Ndërron jetë “Karen McCluskey” e “Shtëpiakeve të dëshpëruara”

Aktorja Kathryn Joosten vuante nga një kancer, njësoj si personazhi që e bëri shumë të njohur në serialin e ndjekur kudo në botë

Kathryn Joosten

Aktorja amerikane, Kathryn Joosten, e cila u bë e njohur për publikun për tetë vjet me radhë në rolin e Karen McCluskey, fqinjës së mprehtë dhe kurioze në serialin fitues të shumë çmimeve “Shtëpiaket e dëshpëruara”, ndërroi jetë ditën e shtunë në Los Anxhelos në moshën 72-vjeçare. Joosten e humbi betejën e gjatë me kancerin e mushkërive, betejë të cilën ajo me dëshirën e vet kërkoi ta bënte pjesë të rolit të saj në sezonin e fundit të këtij seriali shumë popullor.

Profesioni i parë i Kathryn Joosten ishte ai i infermieres, dhe ajo u bë aktore vetëm në moshën 42-vjeçare. Por, kjo nuk e pengoi aspak të bëhej një veterane e ekranit të vogël, duke fituar dy çmime ‘Emmy’ për aktoren më të mirë jo protagoniste në serialin shumë të ndjekur “Shtëpiake të dëshpëruara”.

Fragment nga seriali "Shtëpiake të dëshpëruara"

Ndërkohë, pas transmetimit të episodit të fundit të “Shtëpiakeve të dëshpëruara”, më 13 maj në SHBA, aktorja ishte shprehur se ndihej e lumtur që kishte mbaruar: “Filmi kishte arritur në një pikë të atillë, saqë ishte bërë gjithçka e imagjinueshme. Për karakterin që unë interpretoja nuk kishte më asgjë për të bërë, duke qenë se skenaristët nuk kishin më çfarë të shkruanin për njerëzit e moshës time”, – ka thënë aktorja. Gjithsesi, “znj McCluskey” ishte bërë një pikë e rëndësishme referimi si për kastin e aktorëve, ashtu edhe për rrjedhën e ngjarjeve në sezonin e fundit të serialit.

3 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)

Autor te 3 Qershor 2012. ShowBiz. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry