Qeveria shqiptare shet tartufin 25 lekë për kg

Në vendimin nr.391 të vitit 2006 të Këshillit të Ministrave, është caktuar tarifa e nxjerrjes dhe e grumbullimit të kërpudhave në përgjithësi

Kërpudha në formë zhardhoku shitet në tregjet ndërkombëtare jo më pak se 300 euro për kg, duke arritur deri në 10 mijë euro për kg, kur cilësia është e lartë

Në tregun botëror kërpudha e çmuar shitet nga 300 deri në mbi 10 mijë euro

Tartufi, kërpudha më çmuar në botë, në vendin tonë mund të mblidhet nga subjektet e licencuara vetëm për 2500 lekë për një kuintal, pra 25 lekë për kilogram. Bëhet fjalë për një lloj kërpudhe që rritet nën sipërfaqen e tokës, duke u ushqyer në rrënjët e lisit, pishës, blirit dhe shelgut të egër, çmimi i së cilës në tregun botëror varion nga 300 euro deri në mbi 10 mijë euro për kilogram, në varësi të cilësisë dhe të karatëve që përmban zhardhoku. Këtë tarifë e ka vendosur vetë Këshilli i Ministrave në vitin 2006, duke e nxjerrë në shitje këtë specie në zhdukje në shkëmbim të një vlere të papërfillshme. Në vendimin nr.391 të datës 21.6.2006, të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, thuhet se: për grumbullimin e prodhimeve të dyta në fondin pyjor e kullosor publik, të zbatohen tarifat e përcaktuara në lidhjen 5, të shtojcës që i bashkëngjitet këtij vendimi, që mban firmën e kreut të qeverisë, Sali Berisha. Në tabelën që pasqyrohen tarifa për grumbullimin dhe nxjerrjen e prodhimeve të dyta rezulton se kërpudhat vlerësohen me shumën e 2500 lekëve për çdo kuintal. Në këtë tabelë nuk përcaktohen llojet e ndryshme të kërpudhave duke sjellë për pasojë që edhe tartufi i çmuar të përfitohet me të njëjtin çmim si kërpudhat e zakonshme. Për këtë arsye, subjekteve të licencuara për nxjerrjen dhe grumbullimin e tartufit u lind e drejta që të paguajnë shifrën e 25 lekëve për kilogram. Tarifa mjaft të ulët e caktuar për gjithë kërpudhat në përgjithësi, duke mos i specifikuar ato në bazë të vlerës që kanë llojet përkatëse, ka sjellë shqetësime edhe në administratat e njësive vendore që administrojnë pyje në të cilat gjendet tartufi. Kështu, inxhinieri i pyjeve pranë Komunës Seman të rrethit të Fierit, Genci Pine, është shprehur për gazetën se kanë hasur problem në caktimin e çmimit të tartufit gjatë një kontrate që kanë bërë me një subjekt juridik të licencuar për nxjerrjen dhe grumbullimin e kësaj kërpudhe që gjendet në pyllin me pisha të bregdetit të njësisë vendore në fjalë. Sipas inxhinerit Pine, dy vite më parë gjatë lidhjes së kësaj kontrate është dashur të mblidhet këshilli bashkiak për të rritur sadopak çmimin, deri në 25 mijë lekë për kuintal. Por, sipas Pines, edhe ky çmim është i pakrahasueshëm me vlerën e vërtetë që ka tartufi në treg. Ai ka shtuar se mungesa e specifikimit të çmimit të tartufit në veçanti, sjell për pasojë një mosinteresim për nxjerrjen dhe grumbullimin e tij, pasi shteti apo njësitë vendore që administrojnë pyjet ku kjo specie gjendet, nuk fitojnë thuajse asgjë për shkak të tarifës së përcaktuar nga qeveria në vitin 2006.

Prej vitesh tartufi që gjendet në pyjet e vendit tonë po grumbullohet dhe tregtohet në mënyrë të paligjshme nga individë të palicencuar. Nga specialistë të Drejtorisë së Pyjeve në Fier është bërë me dije për gazetën se ky lloj zhardhoku parazitar është specie në zhdukje dhe për këtë arsye, nxjerrja dhe grumbullimi i tij duhet kryer në bazë të projekteve të mirëstudiuara. Kjo, pasi nxjerrja dhe grumbullimi pa kriter i kësaj specie të rrallë do të sillte zhdukjen përfundimtare të saj. Tartufi është kthyer në shënjestrën e mjaft “gjuetarëve” abuziv, si shqiptarë ashtu dhe të huaj. Një shqetësim të tillë e ka ngritur për gazetën “Shqip” edhe inxhinieri i pyjeve pranë Komunës Seman të rrethit të Fierit, Genci Pine, i cili ka pohuar se shpeshherë është dashur të ndërhyjë policia për parandalimin e “gjuetarëve” të paligjshëm. Sipas tij, gjatë viteve të fundit janë konstatuar me dhjetëra persona si shqiptarë ashtu edhe të huaj, të cilët kanë qenë duke kërkuar tartuf në pyllin me pisha të Semanit. Ndërkaq, nga burime të tjera të gazetës është mësuar se këta lloj “gjuetarësh” gjatë sezonit të pranverës dhe të verës përshkojnë gjithë pyjet e Shqipërisë së Jugut në kërkim të tartufit të çmuar.

 

Si gjendet tartufi?

Zhardhokët e kërpudhës së emërtuar tartuf rriten në rrënjët e pemëve rreth 20 deri në 30 centimetra poshtë sipërfaqes së tokës. Për shkak se nuk kanë as rrënjë, degë apo gjethe, zbulimi i tyre mund të kryhet vetë duke përdorur qen të stërvitur apo edhe derra. Në Mesjetë përdorej vetëm derri për gjetjen e tartufit, por për shkak se kjo kafshë e konsumonte vetë pjesën më të madhe, atëherë u stërvitën qentë të cilët janë adoptuar mjaft mirë në këtë lloj “gjuetie”. Tartufi lëshon një aromë të fortë, që i tërheq qentë të cilët gërmojnë tokën. Më pas gërmohet toka me kujdes derisa arrihet te kërpudha e çmuar. Tartufi rritet në tokë të shkrifët dhe për këtë arsye është e lehtë gjetja e tij, pas konstatimit nga qentë. Kjo kërpudhë gjendet ndërmjet rrënjëve nga të cilat thith kripërat minerale. Kjo kërpudhë në formë zhardhoku ngjan me pataten, por ka një formë më të çrregullt. Karatët maten me madhësinë e zhardhokut dhe është pikërisht kjo që e përcakton çmimin e tij. Gjithashtu, është edhe lloji që i jep vlerë ose jo kësaj kërpudhe. Tartufi i zi është ai që kushton më pak, ndërsa i bardhi është me më shumë vlerë. Sipas specialistëve të gastronomisë, tartufi i bardhë që rritet në rrënjët e lisit duke marrë aromën e tij, është më i çmua

 

Autor te 4 Qershor 2012. Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry