Zëdhënësi i Lëvizjes Nano për President sqaron arsyet se pse mbështet ish-kryeministrin.
Arian Galdini, njeriu i njohur si udhëheqës i një organizate me emrin “Forumi për Demokraci dhe Etikë” dhe që sëfundmi po shpërndan deklaratat e ish-kryeministrit Fatos Nano, i cili dëshiron të bëhet president, sqaroi sot në një shënim të publikuar në Facebook pozicionin e tij, si reagim ndaj thumbave që rënduan mbi të nga rubrika humoristike Antena Brenda Familjes e gazetës Tema.
“Unë jam dalëzots. Edhe nëse sot unë jam piketakuar e kam vendosur të mbështes Fatos Nanon në kandidimin e tij për President Republike, të jesh i sigurtë se marrëveshjen me të e kam bërë si dalëzots,” shkroi Galdini në Facebook, duke iu përgjigjur humorit të botuesit të gazetës Tema Mero Baze.
Dalëzotsat janë një lëvizje rinore me karakter fetar. Mbështetësit e lëvizjes njihen si besimtarë të krishterë (protestantë).
“Dalëzotsat janë qytetarë të përgjegjshëm, modeste, që i dalin për zot dinjitetit të tyre personal me së pari, e më tutje i dalin për zot ideve dhe bindjeve te tyre, e pastaj i dalin për zot vendit dhe dinjitetit të vendit të tyre. Të jesh dalëzots do të thotë të jesh njeri që ke kurajo dhe modesti, thjeshtësi dhe pastërti shpirtërore, për t’u dalë zot punëve të mbara e të mira për vendin tënd. Të jesh dalëzots do të thotë të dish të shërbesh dhe të jesh në gatishmëri të vendit tënd,” shkruan Galdini në blogun e tij në internet për të sqaruar se çfarë është kjo lëvizje.
“Unë kurrë në jetën time nuk kam bërë asnjë marrëveshje përfitimi a shkëmbimi të padrejtë, apo lëshimi të dinjitetit. Unë jam dalëzots, flas si dalëzots, veproj si dalëzots, e bashkëpunoj si dalëzots. Kam 22 vite që punoj e veproj si dalëzots, e ndaj edhe kam dështuar mijëra herë për t’u ringritur po si dalëzots. Por kurrë nuk kam folur në emër të askujt përveçse në emër të ideve, bindjeve e vizionit tim,” thotë Galdini për veten.
Angazhimi i Galdinit në mbështetje të Fatos Nanos tërhoqi shaka e kritika gjatë ditëve të fundit nga shqiptarët e zakonshëm nëpër rrjetet sociale. “Çfarë thotë Jezu Krishti për presidentin e ardhshëm,” pyeti dikush. “E more vesh? Dan Brown po shkruan një libër të ri, “Nano President në Ungjillin e Berinanos,” shkroi një tjetër. 6 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)