Letërporosia


Ai do të pyetet si person që ka dijeni për një vepër penale 


Prokuroria shqiptare kërkon pyetjen e Renzo Bosit, në kuadër të hetimeve për pajisjen me diplomë në Universitetin “Kristal” në Tiranë. Kërkesa është dërguar me anën e një letërporosie në Prokurorinë e Napolit dhe Milanos, të cilat kanë kryer hetime për rastin Bosi në Itali. “Kemi nisur një kërkesë në shtetin italian për pyetjen e Renzo Bosit dhe Pierangelo Moscaguiro, nëse kanë kryer apo jo studimet universitare në Shqipëri. Kërkojmë informacion të plotë dhe zyrtar, pasi hetimet për këtë procedim penal kanë filluar mbi bazën e shkrimeve në media, si në Itali ashtu edhe në Shqipëri. Një kopje e gazetave dhe shkrimeve online janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe hetimet janë plotësuar me dokumentacionin e universitetit privat dhe Ministrisë së Arsimit. Megjithatë lind nevoja e pyetjes së Bosit dhe të personave të tjerë që kanë pasur dijeni për këtë aktivitet të dyshuar kriminal”, pohojnë burimet nga akuza qendrore. Sipas tyre, synohet që të bashkërendohet puna me drejtësinë italiane për këtë fenomen, që ndikon negativisht në dy shtete. “Bosi dhe Moscaguiro do të pyeten si persona që kanë dijeni për kryerjen e një vepre penale. Ende nuk kemi faktuar nëse Renzo Bosi apo ndonjë person tjetër ka pasur apo jo dijeni për këtë diplomë. Sipas deklaratave në media, ai ka mohuar të ketë pasur dijeni. Megjithatë këto deklarata nuk mund të merren të mirëqena, pasi nuk janë zyrtare”, pohojnë burimet nga prokuroria. Ndërkohë, hetimet për skandalin e diplomave vijojnë, ku hetuesit kanë bërë gati edhe listën e personave që do të pyeten, pas dëshmisë së rektorit dhe dekanit. Në listë janë pedagogë, financierë e sekretare, ndërsa hetimet do të shtrohen edhe ndaj të gjithë personave që kanë pasur dijeni. Ndërkohë, akuza thotë se do të zgjerojë hetimet, pasi ka dyshime se persona të ndryshëm janë pajisur me diploma pa qenë asnjë ditë pjesë e auditorëve. Janë faktuar dy rastet e abuzimit me diplomat e Renzo Bosit dhe Pierangelo Moscaguiro, ndërsa verifikimet janë fokusuar te persona të tjerë. Njësia Task-Forcë pohon se dyshohen edhe disa deputetë të Kuvendit të Shqipërisë që kanë marrë diploma me të njëjtën skemë si Renzo Bosi. Pas verifikimeve të listave të studentëve, ka rezultuar se disa të dënuar për trafik droge kanë marrë diplomë, megjithëse ishin të dënuar. Ndërkohë, disa zyrtarë në shtetin e Kosovës, kryesisht shumë punonjës të Ministrisë së Shëndetësisë apo institucioneve të tjera, janë pajisur me këtë dokument. S. Çobo


 


Prokuroria – “Kemi nisur një kërkesë në shtetin italian për pyetjen e Renzo Bosit dhe Pierangelo Moscaguiro, nëse kanë kryer apo jo studimet universitare në Shqipëri”


Deklarata – Sipas deklaratave në media, Renzo Bosi ka mohuar të ketë pasur dijeni. Megjithatë këto deklarata nuk mund të merren të mirëqena, pasi nuk janë zyrtare


Hetimet – Janë faktuar dy rastet e abuzimit me diplomat e Renzo Bosit dhe Pierangelo Moscaguiro, ndërsa verifikimet janë fokusuar te persona të tjerë