Qendra muzeore “Ndre Mjeda” dhe puna për të rindërtuar një pasuri kombëtare

Dom Nikë Ukgjini

Gjatë këtyre ditëve, pritet përfundimi i punimeve në qendrën muzeore “Ndre Mjeda” në Kukël, Komuna e Bushatit. Punimet e filluara më 19 mars të këtij viti, kanë qenë tepër të lodhshme dhe mjaft të ndërlikuara. Por, falë angazhimit të arkitektit Zef Çuni, inxhinierit të Monumenteve të Kulturës në Shkodër, Çesk Gjuraj, si dhe këshillave profesionalë të dhënë nga arkitekti, Artan Shkreli, punimet janë realizuar me shumë sukses. Me këtë rast duhet veçuar dhe kujdesi i jashtëzakonshëm i restauruesve, të udhëhequr nga sipërmarrësi Nikolin Marku.

 

Mjeda arkitekt

Punimet në qendrën muzeore “Ndre Mjeda”, janë zhvilluar në shumë drejtime. Puna kryesore ka qenë restaurimi i kishës, duke e kthyer në identitetin e saj fillestar të ideuar dhe ndërtuar nga vetë  poeti Mjeda, në vitin 1913. Punimet e zhvilluara, në muret e jashtme të kishës, si: pjesa ballore e stilit neoklasik, froni, kolonat, rozeta etj., të cilat janë në një harmoni arkitekturë të përsosur,  me koloritin e tyre, kanë sjellë pamje të shkëlqyer.

Ajo, çfarë përbën një lajm shumë me interes, janë punimet restauruese, të zhvilluara brenda objektit të Kishës. Heqja e suvatimeve të mureve, të ndërtuar me gur, të përzgjedhur nga zona, kanë zbardhur dy kolonat me kapitele, brezat e shumëfishtë në formën shkallore, për rreth e qark ambientit, qemer të ndryshëm etj.,  punuar me gurë të gdhendur.

Arkitektura e brendshme e objektit, në shikimin e parë të krijon përshtypjen, se kemi të bëjmë me një kishë të zakonshme. Pjesa e arkitekturës së brendshme, si kolonat, pa lidhje harkore, apo brezat në formën shkallore, etj., të lenë përshtypje,  se kanë një mungesë, sinkronizimi, apo, nisja e ideve, të cilat kanë mbetur të pafinalizuara.

Por, njohësi më i mirë i Ndre Mjedës, i cili ka botuar 9 vëllime, kushtuar poetit, mjedologu, Mentor Quku, dhe unë si dëshmitar i gjithë këtij procesi, shprehim mendimin se poeti, Mjeda, me anën e kësaj lloj arkitekture, realizuar në vitet 1912-1913, ka shprehur,  pjesën pikante të historisë të kombit tonë të atyre viteve,  si:  shpallja e Pavarësisë, 1912, dhe koha e dhimbjes sonë kombëtare, e cila ndodhi në Konferencën e Londrës në vitin 1913. Kjo ide, zbardhet, duke marr parasysh se, tavani i Kishës, ka pasur të pikturuar, qiellin e hapur,  me  diell dhe re të pakta, shoqëruar me engjëj, e realizuar në kohën e poetit. Kjo pikturë e dëmtuar në kohën e monizmit, pos që ka pasur domethënie biblike, ka shprehur, ëndrrën e shqiptarëve, për çështjet të pambyllura kombëtare.

Prandaj, Kisha e Kuklit, mund të quhet, një objekt kulti, ku Mjeda, me anën e kodeve arkitekturore, ka shpalosur, krenarinë e dhimbjen e kombit tonë.

 

Mjeda në basorelievin e Bacchu-ist

Mjeda, përndryshe kanë qenë adhurues i madh i simboleve dhe  mitologjisë. Këtë talent e ka shprehur shumë qartë, në shtëpinë e tij të banimit, ndërtuar në vitin 1906, e cila edhe pse është në gjendje relativisht të mirë, gjithashtu, pritet të restaurohet. Shtëpia e cila  nga viti 1963-1990, ka qenë muze, ulluqet e shtëpisë, kanë pasur formën e këlshedrës dhe dragonjve,  ndërsa,  në muret e jashtme të shtëpisë, qëndrojnë, ende sot, basorelievi i fisit Ilir i  Labeatisë, dhe koka e Bucchus-it, zoti i vreshtarisë apo Bacchus, martir sirian i shek. IV. Të dyja basorelievet, pos që kanë domethënie biblike, të Bacchusi, gjejmë dhe disa veçori të imazhit të vetë poetit Mjeda, si:  mustaqet, vetullat, hunda etj.

 

 

Sistemi i ambienteve të jashtme

Punimet janë zhvilluar dhe në sistemimin e mureve të vjetra të oborrit të kishës, të ndërtuara në vitin 1912, si dhe sheshi për rreth e qark. Gjithashtu, është punuar platforma dhe bazamenti ku do vendoset shtatorja e Mjedës. Shpresojmë se me rastin e 75-vjetorit të vdekjes së poetit, më 1 gusht të këtij viti, ku vend pelegrinazhi (shtegtimi) kulturor, do stoliset me shtatoren e poetit Ndre Mjeda.

Jemi, gjithashtu në pritje të rikthimit të tryezës 100-vjeçare të poetit, në shtëpinë muze në Kukël, e cila është duke u shkatërruar në depo të muzeut të Shkodrës.

Punimet në këtë qendër muzeore, ku Mjeda ka jetuar për 30 vite me radhë, janë realizuar, falë ndihmës së dhënë, nga  kryeipeshkëvi i Shkodrës, Imzot Angelo Massafra, kryetari i Komunës së Bushatit e Zef Hila, si dhe donatorëve nga brenda dhe jashtë vendi. Shpenzimet private, në restaurimin e qendrës nga viti i kaluar e deri tani janë 35 mijë euro. Dhe kundrejt shpalljes monument kulture, më 16 dhjetor 2011, qeveria aktuale, ka dhënë vetëm premtime.

Në këtë vit jubilar, kur përkujtojmë ngjarjen madhore të kombit tonë, si dhe protagonistët e saj të shumtë, si: Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin, Dom Nikollë Kaçorrin etj., të cilët ishin të parët ndër të barabartët, në programe festive duhet të ketë vend dhe për poetin e “Vajit të bylbylit”, “Shtegtarit”, “Tringës”, “Shkodrës”, “Lissus”-it, i cili, më 28 nëntor, 1912, kur flamuri ngrihej në Vlorë, Mjeda, krah për krah me heronjtë e tjerë, qëndroi përballë sulmeve malazeze dhe serbe në mbrojtjen e Shkodrës.

Autor te 6 Qershor 2012. Historia. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry