Projektligji


Uniformat blu kërkojnë që të merren masa ashtu si për prokurorët dhe gjyqtarët


Bledi Gilaj


Nga treshja e luftës kundër krimit, gjyqtarë, prokurorë dhe policë, këta të fundit janë të vetmit që nuk gëzojnë mbrojtje të veçantë në rastet kur kërcënohen personalisht apo familjarisht për shkak të punës. Por, shifrat tregojnë se ata janë më të rrezikuarit përballë krimit, duke marrë parasysh, se në 20 vitet e fundit janë vrarë mbi 250 punonjës policie për shkak të detyrës, ndërkohë që ka vetëm një gjyqtar të ekzekutuar në mënyrë mafioze. Në këto kushte, policia ka kërkuar që çdo punonjës i kësaj organizate të gëzojë të drejtën e mbrojtjes së posaçme. Madje, ky diskutim është bërë edhe nga grupi i punës, që po përgatit ndryshimet në ligjin e policisë, duke kërkuar të shtohet një nen i veçantë për mbrojtjen e punonjësit të policisë.


Arsyetimi për uniformat blu


Nga informacionet e mbledhura rezulton që në përmbajtjen e ligjit për policinë nuk është parashikuar asnjë dispozitë lidhur me mbrojtjen e veçantë të punonjësve të policisë që u kërcënohet jeta për shkak të detyrës. Në nenin 128, ligji ka shfuqizuar disa ligje të mëparshme, të cilat kishin akte normative për të rregulluar veprimtarinë e policisë, ku parashikoheshin edhe masat e nevojshme për efektivët e kërcënuar. Madje, në mbështetje të kësaj dispozite është shfuqizuar edhe vendimi i Këshillit të Ministrave, datë 26 janar 2001 “Për një mbrojtje të veçantë të personave që u kërcënohet jeta, familja dhe prona për shkak të detyrës”. Referuar sa më sipër, ekspertët e grupit të punës për ndryshimin e ligjit të policisë, kanë deklaruar se është e nevojshme që në ligjin aktual të bëhet një shtesë, ku të parashikohet mbrojtja e veçantë e punonjësve të Policisë së Shtetit, që u kërcënohet jeta, familja dhe prona, për shkak të detyrës. Kështu, është sugjeruar që të shtohet një nen me këtë përmbajtje: “Policia e Shtetit siguron mbrojtje të veçantë për punonjësit e policisë që u kërcënohet jeta, familja, prona për shkak të detyrës. Kushtet dhe mënyrat e përfitimit të mbrojtjes së veçantë, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”.


Prokurorët dhe gjyqtarët


Nga ana tjetër, prokurorët dhe gjyqtarët, të cilët janë në treshen e luftës kundër llojshmërisë së krimeve të ndryshme, mbrohen në rastet e kërcënimeve. Ligji “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë” në nenin 35 parashikon “Mbrojtjen e veçantë” të prokurorëve që u kërcënohet jeta, familja dhe prona, për shkak të detyrës. Në nenin 59 të po këtij ligji parashikohet mënyra e rregullimit të çështjeve që parashikohen në nenin 35, ku thuhet: “Çështjet e parashikuara në nenet 35 dhe 46 të këtij ligji rregullohen me akte të përbashkëta të Prokurorit të Përgjithshëm dhe ministrit të Rendit Publik”. Ndërsa ligji “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, në nenin 24 përcakton mbrojtjen e veçantë të gjyqtarëve që u kërcënohet jeta, familja dhe prona, për shkak të detyrës, si dhe miratimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave për përcaktimin e kritereve dhe procedurave për sigurimin e mbrojtjes së veçantë. Gjithashtu, gjyqtarëve të Gjykatës për Krime të Rënda, si në shkallën e parë ashtu edhe në apel u sigurohet mbrojtje e veçantë personale, e familjes dhe e pronës, sipas parashikimeve të VKM-së nr. 480, datë 6.5.2009. Tashmë është propozuar që kjo mbrojtje të jetë edhe për çdo punonjës policie.