Situata
Kombëtarja italiane vizitoi gjatë ditës së djeshme, Aushvicin
Ky që kombëtarja e Italisë po kalon, nuk është një moment i madh. Për fat të keq tashmë, kjo është një gjë e ditur, pasi për skuadrën axurre problemet nuk kanë të sosur. Në fakt, nuk vijnë lajme të mira nga Krakova, ku Andrea Pirlo nuk ka marrë pjesë në stërvitjen pasditen e djeshme. Mesfushori axurr, as nuk i ka veshur fare këpucët e futbollit, por ka mbajtur ato të gjimnastikës përpara se të kthehej në dhomat e zhveshjes pas një bisede të shpejtë me përgatitësit atletikë. Pak ditë para debutimit me Spanjën, pra mbetet për t’u kuptuar se cila është forma e atij që është një nga lojtarët kyçë të skuadrës italiane. Ndërsa është rikthyer në stërvitje Maxho, i cili të martën ishte bllokuar nga një problem në aduktorë, ndërsa Barzalji po qëndron në bokse në pritje të ekzaminimeve të fundit. Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme, Italia e trajnerit Prandeli ishte për vizitë në ish-kampin famëkeq të përqendrimit, në Aushvic të Polonisë. Axurrët u përshëndetën nga drejtori i muzeut, i cili u foli për krimet naziste të kryera gjatë Luftës së Dytë Botërore. Lojtarët kanë dëgjuar historitë e të mbijetuarve me kureshtje dhe plot emocion. Pastaj ata vendosën një kurorë rrëzë murit, ku ekzekutoheshit të dënuarit me vdekje. Drejtuesit e kombëtares italiane, të kryesuar nga presidenti Abete, kanë qëndruar aty për disa çaste. Çdo lojtar ka vendosur edhe nga një qiri në kujtim të të vdekurve.