Kukësi
Drejtuesit e saj ambiciozë dhe me xhepat plot para janë më aktivët në tregun e transferimeve. Dje kanë negociuar me Ndriçim Shtubinën, Vilford Hysën dhe Elton Muçollarin, ndërkohë që synojnë emra të rëndësishëm si Shehi, Vrapi, Allmuça, Xhafaj dhe Nallbani
Burime pranë klubit shkodran sigurojnë se Vllaznia nuk ka potencialin e duhur financiar për të afruar lojtarë që e kanë koston mbi 30 mijë euro
Duro firmos javën tjetër me shkodranët. Kukësi çmend merkaton e lojtarëve
Altin Manallari
Shpëtim Duro, jo vetëm që nuk ka firmosur ende si trajner i Vllaznisë, por nënshkrimi nuk mund të bëhet para javës së ardhshme. Trajneri tiranas do të jetë në krye të skuadrës shkodrane, kjo nuk vihet në dyshim, pasi vendimi në Shkodër është marrë, veçse nuk është takuar ende me kryebashkiakun Luka, me të cilin duhet të bisedojë hollësisht, të paktën siç informojnë mediat në Shkodër. Kjo pasi ky i fundit nuk ndodhet ende në qytetin e Shkodrës, prandaj gjithçka është shtyrë për javën tjetër. Ka qenë drejtori teknik, Armir Grima, i cili ka zhvilluar bisedimet me Duron lidhur me skuadrën e re. Kjo vonesë ndoshta mund të ndikojë në formimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm, edhe pse janë dhënë disa emra si Rajoviç, Vrapi, Bici apo Boadu. Dje është hedhur në qarkullim edhe një emër tjetër, i cili konsiderohet si një nga ambiciet e Vllaznisë së Duros për sezonin e ardhshëm. Bëhet fjalë për mesfushorin kampion të Shqipërisë me Skënderbeun, Blendi Shkëmbi. Sipas zërave të fundit, mësohet se klubi shkodran është interesuar për fantazistin, njëkohësisht edhe kapiten i korçarëve, pasi marrëdhëniet e tij me teknikun e ri të shkodranëve janë shumë të mira, dhe nisur nga ky fakt, kërkon të përfitojë edhe klubi i Vllaznisë. Realizimi i kësaj tratative do të konsiderohej pa hezitim një ndër lëvizjet më të bujshme të merkatos së verës, duke pasur parasysh faktin se Shkëmbi është edhe simboli i skuadrës kampione. Megjithatë, në Shkodër mendojnë se ky është thjesht një thashethem merkatoje, pasi burime të besueshme pranë klubit kuqeblu, flasin me garanci se klubi shkodran nuk ka potencialin e mjaftueshëm financiar për të bërë blerje, kostoja e të cilave mund të shkojë mbi 30 mijë euro. Po ashtu, edhe Skënderbeu, i cili duket se ka të garantuara financa të shëndosha prej disa vitesh, nuk do t’ia falte vetes të humbte njeriun e tij ikonë. Prandaj, të gjitha gjasat janë se ky thashethem është hedhur në qarkullim nga dikush të cilit i intereson. Por në Shkodër flitet dhe për objektiva më të prekshëm, që mund të merren po nga kampionët e Shqipërisë. Emri tjetër i përfolur është kroati Luka Biskup, i cili pëlqehet shumë nga trajneri Shpëtim Duro. Ky i fundit mendohet se do të tentojë të rikthejë në sulm talentin Armando Vajushi. Edhe drejtuesit e klubit duket se janë në një mendje me trajnerin tiranas, pasi sulmuesi i ri, i cili u largua në merkaton e janarit, është beniamini i tifozerisë shkodrane. Në listën e Duros është edhe mbrojtësi argjentinas Malakjarne, i cili sapo e ka deklaruar të mbyllur aventurën e tij me Kastriotin. Për momentin, asgjë nuk është zyrtare, por megjithatë, tekniku i ri i shkodranëve është duke studiuar një numër të madh lojtarësh, të cilët i shikon si përforcime të mundshme për një Vllazni pretendente për trofe në sezonin e ardhshëm. Ndërkohë që skuadra e cila po çmend merkaton e lojtarëve në këtë fillimverë është Kukësi. Drejtuesit e saj ambiciozë dhe me xhepat plot para, janë më aktivët në tregun e transferimeve. Dje kanë negociuar me Ndriçim Shtubinën, Vilford Hysën dhe Elton Muçollarin, ndërkohë që synojnë emra të rëndësishëm si Shehi, Vrapi, Allmuca, Xhafaj dhe Nallbani.