Situata politike e krijuar pas tërheqjes nga gara të kandidatit të mazhorancës për president, Xhezair Zaganjori ka vënë në lëvizje kreun e PS, Edi Rama i cili ka thirrur menjëherë aleatët e opozitës për të diskutuar në lidhje me hapa e mëtejshëm që do të ndiqen nga opozita përballë një fakti të tillë.
I dalë nga ky takim, Spartak Ngjela, kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi dhe njëkohësisht aleat i PS në opozitë, është shprehur se, pas tërheqjes së kandidatit të zgjedhur nga mazhoranca, i cili me këtë veprim tregoi një lloj pasigurie dhe se nuk ishte i vendosur të shkonte deri në fund, Berisha nuk ka më të drejtë që të propozojë kandidat për kreun e shtetit. Sipas Ngjelës, në funksion të konsensusit të kërkuar nga ndërkombëtarët, tashmë i takon opozitës të propozojë kandidatin e saj për president.
“Dorëheqja e Zaganjorit në këtë moment godet tepër rëndë seriozitetin e kësaj çështjeje. Pikëpamja ime është që kryeministrit nuk i lejohet më e drejta e propozimit, nëse flitet për konsensus. Këtë të drejtë e ka opozita. Kjo gjendje është krijuar prej tij. Nxori një kandidat i cili nuk ishte i vendosur të shkojë deri në fund. Ose saliu ka dashur të tallet me gjyqtarin, ose të dy janë tallur me popullit dhe të dyja rastet janë të rënda. Në funksion të konsensusit, një zgjidhje e kërkuar nga europianët, nuk mund të vazhdohet nëse të drejtën e propozimit nuk e ka opozita. Berisha e ka humbur tashmë këtë të drejtë”, – është shprehur Ngjela.
8 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)