Dyshimet e para të policisë janë për detyrën ose hakmarrje
Elmi Allmuça ka marrë një plumb në ije, teksa ecte në këmbë, rrugës për në shtëpi
Bledi Gilaj
Kryetari i Komunës Baldushk në Tiranë ka rënë pre e një atentati, ku ka mbetur i plagosur rëndë, teksa po shkonte në shtëpi. Ngjarja ka ndodhur në orët e mbrëmjes, ndërkohë që autorët mendohet se kanë qenë dy persona, të cilët e kanë pritur derisa ka dalë nga një lokal, duke e qëlluar disa herë, por fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Kryetari i Komunës, Elmi Allmuça, ka marrë një plumb në ije, ndërkohë që menjëherë kanë nisur hetimet e policisë për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Burimet policore të kryeqytetit thanë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00, kur Elmi Allmuça, 46 vjeç, po shkonte në shtëpi. Kreu i Komunës Baldushk, i zgjedhur me siglën e Partisë Demokratike, ka qenë me disa miq të tij, në një lokal pranë zyrave të Komunës Baldushk. Aty kanë ndenjur për disa minuta dhe rreth orës së lartpërmendur është nisur për në shtëpi. Duke ecur në këmbë, dy persona mendohet se i kanë dalë para dhe e kanë qëlluar me pistoletë. Nga të shtënat, ai ka marrë një plumb në ije, ndërkohë që krismat kanë tërhequr vëmendjen e klientëve të lokalit, të cilët kanë dalë jashtë dhe e kanë gjetur të plagosur kryekomunarin. Menjëherë, me makina të zonës është dërguar për në spital, ndërkohë që nga ana tjetër është njoftuar salla operative e Policisë së Tiranës. Pa kaluar shumë kohë, për në vendin e ngjarjes janë nisur shërbimet e Komisariatit Nr. 1, por pas tyre edhe ato të seksionit kundër krimeve ndaj jetës e shëndetit, në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Grupi hetimor, i formuar në vendin e ngjarjes, ka gjetur gëzhojat aty dhe ka marrë në pyetje disa persona që mund të jepnin informacion në dobi të çështjes. Në bazë të këtyre informacioneve, policia ka shoqëruar disa të dyshuar, por deri në orët e vona nuk është marrë ndonjë masë arresti për ta. Ndërsa nga spitali është mësuar se i plagosuri ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Madje, për ta pyetur në lidhje me këtë atentat, apo autorët e dyshuar, grupi hetimor ka dërguar oficerët e policisë gjyqësore për të marrë në pyetje kryekomunarin e plagosur. Ai ka treguar se çfarë kishte ndodhur, ndërkohë që dyshimet e para për këtë krim kanë të bëjnë me detyrën e të dëmtuarit. Pritet që i dëmtuari mund të ndihmojë hetimet, duke treguar për ndonjë konflikt të mundshëm për detyrën, ndërkohë që nuk përjashtohet edhe pista e ndonjë hakmarrjeje për konflikte të tjera. Por, dëshmia e 46-vjeçarit do të sqarojë rrethanat. Pas marrjes së njoftimit, policia ka njoftuar edhe familjen e të dëmtuarit, të cilët kanë dhënë dëshmitë e tyre në lidhje me dyshimet për këtë ngjarje të rëndë.