Ndotja e Tiranës, 500 vdekje premature

Ulen grimcat e pluhurit në ajër, por kush banon në qytet jeton 1.5-2 vjet më pak

Lorina Mixha

Ndotja e ajrit në vendin tonë në 2012-n është përmirësuar disi, por përsëri shifrat mbeten mbi normat e lejuara. Debati për nivelet e ndotjes përfshin kryesisht Tiranën. Hapja e sheshit “Skënderbej”, por edhe rritja e çmimit të naftës janë dy nga faktorët që raportohen se kanë ndikuar në ulje të ndotjes. Hapja e sheshit ka sjellë më pak trafik, por rritja e çmimit të naftës ka ulur numrin e qarkullimeve të automjeteve në rrugë.

Sipas matjeve të realizuara nga Shëndeti Publik, kemi një ulje me 30 për qind të grimcave të pluhurit në ajër, por, nga ana tjetër, pikat më të ndotura, për shkak të trafikut vijojnë të mbeten: “21 Dhjetori”, qendra e qytetit, Stacioni i Trenit, Kombinati dhe Rruga e Kavajës. Në këto zona ndotja e mjedisit është disa herë mbi normat e lejuara. Ndërkohë që sipas ISHP-së kush banon në qytet, për shkak të ndotjes së ambientit secili humbet nga 1.5 deri në 2 vite jetë.

Studimet e organizuara prej OBSH-së në SHBA e disa vende të Europës, po dëshmojnë gjithnjë e më mirë se ekspozimet në nivele ndotje nën ato të regjistruara në Tiranë, shoqërohen me efektet serioze në vdekshmëri, sëmundshmëri, jetëgjatësi dhe në cilësinë e jetës së banoreve.

“Nëse vlerësimet e bëra në pjesë të tjera të Europës do të ekstrapolohen në Tiranë, humbja e pritshme e jetëgjatësisë së popullatës së Tiranës, për shkak të ndotjes së ajrit, do të kapërcente 1.5-2 vite jetë për banor. Bazuar në përmbajtjen mesatare të grimcave të imta me diametër më të vogël se 2.5 mikron në ajrin e Tiranës, i njëjti organizëm jep në prezantimin e vet në Tiranë në 15 nëntor 2011 vlerësimin se Tirana ka rreth 500 vdekje premature në vit nga veprimi i grimcave të tilla në shëndetin e banorëve të saj.

Shëndetësia

Në Ditën Botërore të Mjedisit, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, u bën thirrje të gjitha bashkive dhe komunave të ndikojnë në uljen e ndotjes mjedisore nëpërmjet krijimit të hapësirave të gjelbra, reduktimit të trafikut dhe kujdesit në zonat ku ndërtohet, pasi kështu ndikojnë direkt në uljen e sëmundjeve respiratore. “Te fëmijët nën moshën 5 vjeç, 1/3 e gjithë sëmundjeve të tyre, bëhet fjalë për pjesën më vulnerable të popullsisë, ku dhe tendenca për vdekshmëri është më e larta, pra, 1/3 e tyre mund t’i evitohen vdekshmërisë vetëm nga përmirësimi i cilësisë së ujit higjenikisht të pastër, ndotjes së ajrit nga gazrat dhe faktorë të tjerë të kësaj natyre”, tha ministri Petrit Vasili. Sipas kreut të Shëndetësisë, 13 milionë vdekje në vit mund të parandalohen, sipas shifrave të OBSH-së, vetëm duke siguruar dhe rikuperuar mjedise sa më të shëndetshme. Mirëmenaxhimi i mjedisit mund të ulë me 40 për qind sëmundjet respiratore, mos harroni janë shkaku i dytë i vdekshmërisë në botë.

Mjedisi

“Ndarja e mbetjeve që në burim tashmë ka filluar. Po ju marr dy shembuj praktikë institucionalë në Shqipëri, Bashkinë e Tiranës, e cila po implementon ndarjen në burim të mbetjeve, praktikw qw po ndiqet edhe nga Ministria e Mjedisit. Është një proces që kërkon pa dyshim investime dhe kërkon planifikime në buxhet. Një nga elementet që mund ta përshpejtojë zgjidhjen e kësaj çështjeje është partneriteti publik me atë privat”, tha Fatmir Mediu, ministër i Mjedisit.

 

Vasili - “Kemi ulje me 30% të grimcave të pluhurit në ajër në kryeqytet, rezultat ky i nxjerrë nga dy pikat e monitorimit të ajrit në qendër dhe në Kinostudio, ku janë të instaluara aparaturat”, tha kreu i Shëndetësisë, Vasili.

 

Mediu - “Sfida me të cilën përballet Shqipëria në çështjet mjedisore, që duhet të kthehet dhe në një çështje kombëtare, është kujdesi që duhet të tregojmë për të menaxhuar mbetjet tona”, tha ministri i Mjedisit, Mediu.

 

Bashkimi Europian, 100 milionë euro për mjedisin

Në Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit, ambasadori i Bashkimit Europian, Ettore Sequi, u shpreh se BE-ja ka investuar vetëm për mjedisin shqiptar mbi 100 milionë euro; kryesisht në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve dhe në shëndetësi. “Për Europën mjedisi është prioritet, ndaj dhe kjo është arsyeja që BE-ja ka investuar 100 milionë euro në Shqipëri, në përgjithësi për ujin dhe shëndetësinë. Tani kemi në proces dy projekte këtu, një prej 4 milionë euro që po ndikon në hartimin e legjislacionit ekologjik dhe projekti tjetër, ai prej 2 milionë eurosh që po mbështet monitorimin e mjedisit. Është koha për veprim për të reduktuar risqet mjedisore”, u shpreh Ettore Sequi, ambasador i BE-së në

Tiranë.

 

Ndotja nga transporti, ndërtimet, rritja e popullsisë

Të dhënat dhe vlerësimet e bëra referojnë se shkaktarët e rritjes së ndotjes janë tre dhe kryesorë: intensifikimi i transportit, shoqëruar me shumëfishim të numrit të makinave brenda periudhave kohore disavjeçare, pra edhe me rritje të shkarkimeve të lëndës së grimcuar e të gazeve në mjedisin e Tiranës. Bumi i ndërtimeve urbane, që ka alternuar në mënyrën të padëshiruar treguesit e cilësisë së jetesës duke reduktuar sipërfaqen e gjelbëruar, e rritur sasinë e pluhurit në qarkullim, ndërkohë që infrastruktura rrugore ende është larg parametrave që mundësojnë fluksin normal të trafikut. Rritja e pakontrolluar e numrit të popullsisë urbane dhe e dendësisë së saj, çka ka rritur së tepërmi numrin e personave të ekspozuar, përfshirë gratë shtatzëna, fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët me sëmundje kardiovaskulare, pulmonare.

Autor te 6 Qershor 2012. Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry