Vërshimet e ujrave uzurpojnë zonat periferike dhe qendrën e kryeqytetit  


Shpresa Mezini


shi bie ne Tirane


Reshjet e dendura të shiut që nisën në orët e para të mëngjesit të dy ditëve më parë përmbytën jo vetëm zonat periferike të Tiranës, por edhe qendrën e saj. Rrugët u mbushën plot e për plot me ujë, aq sa kalimi u bë i pamundur. Të vetmit që gjetën zgjidhje ishin ata që përveshën pantallonat dhe u futën mes për mes për të kaluar nga njëri trotuar në tjetrin. Të tjerë qëndruan për orë të tëra në një cep të trotuarit me shpresën se rrugët do të zhbllokoheshin, ndërsa vargu i makinave nuk kishte të sosur. Shiu që nisi në orët e vona të mbrëmjes së dy netëve më parë, por që vazhdoi edhe në mëngjes, krijoi një katrahurë të vërtetë. Kjo për shkak se disa prej semaforëve pushuan së funksionuari. Për rrjedhojë në mes të kryqëzimeve ishin pozicionuar policë të qarkullimit rrugor të cilët urdhëronin mënyrën e qarkullimit të mjeteve. Por kjo ishte e pamjaftueshme, pasi shumë prej shoferëve nuk e respektonin atë. Ata ndiqnin drejtimin sipas qejfit të tyre me qëllim që t’i largoheshin trafikut, duke harruar që po e rëndonin edhe më shumë atë. E megjithatë kishte edhe shoferë të tjerë, të cilët ngurronin të kalonin përmes pellgjeve të dendura për shkak të frikës se mos mbeteshin në ndonjë nga gropat apo pusetat e hapura të kryeqytetit. Rrugët që u paralizuan për shkak të shiut që binte pa pushim ishin të shumta, por situata shfaqej më problematike sidomos në rrugën “Don Bosko”, te fabrika e birrës në Kombinat, rruga “Hoxha Tahsin” duke vazhduar deri te farmacia 10, “Komuna e Parisit” dhe ura e madhe e Dajtit. Nisur nga kaosi i krijuar në kryeqytet, Bashkia e Tiranës nisi punën për normalizimin e situatës. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp ky institucion sqaron se në aksionin për zhbllokimin e rrugëve dhe rregullimin e trafikut janë mobilizuar punonjësit e ujësjellës-kanalizimeve, ekipe të zjarrfikësve dhe mbi 150 punonjës policie.


“Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme dhe ka mobilizuar të gjithë punonjësit e Ndërmarrjes nr. 2 të Ujësjellës–Kanalizimeve dhe operatorët e pastrimit, me qëllim rikthimin e situatës në normalitet. Po kështu, po bashkëpunohet me Shërbimin Zjarrfikës, për të bërë të mundur largimin e ujit me bote, në pjesët më problematike”, shpjegohet në njoftimin e Bashkisë së Tiranës. Paralel me 150 policët bashkiakë dhe 20 mjetet e vendosura nga ky institucion, është vënë në punë edhe  policia e rendit, e cila ka përforcuar shërbimet e saj në zonat problematike. Kështu u shtuan patrullat e përgjithshme dhe shërbimet e policisë rrugore, pasi reshjet e dendura të shiut krijuan avari edhe te disa prej semaforëve, të cilët dolën jashtë funksionit. Zyrtarisht mësohet se qarkullimi i mjeteve devijoi nga “Don Bosko”, ndonëse në listën e rrugëve ku trafiku ishte bllokuar për orë të tëra. E megjithatë, pas ndërhyrjes së policisë bashkiake, qarkullimi i mjeteve dhe njerëzve iu kthye normalitetit, pavarësisht se për arritjen e kësaj u deshën orë të tëra.


 


Situata – Rrugët u mbushën plot e për plot me ujë, aq sa kalimi u bë i pamundur. Të vetmit që gjetën zgjidhje ishin ata që përveshën pantallonat dhe u futën mes për mes për të kaluar nga njëri trotuar në tjetrin


Trafiku – Rrugët që u paralizuan për shkak të shiut ishin të shumta, por situata shfaqej më problematike në rrugën “Don Bosko”, te fabrika e birrës në Kombinat, rruga “Hoxha Tahsin” duke vazhduar deri te Farmacia 10, “Komuna e Parisit” dhe ura e madhe e Dajtit


Masat – Në aksionin për zhbllokimin e rrugëve dhe trafikut u mobilizuan punonjësit e ujësjellës-kanalizimeve, ekipe të zjarrfikësve dhe 150 policë bashkiakë. Nuk mungoi edhe ndërhyrja e patrullave të policisë së rendit, të cilat ishin pozicionuar në çdo kryqëzim