 


Jozefina Topalli – Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka uruar dje fëmijët në ditën e festës së tyre. “Gëzimi juaj është motivi i jetës së prindërve tuaj dhe i shoqërisë sonë. Unë jam e bindur se po t’i bëjmë fëmijët të lumtur, ne kemi kontribuar për të bërë një shoqëri më të mirë”


 


Liri Berisha – “Nëse do të duam t’i japim vendit një qytetar të denjë europian është shumë e rëndësishme që të punojmë fort të gjithë së bashku për të emancipuar shoqërinë, që të drejtat e fëmijëve të njihen dhe të respektohen. Emancipimi i shoqërisë, prindërve, familjeve për një brez të ri të edukuar është domosdoshmëri”


 


Sali Berisha – “Sot është dita e gëzimit më të madh të fëmijëve shqiptarë, e prindërve të tyre dhe gjithë shqiptarëve. Është festa e gëzimit të çdo familjeje, është festa e shpresës, besimit. Duke uruar më të mirën për gjithë fëmijët shqiptarë, kudo që ata janë, Kryeministri tha ata do të dinë t’i bëjnë realitet”