Ndryshe nga vendet e rajonit, të cilat i kanë kryer rishikimet që në muajin prill, për shkak të emergjencës me financat e tyre, qeveria shqiptare mban merakun e zgjedhjes së Presidentit, ndërsa vendi vuan pasojat e mungesës së likuiditetit
Presidenti mban peng financat, vonohet buxheti
ARD KOLA
Korrigjimi i buxhetit të shtetit, edhe pse i nevojshëm për shkak të krizës, do të kryhet nga Ministria e Financave në korrik, pasi Kuvendi të ketë zgjedhur presidentin e ri. Ndryshe nga vendet e rajonit, të cilat i kanë kryer rishikimet që në muajin prill, për shkak të emergjencës me financat e tyre, qeveria shqiptare mban merakun e zgjedhjes së presidentit, ndërsa vendi vuan pasojat e mungesës së likuiditetit dhe të projekteve publike.
Në mbledhjen e djeshme, Këshilli i Ministrave ka miratuar projektligjin për buxhetin faktik për vitin 2011, pra miratimin e faturës së harxhuar në vitin e kaluar
Pothuajse çdo veprim direkt në interes të biznesit është i bllokuar, në përjashtim të aktiviteteve gjoja me investitorë të huaj, por asgjë nuk ofrojnë për vendin. I gjithë debati është zhvendosur te politika, kurse biznesi shpreh indinjatën për injorimin që po i bëhet. Tjetër bllokim shikohet edhe te projektet energjetike. Rasti konkret është privatizimi i katër hidrocentraleve, pronë e shtetit, deri dje të menaxhuar nga KESH. Shitja e HEC-ve ishte parashikuar për datat 5 dhe 6 qershor, por krejt papritur Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës njoftoi anulimin e tenderit, duke mos dhënë shkaqe.
Burime nga Ministria e Financave bëjnë të ditur për “Shqip” se debatet për ndryshimin e buxhetit kanë nisur me kohë, pasi askujt nuk i shkon për shtat t’i shkurtohen shpenzimet. “Po shikohen të gjitha mundësitë, madje edhe investimet do të preken, sidomos ato projekte që nuk japin eficiencë për ekonominë”, shton ministria. Ndryshimet nuk bëhen publike paraprakisht, nuk diskutohen me grupet e interesit, për shkak të debatit mbi presidentin dhe për të shmangur sadopak hatërmbetjet mes forcave politike që mbulojnë sektorë të ndryshëm të administratës. “Paketa do të bëhet publike në fillim të muajit korrik”, saktëson ministria, periudhë që përkon me fundin e zgjedhjes së presidentit.
Sa u takon 4 HEC-ve, me fuqi prodhuese 80 megavat, Bistrica 1 dhe Bistrica 2, Ulza dhe Shkopeti, ministria njoftoi dje anulimin, për zhvillimin e tenderit në datën 9 korrik. Shitja e tyre, me të cilat qeveria parashikon të vjelë të paktën mbi 100 milionë euro ka kaluar në një proces jo dhe aq transparent. Përflitet për konkurrencë të fortë, mes firmave të lidhura me politikën dhe kjo ndoshta është arsyeja e shtyrjes, pas zgjedhjes së presidentit. Për këto projekte kanë shprehur interes kompanitë austriake, por nuk përjashtohet mundësia e përfshirjes nga firmat shqiptare, sidomos të HEC-ve Bistrica, në jug të vendit, aty ku fitimi është garantuar për shumë vjet. Tjetër privatizim, që parashikohet të realizohet më 25 korrik është ai i “Albpetrol”. I shumëdiskutuar, qeveria e shtyu në kohë, në periudhën kur shteti dhe publiku është me pushime.
Buxheti faktik
Në mbledhjen e djeshme, Këshilli i Ministrave ka miratuar projektligjin për buxhetin faktik për vitin 2011, pra miratimin e faturës së harxhuar në vitin e kaluar. Sipas draftit të miratuar nga qeveria, të ardhurat gjithsej në këtë draft janë 275,479 milionë lekë, ndërsa shpenzimet janë 309,297 milionë lekë. Deficiti buxhetor është 33,818 milionë lekë, që i bie rreth 300 milionë dollarë. Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje në mbledhjen e qeverisë se buxheti faktik i vitit 2011, bëri projekte madhore si Tuneli i Kërrabës dhe autostrada Tiranë-Elbasan. “Për herë të parë ndenjëm deri në 5 të mëngjesit për të votuar buxhetin edhe nga opozita, por kjo nuk ndodhi, sepse opozita nuk donte të njihte sukseset. Buxheti i dha një shtytje të madh infrastrukturës së vendit në të katërta anët e tij, nga Konispoli deri në Vermosh. Buxheti ishte një buxhet i bekuar, sepse rriti rrogat dhe pensionet, si dhe rriti të ardhurat familjarëve të mbi 800 mijë familjeve shqiptare të punësuar dhe pensionistë, në një kohë kur vendet e tjera u detyruan të bëjnë shkurtime të pensioneve dhe rrogave”, u shpreh Berisha.
