Më 8 qershor është dita botërore e deteve. Me rastin e kësaj ngjarjeje “Greenpeace” ka prezantuar propozimin e saj


Deti nuk është vetëm një panoramë. “Është një fakt biologjik shumë interesant që të gjithë ne e kemi në gjak të njëjtën përqindje kripe që gjendet në oqean. Gjithashtu edhe gjaku, djersa, lotët përmbajnë kripë. Jemi të lidhur pazgjidhshmërisht me ujin dhe kur kthehemi pranë detit, si për të bërë plazh ose për ta soditur, por rikthehemi aty nga kemi ardhur…”, thoshte J.F. Kennedy. Presidenti i ndjerë amerikan kishte ngjyrën blu në zemër. Pra, me fjalë të tjera deti jemi ne, por shpesh e harrojmë këtë fakt. Ndotja, peshkimi i tepruar janë vetëm disa nga kërcënimet që rëndojnë çdo ditë gjendjen e tij. Kështu, për të rikujtuar edhe një herë prej nga vijmë, OKB-ja bashkë me mijëra lundërtarë, muze dhe shoqata të famshme do të festojnë të premten Ditën Botërore të Oqeaneve, një iniciativë e lindur në Rio de Zhaneiro në 1992-n dhe që përsëritet çdo vit prej 2009 çdo 8 qershor. Pikërisht me rastin e këtij përvjetori, “Greenpeace” ka hartuar një “recetë”: dhjetë hapat që duhet të ndiqen për të shmangur kolapsin e burimit kryesor të jetës në planet.


Ishuj blu, mushkri blu. Oqeanet mbulojnë mbi 70% të sipërfaqes tokësore, rregullojnë 80% të biotransformimit botëror dhe prodhojnë 50% të oksigjenit që gjendet në atmosferë. Për ruajtjen e tyre, “Greenpeace” sugjeron krijimin e një rrjeti rezervash detare të tillë që të mbrojë 40% të sipërfaqes blu të globit. Në Mesdhe, ku më pak se 1% e sipërfaqes së tij është e mbrojtur, “Greenpeace” ka propozuar krijimin e 32 hapësirave blu, mes të cilave në një kanalin e Sicilisë.


Mbrojta e peshqve? Po


72% e rezervave të peshkut në ujërat europiane dhe 82% e atyre të Mesdheut janë shfrytëzuar jashtëzakonisht, madje më shumë se 20% i ka tejkaluar kufijtë biologjikë të sigurisë. Ambientalistët kërkojnë të rishikohen edhe një herë në aktivitetet e peshkimit. Si?


“Duke frenuar peshkimin e tepërt, duke respektuar kufijtë shkencorë të gjuetisë, si dhe duke favorizuar peshkimin e kufizuar”.


Shkatërrimi i peshkut? Jo


Ka ardhur koha t’i thuhet stop gjuetisë së paligjshme të peshkut, që vazhdon të jetë mjaft e përhapur dhe për më tepër përdoret një mënyrë shkatërruese për gjallesat ujore. U duhet thënë jo të ashtuquajturave mjete që zënë peshk, sepse me rrjetat e tyre të madha kapin lloje toni që nuk duhet, peshkaqenë, breshja dhe specie të tjera detare.


Ulja e ndotjes


Pjesa më e madhe e ndotjes detare vjen nga bregu dhe analizat e konfirmojnë këtë gjë. Metale të rënda, hidrokarbure, substanca të rrezikshme që kontaminojnë peshqit dhe kërcënojnë edhe shëndetin tonë. Varet nga secili prej nesh që këto burime ndotëse të reduktohen.


Rregullat për anijet


Përmbytje dhe fatkeqësi natyrore. Naftëmbajtësja “Rena” që u përplas vjet në tetor në Zelandën e Re, shkaktoi dëme mjedisore që arrinin deri në njëqind milionë dollarë. Dhe ky është vetëm një episod. Ka ardhur koha që të reduktohet trafiku detar, të kontrollohen ngarkesat e rrezikshme të transportit, sidomos në zona të veçanta, kryesisht në Mesdhe.


Kujdesi me konsumin


Për të mbrojtur oqeanet duhet t’i kushtojmë rëndësi peshkut që konsumojmë, duke u siguruar se nuk është nga rezervat tepër të shfrytëzuara ose të shkatërruara. Toni në veçanti duhet konsumuar vetëm nëse vjen nga peshku i freskët, përndryshe nuk duhet të futet absolutisht në gojë.


Jo shpimeve në ujë


“Greenpeace” kërkon me insistim të ndalojë shpimet nënujore, sepse kërcënojnë habitate të çmuara. Qeveria po përpiqet të fshijë kufijtë e vendosur dy vjet më parë për shpim. Sipas dekretit të ri do të ndalohen shpimet jashtë zonave të mbrojtura nga 12 deri në 5 milje detare.


Mbrojtja e Arktikut


Është rihapur gara për në Arktik, në sajë të rrugëve të reja të lundrimit, të krijuara nga shkrirja e akujve. Ambientalistët kërkojnë menjëherë të ndërhyjnë kundër zhvillimit industrial në zonën që historikisht nga vitit 1979-2000 ka qenë gjithmonë e mbuluar nga akujt.


Kujdes nga plastika


Rreth 80 për qind e plastikës që ndot oqeanet vjen nga toka. “Për të kufizuar ndikimin e plastikës në ujërat tanë duhet të ulim përdorimin e paketimit dhe mbështjelljen e produkteve që prodhohen me këtë material. Në Francë, për shembull të gjitha qeset plastike janë eliminuar në supermarket.


Stop gazi serë


Me rritjen e gazit serë rriten edhe temperaturat e Tokës dhe detit. Kjo shkakton gjithashtu një rritje të aciditetit të oqeaneve, duke shkatërruar ekuilibrin delikat si ai i barrierave koralore dhe nxit rritjen e nivelit të detit. Probleme që ndikojnë te ne? Nuk është e vërtetë. Temperatura mesatare e regjistruar në veri-perëndim të Mesdheut, në sipërfaqe, është 1°C në 30 vitet e fundit, ndërsa në shtresat e thella është shfaqur një rritje vjetore prej 0,004°C.