Pikë edhe për përgjigjet jashtë modelit

Provimi i letërsisë

Maturantët protestojnë: Pyetje jashtë programit. Korrigjuesit: vlerësim për logjikën, jo shabllonin

vajza dhe djem dalin nga provimetDy ditë pas zhvillimit të provimit të parë të maturës shtetërore, maturantët kanë nisur të ankohen e të protestojnë lidhur me pyetjet e testimit. Kështu, sipas kandidatëve për student, në testin e letërsisë ka pasur pyetje që ishin pjesë e programit po që në fakt, maturantët nuk i kanë zhvilluar në orët e mësimit, pasi nuk ishin pjesë e kurrikulës.

Dje paradite, një grup maturantësh kanë protestuar para Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, duke kërkuar nga autoritetet që dy pyetjet e testit të letërsisë nga vepra e Sharl Bodler të mos merren në konsideratë në sistemin e pikëzimit.

Ndërkohë që pas pretendimit të maturantëve ka reaguar edhe Ministria e Arsimit. Sipas specialistëve të maturës shtetërore dhe vlerësuesve të tezave, programi i orientimit e ka parashikuar autorin si pjesë të pyetjeve që mund të binin në test, ndërkohë që përgjigjet që do të vlerësohen pozitivisht nuk janë vetëm “shabllonet”, pra përgjigjet sipas modelit. Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës do të merren në konsideratë ato përgjigje që janë logjike dhe i afrohen më tepër përgjigjes së saktë dhe jo vetëm ato sipas modelit, shabllonit që maturantët kanë ndeshur fill pas daljes së çelësit të përgjigjeve.

Maturantët protestues kanë kërkuar nga drejtuesit e ministrisë mirëkuptim, ndërkohë që pas konsultimit me ekspertët, Ministria e Arsimit ka dhënë përgjigje përfundimtare për maturantët, duke argumentuar mënyrën e vlerësimit, si dhe duke dhënë sqarimin bashkëngjitur çelësit të përgjigjeve të provimit të letërsisë.

Në “Rregulloren e Maturës Shtetërore”, procesi i vlerësimit trajtohet në këtë mënyrë: “Në rastet kur ka mospërputhje të vlerësimit, midis dy vlerësuesve të pavarur, përgjegjësi i vlerësimit së bashku me një vlerësues tjetër kryejnë vlerësimin përfundimtar. Pas këtij vlerësimi, pikët për çdo kërkesë të testit pasqyrohen në tabelën përmbledhëse në faqen e parë të test-broshurës dhe firmosen nga të katër vlerësuesit e testit”. Rregullorja udhëzon se qëllimi i këtij sistemi korrigjimi është që të vlerësohet sa më saktë çdo përgjigje që ka dhënë maturanti/ja, edhe pse si formulim mund të mos jetë e njëjtë me atë të të dhënë në çelësin e përgjigjeve të testit, të përgatitur nga autorët e tij.

“Vlerësuesit, si detyrim që rrjedh nga “Rregullorja e Maturës Shtetërore”, përpara se të fillojnë vlerësimin, i nënshtrohen një procesi trajnimi të detajuar për përgjigjet e çdo pyetjeje të testit, ku synohet në sqarimin e tyre, veçanërisht përgjigjet e pyetjeve me interpretim të hapur, si në shembujt e mësipërm. Ky proces drejtohet nga autorët e testit”, ka njoftuar Ministria e Arsimit. Lorina Mixha

 

Saktësimi

Skema e vlerësimit

Testi i gjuhës shqipe dhe letërsisë, për Maturën Shtetërore 2012, bazohet në programin orientues, të publikuar nga MASH, në janar 2012. Në të sqarohet qartë se fragmentet e tekstit letrar, që do të bëhen pjesë e testit të gjuhës shqipe dhe letërsisë, do të merreshin nga veprat, lista e të cilave u publikua në të. Testi i Maturës Shtetërore 2012 përmbante poezinë “Albatros” të Sharl Bodler nga vëllimi poetik “Lulet e së keqes”, një fragment nga romani “Kështjella” të Ismail Kadaresë, të rekomanduara në programet orientuese, si dhe një tekst joletrar. Qëllimi i lëndës së gjuhës shqipe dhe letërsisë nuk është që nxënësit të mësojnë komente dhe analiza fragmentesh të gatshme, për t’i riprodhuar mekanikisht në teste, aq më tepër në ato të Maturës Shtetërore. Në qoftë se përgjigjja vlerësohet se përkon me logjikën e kërkesës së pyetjes, ajo vlerësohet pozitivisht. Kjo shprehet qartazi edhe pas çdo modeli përgjigjeje të pyetjeve të hapura në skemën e vlerësimit: “Nxënësi do të marrë pikë edhe kur në përgjigjen e dhënë, jep një shpjegim që nuk e përmban modeli i përgjigjes, por që komisioni i vlerësimit e gjykon të saktë.

Autor te 5 Qershor 2012. Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry